Saturday, November 16, 2013

Armet kimike dhe rritja ekonomike

Një dialog mbi armët kimike

A: Po të sjellim armët kimike në Shqipëri ne marrim pikë nga komuniteti perëndimor pjesë e të cilit po luftojmë të bëhemi prej kaq kohësh.

B: Armët kimike janë shumë të rrezikshme për jetën e gjallë dhe tokën në përgjithësi dhe ne nuk kemi asnjë kapacitet të ndërmarrim operacione të këtij lloji.

A: Shumë e vërtetë kjo që thua - por përsëri unë mendoj që po të dalim “ballëhapur” ne më shumë do përfitojmë nga kjo ndërmarrje.

B: “Ballëhapur” ndenjëm për 5 dekada dhe me “kokën lart” dhe ajo çfarë morëm nuk ishte përfitim por rrënosje. Prandaj te lutem shumë mos përdor më fjalë të këtilla. Madje mendoj që kjo fjalë duhet hequr nga fjalori shqip pavarësisht se rrezikojmë shumë me gjuhën shqipe.

C: Nëse me lejohet të them një fjalë, do të doja edhe unë të jepja mendimin tim. Mendoj që pozicionimi juaj është ekstrem. Unë preferoj qëndrimin e mesëm. Ne kemi shumë nevojë për fonde pa të cilat nuk ka rritje ekonomike. Rritja ekonomike na hap vende pune dhe ul gjithë këto qëndrime negative të shoqërisë. Po sikur t’i merrnim armët dhe të merrnim shume shumë fonde me to? Dhe garancira natyrisht?

B: Djalë I mbarë! Më dëgjo me kujdes. “Çfarë nuk mund të bëhet, nuk bëhet” thotë një shprehje e popullit. Është e kotë ta kthejmë sa majtas edhe djathtas.

C: Mirëqënia që na është premtuar vjen me rritje ekonomike; rritja ekonomike nuk vjen pa investime; investimet ekziston mundësia t’i marrim bashkë me armët kimike. “Nuk ka të mirë pa të keqe,” thotë një shprehje tjetër.

A: Dhe ne fitojmë pikë me komunitetin perëndimor të cilët gjtihmonë i kemi pasur përkrah në nevojë. Përndryshe nuk është fillim I mbarë ky. 

B: Ne nuk kemi infrastrukturë për të ndërmarrë të tilla gjëra - 16 ton që kishim janë në një gjëndjë të mjerueshme dhe çdo ditë ekziston mundësia e kontaminimit. Norvegjia, po e përsëris, nuk i pranoi. E dini pse? Nuk kishin akoma në vend “infrastrukturën ligjore dhe kapacitetin” për shpërbërjen e 1000 tonëve, të cilat kur shkatërrohen do kthehen në mijëra më shumë tonelata kimike.

C: Ne duhet të pranojmë faktin qe jemi shumë më të avancuar ne ligje se vëndet më të zhvilluara - ia kemi për ‘falemners’ Europës ligjet më të përparuara në bote. Por siç e dini fonde ne nuk kemi nga t’i marrim. Gjithmonë fonde kemi pritur dhe nuk është se punojmë që të presim fonde nga burime të tjera (nga puna jonë, p.sh.). Mendoj është rast për tu gllabëruar, pasi ‘zogu njëherë vjen në dorë.’

Zotërinj! Partnerit strategjik nuk i thuhet JO. Sepse na ngel ‘topi në fushën tonë.’ Në kapitalizëm çdo gjë e ka një çmim. Ne japim çmimin tonë dhe ia lëmë atyreve ‘lëvizjen.’ Dhe ne dalim faqebardhë dhe ‘ballëlartë’ - më fal që e përdora prapë këtë fjalë por nuk rrija dot pa e përmendur.

Termat e kontratës i vendosim vete duke marrë sigurinë dhe garancinë e organizatave si BB dhe FMN për fondet që do të jepen në shkëmbim. Mund të kërkojmë gjithashtu mbështetje nga vëndet më të përparuara për 1 shekull (deri në 3 shekuj) për mirëmbajtjen dhe zbërthimin e tyre; qeranë e tokës ku këto do të shpërbëhen me një çmim që është për ne fitimprurës; 10% të të ardhurave Siriane të PBB në vit që do të shkojnë drejt shëndetësisë sonë (me garanci nga BB dhe FMN); $5,000 për çdo shtëpi çdo 10 vjet; të zëvendësohen të ardhurat që sjell turizmi (pasi do të ketë ulje në sektorin turistik) të indeksuara me inflacionin dhe një fond i veçatë të ngrihet për zhvillimin turistik shqiptar (të hedhin aty falas edhe reklama për Shqipërinë në CNN sa herë që duam ne); çdo rrjedhje apo pasiguri të garantohet me fondet e këtyre vëndeve - edhe njëherë çdo gjë e tillë vetëm me garanci! - me një fjalë të ngrihet një fond i veçantë ku të vendosen këto fonde me akses të menjëhershëm nga qeveria; çdo nevojë si në teknologji, fuqi punëtore, shkencëtarë etj. të akordohet nga ata; trajnim i shkencëtarëve shqiptar të kryhet falas; të hapet një degë universiteti me fondet e tyre me specialistë për kësilloj armësh dhe teknologji ushtarake - pa afat kohor; një fond i veçantë prej $2,000,000,000/vit në teknologji ushtarake për 99 vjet; një vend I përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Shqipërinë dhe fuqia e Vetos; dhe pika të tjera kontraktuale që do të zbatohen sipas garancive dhe premtimeve ... Termat e kontratës të jenë të aksesueshme - të lihet 10 muaj afat për tu ballafaquar me termat - nga populli përpara se të votojnë në referendum për PO apo JO.

Fshati shqiptar dhe shoqëria civile

Një qëndrim i shoqërisë civile në Shqipëri ndaj ardhjes së mbetjeve toksike Siriane ka qënë një JO e fortë. Nga ana tjetër është përfolur se qëndrimi i qeverisë, një qëndrim i heshtur mund të themi deri tashmë, ka qënë “pse jo.”

Me shoqëri civile nuk kam parasysh vetëm atë që ndodhet në Shqipëri por edhe gjithë Shqiptarët kudo që ndodhen. Në të vërtetë (për mua) është hera e parë që shoh një ngritje të tillë mbarëshoqërore të të gjithë shqiptarëve. Është, me të vërtetë, për tu lavdëruar. Nga ana tjetër një mësim duhet nxjerrë. Deri tashmë kam qënë kritik ndaj papërgjegjshmërisë së diasporës shqiptare ndaj zhvillimit ekonomik dhe social të Shqipërisë. Shqipëria është përdorur si një fshat ekzotik (kam thënë në disa shkrime të miat). Me një fjalë, “rrimë jashtë, punojmë dhe mbledhim fonde dhe i prishim individualisht në një ekonomi konsumi.” Pra, asnjë lidhje interesash në të vërtetë me ekonominë dhe shoqërinë në termat makro. 


Tashmë vjen momenti që ekziston një interes mbarëkombëtar - është virgjëria e tokës, ajrit dhe ujit dhe mirëqënia e njerzve që  janë lënë mbrapsht. Ndotja e tyre do të prekte drejtpërsëdrejti dhe fundamentalisht interesat e gjithë diasporës - fshati i bukur shqiptar nuk do të ishte më ai që priste dhe përcillte krahëhapur diasporën. Ushqimi biologjik mbase do te zhdukesh bashkë me drekat e darkat; uji i pastër i detit dhe liqenit nuk do sillte atë komfort të mëparshëm etj. Për ta mbyllur, ky është një hap në drejtimin e duhur veçse nuk duhet lënë aty.  

No comments:

Post a Comment