Saturday, March 26, 2016

Parku i liqenit dhe lisharësi mesdhetar

 
Nuk jam shumë në dijeni të problemit të parkut për fëmijë që po ngrihet tek liqeni; gjithashtu nuk jam i mirë-informuar për protestat kundra ngritjes se tij nga ana e ‘shoqërisë civile.’ Ajo që dua të flas ka të bëjë më konceptualizimin e gabuar në përgjithësi të këtij projekti nga ana e politikbërësve. Në një foto që pashë në gazetat shqiptare vura re një meshë hekuri gati për tu betonizuar; një pamje e njohur dhe e nevertishme.
Ofroj një pikëpamje si sinteze te parqeve që e kam vënë re gjatë qëndrimit tim në vënde të ndryshme të botës.
*          *          *
Në një park natyror buzë lumit të Saale-s (Gjermani) ka disa kënde lodrash për fëmijë. Kur i kam parë për herë të parë u çudita paksa pasi nga eksperienca në vënde të tilla si Itali apo Greqi një diçka të tillë nuk e kisha parë. Këndet janë të integruara me natyrën; ndërtimet me beton nuk ekzistojnë (apo shumë shumë pak) dhe toka ose është lënë në formën e saj natyrore ose mbuluar me eshkë druri apo rërë. Çudia më e madhe për mua ishte mungesa e asaj që ne quajmë lisharës (kolovançe në disa zona të tjera nëse jam korrekt). Me djalin e vogël, për herën e parë, i erdha rrotull një këndi për të gjetur atë gjë të përbashkët në zonën tonë të mrekullueshme të Mesdheut – lisharësin. Doja të vazhdoja në gjurmët e prindërve – çfarë mësohet në vogëli është e vështirë ta ndryshosh më vonë. Ndryshimi vjen nga konditat, njeriun është e vështirë ta ndryshosh. 
*          *          *
Çdo shoqëri i kushton vëmëndje të veçantë rritjes së fëmijëve; të lashtët në ngritjen dhe kodifikimin e kushtetutave këtë e kishin prioritet. Fëmijët do të ishte brezi i ardhshëm që do merrnin gjërat në dorë dhe qeverisnin në një të ardhme të afërt. Një edukim korrekt nuk është nevojë, është domosdoshmëri. Ekziston një shprehje në Amerikë – një New York-er lind me diplomë. Pse? Sepse edukohet që në fëmijëri me edukatën  (demokrato-) kapitaliste. E njëjta gjë mund të thuhet për një fëmijë gjerman. Që në vogëli ai/ajo nuk llastohet dhe përkundet në lishars – lisharsi të rrit dembel. Presupozon që dikush tjetër është aty dhe të përkund, edhe kurr rritesh. Piktura është e thjeshtë: në këndet në Shqipëri rreshtohen prindërit tek lisharësat dhe tundin fëmijët, sa para, sa mbrapa. Fëmijët flenë; po ndaloi dikush dëgjon britma. Shokuese! Eksperiencën italiane dhe greke tashmë e dimë mirë. 40 dhe 50-vjeçarët vazhdojnë të rrinë me prindërit. Mama dhe Manoula janë gjithmonë aty për gatimet, pastrimet, larjet dhe hekurosjet. Shumë të rinj në Shqipëri që kanë blerë shtëpite e tyre te cilen e ndajnë me mamanë (pastruesen).

Mamatë shqiptare janë në të njëjtën drejtim. Në këndet e fëmijëve në Shqipëri fëmijët dhe prindërit janë për paradë mode duke harruar faktin e thjeshtë se fëmijët duan të dalin për të luajtur, për tu bërë pis dhe zhytur në baltë. Kur bie shi në Shqipëri çdo gjë ndalon, “po bie shi” thuhet. Për gjermanin nuk ka kohë të keqe, por rroba të papërshtatshme. Në Shqipëri përpara se të dalë fëmija jashtë të luajë, krehet, krekoset, i vihet shalli dhe kapelja e bërë dhe e qëndisur nga gjyshja me kujdes. Këpucët e llustruara dhe pantallonat e hekurosura nuk mungojnë. Rrobat e shiut mungojnë si për të rriturit dhe fëmijët. Koha më e bukur për fëmijët humbet brënda në shtëpi apo nëpër qëndra tregëtare.
*          *          *
Ndërsa njeriu i thjeshtë mund të gabojë në zgjedhje që bën, politikani që ka ekipe (ose supozohet t’i ketë) nuk duhet të bëjë të njëjtat gabime në konceptualizimin e projekteve. Në këto projekte hidhen hapat e parë; edukimet e para bëhen aty. Nëse tendenca shoqërore është ajo që e dimë mirë, detyra e politikanit (dhe legjisluesit) të zgjuar dhe të matur është ‘të shtyjë lehtë’ dhe me përkëdheli nga drejtimi i duhur. Shqipëria ka shumë pak tokë; abuzimi me hekur e beton në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet. Ka mënyra të tjera për të ndërtuar projekte për fëmijë – është integrimi i këndeve me natyrën. Është ndërtimi me dru ku njeriu e ndjen veten më në paqe me natyrën, dhe lisharësi mundësisht të mos lejohet me ligj. Ose lisharësi i parë le të inagurohet nga politikani dhe të gjithë ata që e ndjekin le ta përkundin si fëmijën e tyre.