Thursday, April 24, 2014

“Komenti juaj po pret moderimin nga stafi” - dhe Ndarja e Re Administrative

Pasi lexova këtë artikullin (http://www.panorama.com.al/2014/04/23/nje-shtrirje-kohore-per-perfshirje/) në gazetën Panorama vendosa të shkruaja një koment të shkurtër i cili ishte përgjatë këtyre linjave:

“Reforma territoriale, një teme kaq shumë e trajtuar për rëndësinë e saj, është tashme shume e nevojshme për Shqipërinë. Por krahasimi me Francën nuk është i saktë; Franca është shtet i maturuar dhe mund të bëjë big-bang sa herë e sheh të arsyeshme – big-bangu që bën Shqipëria (p.sh., 1990-1; 1997) është destruktiv, potencialisht dhe aktualisht.
Ajo çfarë nuk flitet dhe nuk është llogaritur janë kostot – cilat do jenë kostot e kësaj reforme. Çfarë dhe sa do t’i kushtojë njeriut mesatar shqiptar ky ndryshim? Franca ka kapacitet njerëzor (material), burokraci shëmbullore etj., Shqipëria vuan tmerrësisht për (dhe nga mospasja e) këta faktorë. Ndarja e re ka potencial të krijojë 4 (apo x) pashallëqe të reja. Dhe zgjedhja e kryetarëve nga masat prapë nuk e rregullon problemin sepse favorizohen zonat e mëdhaja.”

Më vonë hyra në portalin e shtetiweb (http://www.shtetiweb.org/13264-2/) për të lexuar më shumë dhe për tu qartësuar me problemet dhe zgjidhjet që i jepen përkatësisht problemeve. Çfarë është shqetësuese për mua qëndron në faktin që një punë që konsiderohet profesionale nuk është aspak e tillë. Kur profesionistët e qëndrës shkruajnë dhe mendojnë përgjatë këtyre linjave (shih më poshtë), çfarë mund të presim nga ata të njësive bashkiake apo të komunave?

Çfarë pritet nga specialisti dhe sitet shtetërore

  • Shqipja ka 36 gërma, ndërmjet tyre edhe gërma “ë.” Në këtë projekt profesional herë e gjej gërmën “ë” dhe herë jo. E njëjta gjë ndodh edhe me gërmën “ç.” Nëse kjo i lejohet gazetarisë, dokumenteve zyrtare – portaleve gjithashtu - nuk duhet t’u lejohet. Aq më tepër dokumente të shkruajtura nga specialistë dhe profesionistë.
  • Fjalët e huaja të përkëthehen
  • Çdo document zyrtar (prezantime, dokumente ne format pdf etj.) duhet të kalojë (a) gjuhën edhe (b) tavolinën e dikujt tjetër që punon me degën filozofike të LLogjikës. Personi në fjalë do sigurojë që arsyetimet kanë konsistencë dhe mbështesin një argument – ky argument ka nevojë  për evidencë. Gjithashtu, personi do sigurojë që kundër-argumenti të jetë present sepse na paraqiten vetëm ajo çfarë do përfitohet; çfarë janë kostot nuk na paraqiten. Ose më mirë, kostot janë 0 (zero) për ata që kanë paraqitur projektin, prandaj dhe çfarëdo mase të merret është më mirë!
  • Kur informacioni renditet sipas pikave ato duhet të bëjnë sens. Një pikë mund të ketë edhe nënpika dhe në këtë rast, nënpikat mbështesin pikën kryesore.
  • Tabelat dhe shtyllat ku paraqiten të dhënat duhet të jenë të dukshme dhe (përsëri) të bëjnë sens.

E thënë shkurt, argumentet e këtyre specialistëve janë një grup fjalësh (po themi!) shqipe, tek - tuk me gërmën “ë” dhe “e” që zëvendësojnë njëra tjetrën dhe tek – tuk me “c” dhe “ç” që përzihen, që nuk kanë strukturën e një argumenti. Arsyetimet duhet të kalojnë testin e konsistencës dhe mbështeten me evidencë. Kostot duhet paraqiten ashtu siç paraqiten përfitimet. Dhe këta specialistë duhet të tregojnë që kostot janë më të ulëta sesa përfitimet. Dhe për ta përfunduar, ndryshimet administrative janë projekte politike, dhe jo a-politike. Në fund parlamenti do japë vendimin, dhe me aq sa dimë parlamenti është organ politik, pjesë e shtetit modern.