Sunday, December 9, 2012

Nacionalizëm në Shqipëri? Che bella voce!


Jam shtytur për të shkruar mbi nacionalizmin e shqiptarëve në rajon nga një artikull i botuar në mediat shqiptare por edhe nga politizimi që i është bërë kësaj çështjeje. Politizim apo jo i kësaj çështje shihet nga disa si problematike nga të tjerë (duke përfshirë veten time) si jo i tillë. Përse kështu? Historikisht (pra një faktor) dihet dhe nuk mund të hidhet poshtë se shqipëtarët e Shqipërisë, të Maqedonisë, të Malit të Zi, Kosovarët, e të tjerët në veri të Greqisë i përkasin një kombësie. Nëse mund të jenë në një shtet të vetëm është potencialisht teorike por gjëndjen aktuale e dimë të gjithë. Aktualja dhe potencialja ndryshojnë por gjithashtu dimë se nocion si 'nacionalizëm' në Shqipëri nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar pasi institucione si ai i fesë, p.sh., nuk kanë qënë në gjëndje, ndryshe nga vëndet fqinjë si Serbi apo Greqi, të bëjnë një punë të tillë - pra një punë ushqimi i këtij nocioni. Nëse mund të shtoj edhe diçka tjetër, ka qënë nacionalizmi i fortë i këtyre vëndeve që ka prodhuar (për mua të paktën) histori në Ballkan dhe jo Shqipëria. Rasti i saj zhvillohet si aksidentalisht përkrah kësaj historie.

Dua t'i drejtohem artikullit "Nacionalizmi, Blushi: Bashkimin e pengon Shqipëria"[1] ku më shumë se politikë ka një mjegulli nocionesh dhe konceptesh, për mos të folur për qartësinë dhe qëndrueshmërinë e argumentave. Njerëzit kudo që janë duan të përmirësojnë jetën e tyre; ky është një parim bazë i natyrës njerëzore. Kjo nuk e ushqen nacionalizmin shqiptar - e përsëris, historikisht në Shqipëri kanë munguar institucione që nxisin këtë gjë - mënyra sesi arrihet kjo është faktori ndryshues. Ideologët (politikë apo të tjerë) duhet të punojnë mbi një platformë të njëjtë vlerash, vlera këto që do ndihmojnë në qëllime të përbashkëta nëse teorikisht kërkohet një diçka e tillë. "Ne besojmë se koha na ka marrë, më shumë se na ka dhënë," thotë në fillim të artikullit Z. Blushi. Koha nuk merr e as nuk jep. Koha është një koncept bosh që metafizika (apo dhe fizika) akoma nuk dinë si ta përcaktojnë apo kategorizojnë. Koha përdoret për të kuptuar fenomenin por nuk është pjesë e saj, është jashtë saj. Shqipërisë, për tu futur në temë, i janë marrë gjëra jo vetëm nga të tjerët por dhe nga ajo vetë. Për rastin e parë të gjithë flasin (një copë këtu e një aty), për pikën e dytë nuk dëgjon shumë. Të dyja janë të ndërlidhura, por faktorin e dytë ne si shqiptarë e kemi në dorë ta bëjmë (ose jo) vetë. Faktori i jashtëm gjithmonë merret (dhe duhet marrë si i tillë) në konsideratë në hartimin e ligjeve (shembull: hartimi i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ai i Kosovës nuk mund të mendohen pa pasur parasysh këtë faktor).

Z. Blushi e ndan nacionalizmin shqiptar në tre lloje: një i shqiptarëve të Shqipërisë, një i kosovarëve dhe një i shqiptarëve të Maqedonisë. Atëherë përse ta quajmë 'nacionalizm shqiptar' dhe jo të ndarë në tre degë të ndryshme me emrat përkatës? Për më tepër, ekziston një mendim që është i gabuar midis ideologëve (qofshin politike apo akademikë) shqipëtarë - se një gjuhë e njëjtë e bën një komb. Ajo është një nga faktorët por jo faktori determinues. Meqë jemi të familjarizuar me Otomanët, për ata të qënurit Otoman konsistonte në një ideologji - dhe jo gjuhë - të përbashkët. Dhe siç e tregon historia me dhjetëra 'kombe' të tjera e përbënin atë shtet duke përfshirë edhe kombin tonin (për 500 vjet). E njëjta gjë vlen dhe për kombet/shtetet e reja të formuara dy shekujt e fundit (d.m.th. Amerikë, Kanada, Australi - problemi i gjuhës është më delikat, por ideja është e qartë).

Shqiptarët e Shqipërisë e shohin nacionalizmin si mjet për rregullimin e shtetit shqiptar, thotë Z. Blushi. Shqipëtarët e Shqipërisë  ndjekin vetëm një ideologji - nihilizmin. Që është: të mohosh çdo gjë që sheh e dëgjon - për ta asgjë nuk ka kuptim, çdo gjë është e degjeneruar, kalbëzuar dhe korruptuar. Ligji bazë i llogjikës - jokontradikta - tek ta nuk ka aplikim. Këtë fenomen dikush e sheh qartë tëk të moshuarit ( e kam të vështirë të përcaktoj moshë por në të 50-at çdo shqiptar e quan veten të moshuar) dhe çfarë do dëgjosh? Aq e patëm, kjo ishte jeta! Për ta tashmë jeta është çfarë të marrin mbrapsht (nga shteti, shoqëria apo familja!). Ata thjesht presin se çfarë të tjerët "do bëjnë" me ta. Ato ndjesi natyrale të të kërkuarit, debatuarit apo dhe mësimdhënies nuk janë prezente. Çfarë dëgjon janë vetëm ankesa deri në pikën që edhe vetvetja (po të ishte një tjetër) do mërzitej! Shqiptarëve të Shqipërisë u mungon ideologjia e jetës - ajo se çfarë konsiston të jesh shqiptar; u mungojnë një sërë vlerash që duhet të kenë dhe profesojnë, të cilat e ndihmojnë njeriun te jetë i tillë dhe jetë gjithashtu pjesë integrale e shoqërisë në të cilën jeton (në Shqipëri, në rastin tonë). Janë këto vlera që po të ndahen nga të gjithë njëlloj ndihmojnë në të qënurit një komb - por siç e shohim vetë brenda Shqipërisë ekzistojnë shumë ndarje dhe, e përsëris, nëse ka një ideologji të përbashkët për shqiptarët e Shqipërisë është nihilizmi jo nacionalizmi (çfarë është nacionalizmi? Diku-diku është i fshehtë, e gjetkë më i hapur.)

Kosovarët, nga ana tjetër, kanë edhe ideologjinë por edhe vlerat - "vetëm me punë do ecin përpara" është njëra nga ato. Ata i profesojnë dhe i ndjekin njëlloj. Zhgënjimi që ata ndiejnë është me atë që ata e konceptojnë si 'epiqëndra e kombit.' Kosovari ka qënë gjithmonë si një vëlla më shpirtgjerë dhe falës, më mikpritës dhe racional. Më shumë se kushdo tjetër ata kanë kontribuar në mbajtjen lart të atij emri të quajtur 'shqipëtar.' Me artet dhe akademikët, me organizata emigrantësh dhe studiuesit e tyre të organizuar më mirë dhe më shumë në kontakt me vendin e tyre, ata jo vetëm do ia kalojnë Shqipërisë por kanë potencialin për të qënë model në rajon. Dhe prapë si një vëlla më i pjekur dhe i matur do qëndrojnë krahëhapur për të humburin, nëse i humburi do hapë sytë dhe do dojë të dalë nga hendeku ku ka ngelur.

Për shqiptarët e Maqedonisë Z. Blushi nuk është i mirë-informuar. Ata përbëjnë 40% të popullsisë në një shtet që vazhdon i mëkëmb dhe i përbuz, ku të drejtat më minimale nuk ndiqen dhe as zbatohen. Ata kërkojnë ndryshim dhe ndryshimi është i dyllojshëm: njëri është i avashtë që merr kohë dhe tjetri revolucionar. Por, të mos jesh pjesë integrale e shtetit ku dikush jeton ku edhe ku të drejtat nuk të jepen apo njihen dhe mos të kërkosh ndryshim, për Z. Blushi, duket strategji më e drejtë.

Për ta mbyllur këtë artikull ala-Zizek, dhe për të bërë një paralelizëm për gjëndjen e shqiptarit jap një barcaletë të ushtarëve Italianë e cila është si vijon: Në hendeqet e Luftës së Parë Botërore një oficer thërret ushtarët për tu hedhur në sulm - "Ushtarë, në sulm!" Asnjë përgjigje. Ai i thërret për herë të dytë. Përsëri asnjë përgjigje. I thërret për herë të tretë. Një ushtar me zë të mekur thotë, "Sa zë i bukur!" (Che bella voce). Shqiptarët janë si ushtarët në hendek, gjithmonë të mbrojtur ndryshe nga kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë që kanë qënë më të hapur ndaj sulmeve ideologjike qofshin nacionaliste apo të tjera. Ka qënë kjo eksperiencë me rreziqet dhe mundësitë e cila i bën ata më të prirur potencialisht për të ecur përpara. Në hendek shqipëtari nuk di se çfarë bëhet jashtë. Shqiptarët kanë humbur besimin, shpresën dhe dashurinë - tre vlera që kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë i kanë dhe i promovojnë. Besimi është historik, dikush beson tek komuniteti, fshati, familja etj; shpresa i drejtohet të ardhmes, kërkon ndryshim; dashuria i mban bashkë këto të dyja dhe virtyte të tjera gjithashtu. Kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë kanë një detyrë: tu mësojnë bashkëkombësve të vet: "sesi duke qënë më keq dhe më të vuajtur, ia arrijnë t'i mbajnë lart këto virtyte." Shqipëtari nga ana tjetër duhet të jetë i hapur për të mësuar dhe përvetësuar, për të veshur veten me frymën shqiptare.








[1] http://www.panorama.com.al/2012/12/03/nacionalizmi-blushi-bashkimin-e-pengon-shqiperia/

No comments:

Post a Comment