Friday, January 10, 2014

Contra Lubonjës

Për këtë shkrim jam bazuar në një intervistë të F. Lubonjës publikuar nga gazeta MAPO “Serbet e shqiptaret duhet te pastrojne historine e perbashket nga nacionalizmi” në një debat me R. Qosen per politikat dhe historitë shqiptare dhe sërbe.

Ka një problem mendoj me mënyrën sesi dialogu zhvillohet nga të dy figurat. Të dy janë prezantues të një zhvillimi të caktuar - njëri nën diktaturën Enveriste dhe tjetri nën regjimin yugo-serb - dhe secili “mbron” anën tjetër pa jetuar dhe kaluar eksperiencat përkatëse. Ky pozicionim më kujton filozofin francez (gjithashtu mik i gjithë botës) Sartre i cili nga kolltuqet e rehatshme të Francës mbronte komunizmin Stalinist pa jetuar asnjë ditë nën atë regjim. Nga ana tjetër e kanalit, në Britani, një group tjetër ndërmjet të cilëve ishte dhe Bertrand Russell, përdorte metoden e njohur në psikologji të “përzgjatjes” së revolucionit (që mos të fillonte). Metodë e përdorur mijëra vjet më parë nga gjenerali i shkëlqyer, Scipio Africanus, që mundi Hannibal-in. 

Problemi tjetër është me atë që quhet miksim, ngatërresë - ngatërrimi i një diçkaje, x, me funksionin e një diçkaje tjetër, f(x). Lubonja ngatërron Kanunin, x, me prapambetjen e Shqipërisë, f(x). Ai flet për Derridën dhe Foucault por nuk flet për Françën dhe ‘frymën nacionaliste’ franceze; flet për Hobsbawm dhe Anderson por jo për ‘frymën nacionaliste’ britanike; flet për Nietzsche por jo për Gjermaninë. Me një fjalë bota ka pasur dhe do të ketë mendimtarë (x) që duken si të shkëputur nga rrethanat ku ata jetonin, f(x). Dhe për më tepër këta që Lubonja përmend janë ata që, sipas tij, prezantojnë të vërtetën objektive të zhveshur. Duke i parë gjërat objektivisht është e mundur të zbulosh problemet dhe japësh, siç bën Lubonja, rekomandime. Lubonja harron të pyesë: kush i sheh gjërat objektivisht? Duke eleminuar subjektin Lubonja harron se eleminon objektivitetin. Ose e thënë filozofikisht: nësë unë nuk jam asgjë nuk është

Nuk do të thotë që dikush merr për kornizë reference (frame of reference) këta përsona dhe prandaj ajo që ai thotë dhe argumenton është më e vërtetë se dikush tjetër që merr një kornizë tjetër; është thjesht argument kunder argumenti, si Sofistët e mëdhenj e kuptuan mijëra vjet më parë. Dhe kush ‘fiton’ është thjesht mbështetja që ai/ajo ka për momentin nga ideologjia - apo e thënë ndryshe, nga miti i frymës së asaj kohe. Ashtu sikur unë kur lexoj histori, shoh që serbët argumentuan që shqiptarët ishin ‘njerëz me bisht’ dhe do t’i zhvillonin, sillnin në qytetrim - njëlloj si Britania, Franca etj., bënë dhe argumentuan me kolonitë Afrikane. Një ministër serb përsëri bëri të njëjtin argument disa ditë më parë, d.m.th., “shqiptarët nuk janë njerëz” - ngelet të deduktoj që janë shtazë. Argumenti i tyre përkonte me ideologjinë - mitin - e asaj kohe dhe me ata që merrnin vendime për të tjerët. Siç na tregon historia, kur ideologjija ndryshon, ndryshojnë edhe të tjerat me radhë. Asnjë nuk e beson ministrin serb sepse argumenti i tij është i pabazë në frymën e sotshme. 

Kur unë si studiues zgjedh një fakt, sipas përkufizimit eleminoj çdo fakt tjetër të mundshëm. Zgjedhja e faktit ka të bëjë me predispozitën time si njeri - Ose e thënë në frymën shqiptare: përpara se të bëhesha studiues (mendimtar), kam qënë njeri (ne shqip: përpara se të ishin shqiptarët mysliman apo kristianë ishin shqiptarë, d.m.th., paganë.). Kur si shkencëtar zgjedh një metodë përsëri eleminoj metodat e tjera. Ashtu siç ka pasur shumë mendimtarë, ashtu ka pasur dhe shumë metoda (sipas preferencave dhe bindjeve) prandaj dhe Feyerabend shkruan “Kundër Metodës” - shkenca dhe shkencëtarët janë kthyer në diktatorë sepse ‘kjo metodë është më e mirë se ajo.”

Çfarë është revoltuese për mua është fakti që çfarë ka ndodhur më përpara, rritja dhe ardhja e shtetit nacional në skenë, studiohet nga historianë - d.m.th., është e shkuar; çfarë ndodh tani është më e rrezikshme se ajo që ndodhi më përpara dhe ne mund ta de-konstruktojmë duke përdorur ata miqtë e botës dhe mundemi që ta ndreqim. Një linearitet të tillë teoricizmi dhe vetë Anderson (dhe më tepër Nietzsche) nuk e pranon nga Marksistët (Passages from Antiquity). Për më tepër politika (dhe jeta shoqërore) është prakticitet jo teoricizm. Zhvillimet sociale nuk janë lineare dhe në kushte të tilla, pra jo-lineariteti, funksioni i diçkaje, f(x), bëhet diçka tjetër nga x, nuk është e njëjta gjë. Ky intervenim linear është pasojë jo vetëm e “intelektualizmit” socialist por edhe atij kapitalist.

Për ta mbyllur me mitin: është një ushqim për njerzit (“njeriu nuk jeton vetëm me bukë”). Por nga ndryshon miti nga ideologjija? Janë dhe po zhvendosen gjithmonë e më pranë njëra tjetrës saqë është e pamundur tashmë t’i de-konstruktosh dhe kuptosh kush është kush. Shih gazetat shqiptare me ideologjitë që propagandojnë - natyrisht ndryshimi me atëherë është se tani ka shumë ideologji (mite) të ndryshme. Kush drejton varet nga kush vendos (për momentin).

Ideologët dhe mitistët nuk ndryshojnë nga njëri tjetri veçse në kohë; çdo popull që sot ekziston e ka pasur një mit; komunistët nuk ishin ndryshe nga kapitalistët në ngritjen e miteve. Të argumentosh se ata ngritën mite të paqëna, është të mos thuash gjë ose një tautologji. Çdo mit ka nevojë për qëndrën e vet nga ku të shpërndahet në mënyrë të njëtrajtshme. Me qëndër unë kuptoj një institucion, Homeri që recitohesh në Lojrat Olimpike në Greqinë e lashtë, apo shtetin modern (përfshirë dhe atë komunist). Miti i Skënderbeut p.sh., nuk u ngrit në shekullin e XIX apo nga komunistët (siç edhe lexoj andej këndej); historianë dhe filologë, ndërmjet tyre, Kroatë, Italianë etj., kishin shekuj që kishin shkruar për të epikë dhe histori (që ka qënë e njëjta gjë); populli me legjendat e veta e heroizoi (siç e meritonte në sytë e popullit) - janë proçese dhe jo linearizma - siç edhe popujt bëjnë dhe kanë bërë gjithandej në çdo kohë. Populli nuk gënjehet për një kohë të gjatë (thotë një shprehje) dhe komunizmi thjesht gjeti një terren pjellor. 


Që të qartësoj pozicionin tim: edhe unë do desha të “pastrohesh” historia por fshesën kush do ta mbaj? Do të doja të isha si Sokrati ‘qytetar i botës’ por cilën kushtetutë do të zgjidhja për mbrojtjen time nuk mund ta them, nuk e di; Sokrati vetë në fund zgjodhi t’i nënshtrohesh ligjeve të qytetit të tij, sepse ashtu e kishin lënë të parët. Në mungesë të kësaj do të zgjidhja “Europianin e Mirë” të Nietzsche por kur Europiani vrau Zotin - për të perifrazuar të madhin në një dialog ku i thotë dialoguesit: “unë dhe ti e vrava” - dhe nuk ngeli më Europë do të zgjidhja (bashkë me Prof. Qosen, nëse është dakort) Cicero kur thotë se “këtu janë të parët e mi dhe nuk mund ta shpreh lumturinë që gjej këtu.”

No comments:

Post a Comment