Friday, November 9, 2012

Përgjigje artikullit të botuar tek Spiegel: 'We Have Achieved Almost Nothing' An Insider's View of EU Efforts in Kosovo'



 Unë i shkruajta editorit te Spiegel-it ku paraqita disa kundra-argumenta të këtij artikulli, por natyrisht nuk kam marrë përgjigje dhe nuk e kam parë komentin tim në blogun përkatës.
Tentoj, pra, për herë të dytë këtu - prandaj hapa dhe blogun - të paraqes (në shqip këtë herë) jo-llogjikshmëri dhe mungesë qëndrueshmërie të argumentave të autorit.

Argumenti i autorit është si vijon. Ai shpjegon se ka 10 vjet që punon në Kosovë dhe e quan veten të 'brendshëm.' Gjatë 3 vjeçarit të fundit qëkur Kosova fitoi pavarësinë, pothuajse nuk është arritur asgjë. Kur del dhe sheh qendrat tregëtare bosh, ai konkludon se Kosova është e korruptuar. Dhe se ka dëgjuar andej apo këndej se ata që vjedhin makina nuk kapen por lejohen të ikin dhe se policia Kosovare është e korruptuar etj. etj.

1. Gjermania dhe Europa perëndimore nuk u bënë shtete brenda 3 vjetëve, por shekuj të tërë u deshën dhe dy faktorët kryesorë (institucioni i fesë dhe elita feudale) kanë qënë në punë për shumë shekuj. Të presësh dhe argumentosh mbi të gjitha se për tre vjet nuk është arritur asgjë duket si një skeç komedie ku si spektatorë mund të jenë vetëm femijë para-shkollorë. Mbase, po të pranohesh qysh në 1878 (Kongresi i Berllinit) se përveç serbëve dhe grekërve kishte edhe të tjerë në rajon, mbase autori do kishtë një argument.

2. Të thuash që je i 'brëndshëm' pa ditur gjuhë e zakone, art e historicizëm të vëndit e rajonit, është të keqkuptosh përdorimin e fjalës dhe konceptit që ajo përmban. Autori pret që policia Kosovare, po e përsëris, policia Kosovare, të sillet njëlloj si ajo Gjermane. Eshtë njëlloj sikur të duam dhe të presim që policia Italiane, Franceze apo Greke të sillet si ajo Gjermane, në vëndet e tyre përkatëse, pra, Itali, Francë dhe Greqi, respektivisht.

3. Të nxjerrësh se ngaqë sheh qëndrat tregëtare bosh Kosova është e korruptuar është një argument jo-llogjik. Shumë biznese (Wal-mart etj.) kanë ngatërruar disa drunj me pyllin (siç i thonë shprehjes) pasi nuk kanë hulumtuar disa veçori të popullsisë në fjalë. Çfarë dua të them është që ka vënde ku njerëzit nuk pëlqejnë të psonisin nëpër qëndra tregëtare, dhe sidomos Shqipëri e Kosova ku 1/3 e popullsisë gjendet jashtë dhe shumica e gjërave vijnë nga jashtë. Po të shohim skandalin e fundit të Siemens dhe konkludojmë që Gjermania është e korruptuar, argumenti ynë do jetë më afër konkludimit, pamvarësisht se jo llogjik, sesa argumenti juaj ku konkludoni se ngaqë keni dëgjuar diku kështu apo ashtu, policia Kosovare është e korruptuar.

Për ta mbyllur, njeriut i duhet liria që ai të arrijë mirëqënien dhe zhvillojë fakultet e tija (ashtu siç tha dhe Kanti i madh). Pa lirinë as Europa perëndimore nuk do kishte arritur ato që mburrni, por shumë nuk e dinë dhe nuk e kuptojnë çfarë gëzojnë deri në momentin që ajo ikën. Nuk vjen pranvera me një dallëndyshe apo dhe pylli nuk bëhet me një dru (siç edhe Aristoteli argumentoi) por duhet durim dhe punë. Durimi është virtyt në vetvete pasi vetëm duke kuptuar një nga një hallkat që njeriu (apo njerëzimi) kalon, arrin të kuptojë në fund atë çfarë ka arritur. 

No comments:

Post a Comment