Friday, January 18, 2013

Të Pa'udhët


Në përputhje me frymën e epokës së Ndriçimit (Enlightenment), Marx thotë se 'feja është opium për popullin.' Në Shqipëri ajo 'fe' që ka qënë opium për popullin ka qënë 'klasa politike' (nëse mund të marr hua shprehjen 'klasë' nga Marxismi).
Gjatë gjysëm shekullit komunist një klasë laiko-fetare e ashtuquajtur shkencore-politike do të udhëhiqte Shqipërinë, drejt një gremine ekonomiko-politiko-fetare. Kjo klasë do të konkuronte çdo lloj besimi tjetër fetar dhe do t'i nxirrte ato si të pavlefshëme. Si kështu? Sepse fetë mbizotëruese, myslimanizmi, ortodoksia, katolicizmi, etj., nuk e dinin 'të vërtetën.' Ishin ata që "i dinin të gjitha" - të mirën e të keqen -  dhe dinin të këndonin më mirë ungjillin e perëndisë së shqiptarit. Ishin ata 'priftërinj- (e hoxhallarë-) komunistë që sikur Zoti i kishte ngarkuar detyrën e shpëtimit të këtij populli. Popullit do ti servirej 'e vërteta' nëpërmjet 'priftërinjve e hoxhallarëve' të vërtetë. E vërteta ishte e arritshme këtu, dhe ishte materialiste. Për asgjë tjetër nuk kishte nevojë shqiptari, pavarësisht faktit se vetë ajo ideologji përbënte një 'fe' më vete laike në kuptimin e plotë të fjalës. Konkurrenca u lejua por vetëm brënda 'kishës' komuniste. Ajo do sillte në 'treg' prift-komunistin 'më të ditur' dhe do spastronte radhët e 'kishës' komuniste nga të vobektët dhe ata që 'nuk dinin.' Për 'të vërtetën' që shqiptarët morën nuk është e nevojshme të ndalem në këtë artikull të shkurtër.
Në mes të krizës totale që vijoi,  nga shkretëtira shqiptare, doli një 'klasë e re' prifto-politiko-laike. U zbulua se priftërinjtë komunistë nuk e dinin të vërtetën kurse këta 'e dinin' dhe vazhdojnë 'ta dinë' të vërtetën. Dhe jo vetëm 'e dinë' por 'e vërteta' është në zotërimin e tyre. Të veshur me rrobën fetare të politikanit laik kjo klasë e re iu fal Zotit dhe Ai i dëgjoi - Ai u dha bekimin që ta udhëhiqnin shqiptarin drejt progresit. Ndryshe nga hera e parë konkurrenca do të lejohej midis 'kisho-xhamive' laike dhe gjithashtu midis prifto-syreshve brenda këtyre institucioneve - "syreshë" do të thotë ata poshtë 'majës' së piramidave. Bekimin prifto-laiku i majës e mori për gjithë jetën e tij ('e saj,' si në gjininë femërore, nuk ekziston për këtë rast). Që mos të humbnin gjurmë, edhe ata fetarët komunistë për të njëjtin progres u betuan dhe morën bekimin e Zotit (e popullit).
Të Mjerët
Populli si bagëti e vërtetë, apo dele të urta të perëndisë, dhe me besim të verbër e ndoqi këmba-këmbës prifto-komunisto-çobanin dhe drejt greminës shkuan si një trup i vetëm - ata që shpëtuan iu falën prapë perëndisë për mëkatet. Me zell fetari (apo pagani për ata që mendojnë ndrsyhe), entuziast, dhe afsh mëkatari, populli u pendua dhe filloi të ndiqte këta 'priftërinjtë' e rinj "kudo që ata do të shkonin," siç thotë edhe Bajroni - natyrisht sipas klaneve dhe fiseve këtë radhë. Dhe këta 'të rinjtë' me bekimin e popullit (apo Zotit), si fallxhorë të vërtetë dhe me turne 4-vjeçare, ia filluan punës - të mblidhin taksën/qiranë e duhur për kaluar në anën matanë, në parajsë. Kur turnet ndërroheshin, si me magji, ata që ndodheshin në 'parajsë' e gjenin vetveten në 'ferr' dhe anasjelltas. "E vërteta' e druajtur dhe dhelpërake, njëherë kalonte andej e një herë këndej.
Në fillim të shekullit të XVI-të Lutheri e pa 'të vërtetën' nga afër. Për një shumë të caktuar mëkatet faleshin - çdo mëkat - nga kisha katolike, dhe parajsa vinte kaq afër mëkatarit. Kaq shumë u shokua Lutheri nga kjo veprimtari e kishës katolike saqë përfundimisht vendosi të përballej vetë 'me të vërtetën' dhe i hapi kështu rrugën Protestanizmit, Kalvinizmit e çfarë vijoi - çdo kush nëpërmjet 'besimit' tek vetvetja (jo besimin tek prifti) gjen Zotin e parajsën e vet. Një Luther laik është nevojë e domosdoshme për të konkuruar këto piramida fetaro-politike që me metastazat e tyre i marin gjakun si njërës palë ashtu edhe tjetrës. "Njëra palë apo pala tjetër" në terma makro ekonomikë nuk ka shumë rëndësi, pasi bashkë ato përbëjnë një njësi. Kjo do të thotë që pasuria thjesht ndërron duar, dhe kur njëra palë apo tjetra vuan, e gjithë njësia vuan në total, besimi në 'progres' dobësohet e rrjedhimisht tregu e institucione lëngojnë.
Shqipëria (për mua) është në krizë besimi më shumë e jo vetëm në krizë ekonomike (politike). Të dyja përforcojnë njëra-tjetrën, pasi 'besimi' është komponenti më kryesor i funksionimit të rregullt të tregut, të çdo ekonomie tregu. Në botën perëndimore ajo fe laike që ka përmbushur dhe konkurruar fetë e tjera ka qënë 'tregu' - progresi (nëse ka një gjë të tillë?) është i mundshëm nëse ia lëmë në dorë këtij mekanizmi të bëjë punën e vet. Dhe për të qënë të saktë ky mekanizëm arriti për shumicën e njerzve një mirëqënie më të lartë 'materialiste,' pavarësisht faktit që nga ana sociale, shoqërore e mjedisore ka sjellë shumë probleme. Por tregu ka qënë bazuar mbi institucione funksionale, efikase dhe të besueshme. Këto institucione në Shqipëri janë zaptuar nga një 'klasë fetaro-politike' taksat/qeratë e së cilës e kanë penguar dhe lidhur tregun e lirë me zinxhirë.
Çfarë taksash/qeraje
Një sipërmarrës ka dëshirë të hapë një fabrikë apo punishte dhe i duhet të bisedojë më zv. ministra e ministra sepse ata i dinë gjërat, për një shumë të caktuar. "Janë shumë," thotë sipërmarrësi, "nuk ia vlen!" "Mos argumento, por pago!" (në frymën e Kantit) thonë ata që 'e dinë.' Ajo është taksë mbi biznesin.
Dikush shkon në spital për një lindje, vdekje apo ndonjë hall tjetër. Për një shumë të caktuar halli të zgjidhet (ose edhe jo, por çfarë rëndësie ka kur qeraja pagohet njëlloj?). "Mos argumento, por pago!" thotë ai që 'e di.' Ajo është taksë mbi konsumatorin - mbi popullin më mirë të themi sepse paguan dyfish, edhe për fondet e mirëmbajtjes së shëndetit edhe kur konsumon një servis.
Dikush tjetër është duke shkuar nga një qytet në tjetrin me makinën e vet për punën apo hallin e vet. Çdo 15 km kontroll (a thua jemi gjëndje lufte)! "Gjobë," thotë polici, "sepse ishe shpejt" (apo nuk ke filan dokument). Dhe "Mos kundërshto, por pago!" Ajo është taksë mbi popullin!
Dikush tjetër shkon në bashkinë e lagjes për një problem. I duhet të presë (taksë gjithashtu) për personin që i 'di' gjërat në të vërtetë. Një leje shtëpie, një dokument familjar etj., motoja është  "Mos argumento, por pago!"
Dikush tjetër dërgon fëmijët në shkollë - ke mësuar apo nuk ke mësuar nuk ka rëndësi, mjafton të takosh atë që i 'di' gjërat dhe problemi zgjidhet. "Mos argumento, por pago!" Ajo është taksë mbi popullin.
Dikush tjetër shkon për të marrë një vend pune ... "Mos argumento, por pago!"
Të gjitha këto të mësipërmet, e shumë të tjera, janë ato që në gjuhën e ekonomistëve quhen kosto transaksionesh (kosto të veprimtarisë së shitblerjes). Janë këto që deformojnë strukturën e ekonomisë nga ata që 'i dinë' gjërat dhe që udhëheqin drejt 'progresit.' Motoja e tregut të lirë është që çdo transaksion kryhet nëpërmjet një kontrate, ku dy persona hyjnë në të të lirë. Drejt progresit, nëpërmjet tregut të lirë, shqiptari po shkon nën pranga. Taksat e mësipërme nuk janë gjë tjetër por pranga për atë që nuk është i lirë. Dhe shqiptari ka të drejtë kur bërtet për liri e drejtësi - si një skllav i vërtetë sepse vetëm ai kërkon liri e drejtësi (nëse e di se çfarë është, natyrisht) - sepse këto koste të transaksionit e kanë zhytur deri në grykë e i kanë marrë frymën.
Po pastaj?
Nuk jemi as të parët e as të fundit që ndeshemi me probleme të tilla por një pyetje shtrohet: Si i bëhet? 'Pozita' nuk është gjë tjetër veçse celësi magjik për 'një qira' të majme. Nuk është çudi kur dëgjon kandidatët të bërtasin e ulërasin 'pallavra' gjatë zgjedhjeve. Prifto-politikani që bërtet më shumë ka shanset më të larta për bekimin nga perëndia për të 'ditur' më shumë dhe pasur 'çelësin' për tek e 'vërteta.'
Si i bëhet? Prifto-politikani që premton e manipulon më shumë ka shanset më të mira për të marrë bekimin e popullit, që ky i fundit të vazhdojë të jetë nën pranga, të vazhdojë të thotë "rri se jemi mirë!" - të vazhdojë me dorën në xhep në tregun e lirë shqiptar.
Si i bëhet? Konkurrenca i zgjidh kollaj gjërat sepse, sipas të lashtëve (Pythagoreans), ai që fiton në garë është më i miri dhe meriton titullin e më të mirit. Këtij titulli i shtohet automatikisht nga ungjilli titulli 'më i dituri,' i jepet edhe bekimi, dhe prifto-politikani laik bëhet i denjë e i autorizuar të udhëheqi drejt progresit.
Kë të zgjedhësh? të gjithë janë njëlloj!
Aristoteli thotë se 'udhëheqësi' dhe 'ata që udhëhiqen' janë një (në një lloj sensi); populli do thoshte 'sipas kokës edhe festeja.' Ndryshe mund të jetë, 'si ata që zgjidhen edhe ata që zgjedhin janë një.' Në kohën moderne këta të fundit kanë shumë në dorë, si kë të zgjedhin ashtu edhe kërkesën e llogarisë. Një votë nuk e sjell ndryshimin, të gjitha PO. Një dru nuk e bën një pyll apo një dallandyshe nuk e sjell pranverën. Por nëse të gjithë ia lënë në dorë "shansit" të vendosë dhe vazhdojnë rutinën e përditshme "se këtu nuk bëhet," natyrisht që edhe rezultati do jetë i tillë, po i njëjtë. Ata që vendosin, vendosin edhe për ju që nuk vendosni. Pyetja, si gjithmonë, është: Kë të zgjedh?
Zgjidh një tjetër, atë që 'nuk di' por është i aftë dhe dëshiruar të mësojë e dëgjojë. A ekziston dikush që ka thënë (dhe thotë) se "'nuk e di' por eja ta diskutojmë"? Ai/ajo që "nuk di" qëndron më lartë, në terma relative, sesa ai 'prifto-politikani' që i di gjërat. Ai që thotë unë (pra partia jonë) e di - e di veda - është i destinuar të dështojë dhe mbajë nën pranga ata që kujtojnë se janë 'të lirë.' Dhe nëse një gjë dihet me të vërtetë, është fakti që politika duhet lënë jashtë duarve të atyre që 'i dinë gjërat.'  
Ç'do të thotë ndryshim?
Kur klasa e re e prifto-politikanëve laikë erdhi në pushtet ata premtuan, dhe populli gjithashtu kërkoi, 'ndryshime.'  Si mund të bëjë ndryshim dikush që udhëheq, dhe populli gjithashtu të presi ndryshime, kur të njëjtat gjëra thuhen e bëhen përditë? E njëjta gjuhë e bastarduar përdoret përditë! Si mund të ketë ndryshim kur rutina e përditshme është po ajo, ditë mbas dite, për të gjithë? Ndryshimi kërkon një gjuhë të re, koncepte të reja, promovues të rinj, ide dhe praktika të reja - një lloj revolucioni - por që të gjitha këto duhet të gjejnë aplikim në mjedisin shqiptar. Ndryshimi kërkon besim! por edhe reflektim e kritikë.
Ta themi ndryshe, dikush mund t'i bëjë një pyetje vetes, "çfarë bëra sot ndryshe nga herët e tjera?" Nëse përgjigja është "asgjë," atëherë "asgjë" nuk duhet ndryshuar. Çdo gjë është mirë. Të gjithë flasin se janë të pakënaqur dhe duan që gjërat të ndryshojnë, por askush nuk është i gatshëm të ndryshojë sikur edhe një gjë të vogël në 'rutinën' e vet të përditshme. Në përgjithësi flitet se ka varfëri, tregohen me gisht lagjet e varfëra apo njerëzit të cilët marrin ushqime me tollona apo shënojnë emrin nëpër lista. Por prapë askush nuk është i gatshëm të bëjë një punë vullnetare tek ajo lagja e varfër, të ndihmojë dikë sesi të gjejë punë (dhe jo thjesht të çojë një pjatë supë sepse zgjat situatën), t'i japë forcë e shpresë dikujt se jeta ia vlen të jetohet, dhe udhëzojë dikë se duhet të ketë shpresë e besim - besim tek vetja dhe komshiu e komuniteti. (Për të dalë pak jashtë teme, shkollat dhe universitetet duhet të jenë të parat të vendosin 'vullnetarizmin,' bizneset gjithashtu.)
Shumë flitet për të tjerë si në media dhe në diskutime private dhe kjo është shenjë e mirë sepse tregon që në një lloj forme dikush 'kujdeset.' Por a është kjo forma e përkujdesjes? Mendoj që jo! Madje do shtoja që është hipokrite. Hipokrizia qëndron në atë që gishti për çdo gjë i vihet 'shtetit.' Pallate e zona publike që janë të papastruara shihen gjithandej - por fajin e ka shteti! Plehra të ndryshme hidhen nëpër plazhe e zona bregdetare - fajin e ka shteti! Shpresa ka 'humbur,' besimi tek njëri-tjetri, apo tek shoqëria (meqë jetojmë në shoqëri), është jo-ekzistent; për ndihmë të mirëfilltë apo punë vullnetare në njësi pallati (shkalle) apo lagje e institucione nuk bëhet fjalë. Por guximin injorant e kemi të themi "fajin na e ka shteti!" "S'ka ligj," thotë skeptiku; "nuk ka shtet" thotë pagani - "kush e ka fajin?" pyet dikush tjetër. "Shteti," përgjigjen budallenjtë. E përkëthyer në shqip, "nuk ka shtet" sepse "e ka fajin shteti."     
Ndryshimi fillon në vetvete dhe në familje, në shkallë e komunitet, dhe siç i thonë shprehjes, "asnjë lëvizje nuk fillon me arsyetime por me besim." Me besim zhduken dhe të pa'udhët.

No comments:

Post a Comment