Ky artikull u dedikohet “të munguarve” (ose
ata/ato që mungojnë). Kush janë këta dhe
pse janë të rëndësishëm? (Përdor këta për thjeshtësi hulumtimi.) Në lashtësi,
Diagora u qortua nga një person për mosbesim; “Shiko,” i thotë dikush, “këto dedikime
ndaj zotërve. Zotërit ekzistojnë pikërisht sepse bënë të mundur mbijetesën e këtyre
njerzve ndaj fatkeqsive.” I përgjigjet Diagora: “Ke te drejte, por nuk shoh këtu
në mostrën tënde ata që nuk i
mbijetuan fatkeqësive.” Dhe ata që nuk i mbijetuan fatkeqësive janë më të shumë
në numra, mund të shtojmë qartazi.
Vërejtja e mësipërme ka të bëjë me formimin e
besimit të bazuar në një premisë të rremë. Statistika dhe ekonometria paralajmërojnë
përdoruesit për konkluzione të rreme kur ato bazohen në mostra të njëanshme
(biased sample). Ka një dallim mes asaj që
shihet dhe asaj se çfarë është aty - e cila nuk duket sepse mungon! Kancelarja Merkel e falënderoi Ramën për zgjedhjet por ajo
që sheh Merkel është tjetër gjë. Gëzimi i saj, mendoj, ka të bëjë me numrin e
madh të shqiptarve, si ata me dokumente e si ata pa dokumente, që vazhdojnë të
emigrojnë në Gjermani e gjetkë, Erdogani nga ana tjetër, mbas përgëzimit, iu
drejtua besimit mysliman. Secili gëzon interesin e vet.
Le të marrim rastin e votimeve të fundit në
Shqipëri. Disa ia vunë fajin Bashës për gabime, të tjerët përgëzuan Ramën për
fitoren. Dy anë të së njëjtës monedhë. Nëse unë hedh një monedhë, do bjerë ose
kokë ose bisht. Të dyja thuhet të jenë reciprokisht përjashtuese. Vini re
gjithashtu një fakt tjetër: personi që fiton, përgëzohet (apo përgëzon veten), mbas faktit. Mbas faktit gjërat duken të kenë një logjikë lineare dhe përcaktuese. Mbas faktit, njerëzit
thonë, “dihet që do fitonte, sepse …” Efektit i gjendet shkaku me lehtësi.
Për tu kthyer në temë: ata që me probabilitet
të lartë do votonin për Bashën apo dikë tjetër e kanë lënë dhe vazhdojnë ta lënë
vendin – shifrat janë me mijëra. Por këta
nuk janë grupi i vetëm që ne po shqyrtojmë; emigrantët
janë veçse një pjesë e të munguarve.
Në votimet e fundit rreth 45% e shqiptarve
votuan, nga të cilët numri i femrave raportohet të ishte shumë i ulët (rreth 19%).
Në një moment dëshpërimi Kryeminsitri shqiptar u kërkoi emigrantëve të ngrinin
telefonat. Ky veprim është i rëndësishëm për diskutimin tonë; ata që mungojnë ekzistojnë. Atyre mund
tu bëhet thirrje për pjesëmarrje. Ironia është që grupit tjetër të të munguarve nuk iu bë thirrje. Janë emigrantët ata që
mund të mobilizojnë këta të fundit – një fatkeqësi e vërtetë. Thirrja, në të vërtetë,
mund të gjejë aplikim nësë ata që janë në Shqipëri veprojnë, me një fjalë
votojnë mbas thirrjes së emigrantëve. Unë mund t’i them nënës time të votojë,
p.sh., për Ballin, por pa mekanizmin e kërcënimit asnjë nuk e merr seriozisht kërkesën.
Nuk shqetësohem këtu për metodat e votimeve
por me diçka tjetër; që është, në të njëjtën mënyrë si shumica e popullsisë
shqiptare e bën (dhe bëhet nga vendim-marrësit) veten të paparë, pra të munguar,
ashtu dhe ata që marrin vendime për të gjithë, bëjnë politikë për ata që duken
vetëm. Merr p.sh. emigrantët. Jam i sigurtë që shumë nuk duan të ikin dhe të
tjerë që janë jashtë paraqesin dëshira të kthehen. “Por gjërat nuk ndryshojnë”
dëgjoj. Por si do ndryshojnë gjërat kur këta që janë më të prirur për ndryshime
largohen? Dhe jo vetëm largohen por marrin dhe kapitalin njerëzor e financiar
atje ku shkojnë. Një dilemë e vërtetë për vendet në zhvillim. Ata që ngelin
mbrapa janë një pjesë e harruar ose ata që përfitojnë më shumë nga status quo, nga mosndryshimet.
Cfarë është gabim me
institucionet?
Përpara se te fillonin ndryshimet historike në
Kine (1978) i thonë disa këshilltarë liderit kinez, Deng Xiaoping, se kinezët
janë dembela dhe se ai do ta ketë të vështirë me reformat. Ai u tregon kinezët
jashtë vendit (jashtë Kinës) dhe u përgjigjet se problemi nuk ishte tek njerzit
por sistemi dhe institucionet. Mendoj i njëjti fenomen është prezent në Shqipëri.
Institucionet shqiptare (a) injorojnë pjesën
më të madhe të popullsisë, pra ata që në këtë artikull ne i quajmë të munguarit
dhe (b) shfaqin hapur sjellje qeramarrjeje (rent-seeking).
Priftërinjtë e politikës shqiptare përgëzojnë
vetveten për “arritje” ndërkohë që vëndi boshatiset. Boshatisja, për më keq,
merret si “lëvizje e lirë” dhe përgëzohet. Shumë rendisin mungesën e tregut të
punës dhe shëndetësinë në arsyet kryesore të largimit. Shëndetësia, një tjetër
“arritje” e priftërinjve politikanë shqiptarë, vazhdon të jetë në një gjëndje të
mjerueshme. Pyetja që i duhet bërë prifit politik shqiptar është e thjeshtë: Ku
vizitohesh dhe kurohesh ti dhe familja jote zotëri apo zonjë? Për aq kohë sa
priftërinjtë politikanë shqiptarë kurohen e shërohen jashtë apo në spitalet
private në Shqipëri, ata nuk kanë asnjë interes (stake) në zhvillimet e këtij
institucioni. Dhe kostot e shëndetësisë mbahen nga ata të harruar e munguar që
jetojnë jashtë. Kur në 2016 vizitova Komunën e Dragashit (Kosovë), në hyrje të
qytezes ishte shpalosur një parrullë: Mire se vini emigrantë. Në Shqipëri termi
emigrant është denigrues, qoftë nga institucione e qoftë nga njerëzit e biznese
shqiptare. Bizneset e turizmit mbahen pikërisht nga të ardhurat e emigrantëve,
nga ata që më shumë mungojnë.
Në të njëjtën mënyrë si “lëvizja e lirë,” përgëzohet
edhe lëvizja e lirë e produkteve midis vëndeve Ballkanike. Fshatari shqiptar, i
harruar nga të ashtuquajtura institucione shqiptare, ankohet se nuk konkurron
dot me produktet fqinjë. Balanca tregtare e shpalos qartë këtë njëanshmëri. Në
Gusht 2016, ndërsa vizitoja fshatin turistik të Tushemishtit, shoh një plak të
ulur përtokë përballë shtëpisë e pastronte fasule. Kokërr më kokërr i pastronte
dhe i vendoste të thaheshin mbi një pëlhurë tjetër. Pyetjes time mbi bujqësinë,
iu përgjigj në këtë formë: “më shikon si jam ulur dhe pastroj fasulen? Si do
konkurroj unë me maqedonsin apo serbin që kanë mjete të mekanizuara dhe mbështeten
nga insitucionet e tyre përkatëse, si financiarisht si me gjëra të tjera të
nevojshme për këtë punë?” Nuk ka nevojë për ekspertë për të parë sesi është
situata në realitet. Thjesht fol me
fshatarë!
Fshatari, për më keq – kështu shkon argumenti
nga specialistët dhe fetarët politikanë shqiptarë – etiketohet si dembel dhe
jo-besues, ndaj institucioneve dhe atyre që ndërmjetësojnë. Me këtë damkë
etiketohet edhe ai që jeton në qytet por që refuzon të punojë, p.sh., me tarifën
ditore.
Progresisti fetar me njërën dorë u tregon
shqiptarëve lirinë e vendimit e veprimit individual; me dorën tjetër i qorton për
veprimet që marrin. Harron progresisti fetar që individi vepron në një sfond të
caktuar (background); dhe sfondet ndryshojnë nga fshati në fshat. Një shqiptar
që emigron në një vend të zhvilluar është më produktiv atje për shkak të këtij
sfondi. Këto janë mësimet e para elementare në ekonomi.
* * *
Një familje shumë e varfër shqiptare që mundi
të çonte djalin e vogël për kurim në Itali më thanë në një moment të vështirë
se vetë fakti që trajtoheshin si njerëz në spitalet italiane mjaftonte. Ky
humanizëm nuk vjen me incentiva financiare. Për të munguarit dinjiteti dhe
respekti janë dy virtyte që mungojnë krejtësisht nga institucionet e varfra
shqiptare.
Carl von Ossietzky, Fitues i Nobel-it për Paqe
në vitin 1935, refuzoi të linte Gjermaninë naziste sepse “burri flet me një zë
bosh kur largohet nga vëndi i vet.” Shpresoj
se zërat e mijëra të munguarve, si brënda e jashtë vendit, mos të jenë boshe
por të dëgjohen përtej realiteteve të vogla politike.