Monday, October 2, 2023

1: Përshtypjet e mia mbi Tiranën wokiste [1]

Një shoqëri e civilizuar dallohet nga mirësia dhe besimi që anëtaret e saj mbajnë e shprehin ndaj njëri-tjetrit. Kur dikush shkëmbehet në ashensor në Itali, Gjermani apo Amerikë, një sjellje bazike është përshëndetja. Kur kaloj në pallatin e disa miqve të mi në Tiranë, një gjë që vë re është se askush nuk përshëndet. Kur unë angazhoj pastruesen e pallatit apo rojen në diskutim, duket që nuk jam rezident i pallatit (aq më keq, që vij nga jashtë). Kur dal nga Tirana dhe shkoj në një qytet, apo fshat, tjeter dalloj një ndryshim radikal në njerëzillëk (siç i thotë dhe populli). 

Te rrethrrotullimi i Fakultetit ekonomik ndërsa kaloja me makinë (java e parë e fillimit të shkollës) kishin vënë nja 14 policë [dy të tjerë ishin 50m më poshtë tek taksitë dhe gjobisnin). Ideja është që sa më shumë policë të vihen aq më shpejtë do ecë trafiku. Sikur të punonte dhe policija si një fushë shkence apo biznesi dhe të testonte një hipotezë tjetër: me një fjalë, sikur mos të ketë fare policë tek rrotullamja, sa shpejt do ecë trafiku? Kjo është dhe idea fondamentale e rotondës dhe e ekonomisë moderne: duke përcaktuar ligjërisht disa struktura, gjërat ecin pa nevojën e një zoti (apo shtetit). Ndërhyrja e drejtpërdrejtë me medimin për ti rregulluar gjërat, bën të kundërten. Kjo në ekonomi njihet si konsekuenca të paqëllimshme (unintended consequences).

Mbasi kalova pak kohë tek TEGU, thashë të dal e kundroj lagjet moderne në afërsi të tij. Vilat moderne shumë millonëshe jane impresionuese nga larg. Çfarë më shokoi ishte infrastruktura, rrugët dhe kazanët e plerave në gjëndje katastrofe. Një dialog imagjinar do kalonte nëpër linja të tilla:

Veda: O mik, ta gëzosh vilën por a nuk të bezdis rruga copë copë dhe kazanët e plehrave në atë gjëndje të mjerueshme?

Miku: Ç'lidhje kam unë me rrugën e plehrat? Ajo është puna e shtetit. Pse i paguaj taksat unë?


E thënë ndryshe, me dhjetëra e qindra millionerë jetojnë në këto xhepa lagjesh të pasura por rrugët dhe plehrat janë njëlloj si në gjithë Tiranën. “Nuk shpëton dot nga vetvetja,” tha njëri para disa shekujve. Cila është ideja e një komuniteti, o mik?  Sa do kushtonte 1km rrugë dhe parking i shtruar dhe një apo dy vënde të pastra për kazanët e plehrave? [E kam fjalën për organizim të nivelit lokal/komunitar.]


Kur vizitova Vitine (komunë në lindje të Kosovës), një fermer më tregon rrugën e fshatit që ishte shtrurar me fonde të fshatit dhe emigrantëve. Pra kishin krijuar një buxhet të përbashkët, paraqitur projektin dhe kompletuar shumë thjesht e bukur. Në një fshat fqinjë (Skifteraj) ndaloj të pyes dikë që punonte vullnetarisht pranë disa varrezave. Marr vesh që ishte kryeplaku i fshatit; ai punonte në një projekt të përbashkët të fshatit: rrethimin e varrezave me një gardh modest i financuar (e perseris!) nga emigrantët dhe shtëpitë e fshatit. Pyeteje: çfarë kanë ata (kosovarët në shembujt e mëparshem) që këta shqipe nuk e kanë? Çfarë kanë është shumë e thjeshtë për tu parë: sa kalon pikën kufitare të Morinës, nga ana kosovare nuk sheh plehra. Nëse të bie rasti të flesh ndonjë natë  në Prishtinë vihet re dukshëm se dhomat e hoteleve janë të përfunduara. Me një fjalë, ndryshe nga çdo vënd në Shqipërinë turistike, banjot dhe dushet nuk rrjedhin. Parkimet, edhe në qytetin e vjetër, janë të rregullta. Shërbimi dhe kualiteti i ushqimit janë i një niveli (apo bote) tjetër. Por le të kthehemi prapë tek pyetja e mësipërme: Një shprehje që vjen nga një libër thotë: këta shqipet shqiptare nuk kanë skin in the game [2]. Janë aksionere që i kane aksionet e tyre diku tjeter, por jo në Shqipëri. Çdo të thotë kjo shprehje? 

Kohët e fundit pata fatin e mirë të vizitoja një zyrë shteti (Drejtoria e Arsimit); është me të vërtetë “një gjëndje e mjerueshme të shohësh njerëz që punojnë në kushte të tilla,” dëgjoj shpesh. Ky nuk është mendimi im: më e pakta që një person që punon për shtetin mund të bëjë është të pastrojë zyrën e vet. Hapësirat janë të vogla, e vërtetë, dhe disa persona ndajnë një hapësirë shumë të vogël, por varet nga ty sesi ti mban hapësirën tënde. Këta buxhetorë nuk kanë skin in the game: shpërblimet i mbajnë vetë dhe rrezikun e mbajnë të tjerë. Rroga vjen njëlloj çdo muaj. Por imagjino në të njëjtën kohë dhe një person që ka biznesin e vet. Këtij i duhet të luftojë dhëmbë për dhëmbë nga mëngjesi deri në darkë. Nëse ju, të nderuar lexues, do kishit opsionin të uleshit në një restorant dhe keni në tavolinë dy zgjedhje: një restorant me partner privat dhe një që është nën pronësinë e shtetit, cilin do zgjidhnit? Pyetja është retorike sepse përgjigja është e qartë.

 

Disa miq të mi vizitojnë një park natyror këtë verë, i mbrojtur nga UNESCO gjithashtu. Hyrja ishte me pagesë. I mori kapiteni i varkës dhe mbasi i gjesdisi deri në një pikë, u thotë se mund t’i çojë edhe më larg por duhet t’i jepnin lekë të tjera perveç atyre që kishin paguar - bëhet fjalë për lekë në dorë. Shuma nuk ishte ndonjë gjë e madhe (10 euro) dhe ata e pranuan ofertën. Kjo situatë njihet si ekonomi rentiere. Pra personi i punësuar në punë shteti extrakton qera nga blerësit. Benefiti është i tij, plus rrogën e shtetit, por kostot, dhe rreziqet, i mban taksapaguesi. Një situatë e ngjashme me atë të buxhetorëve. Në parqe natyrore në Maqedoni e gjetkë nuk jam ndeshur me fenomene të tilla. Dhe meqë po flasim për Maqedoninë e Kosovë (e vënde të tjera të rajonit në Ballkan) shihni dhe krahasoni dhe terminalet internacionale dhe lokale të autobusëve. Terminali i Asllan Ruçit është të vësh duart në kokë. Është turp të mbajë emër si të Asllan Ruçit. Le të mbajë emrin (do propozoja) e kryetarit të tanishëm të bashkisë, mbase ka ndonjë effekt përmirësimi. 

Gjëndja është e qartë: ekonomia shqiptare është ekstraktuese, ekonomi rentiere (rent-seeking). Të gjithë janë - jemi - pjesë e kësaj skeme: dikush me hir e dikush me pahir. “Tironcit i leh qeni ratë,” dëgjova një mik pastor të më thotë një ditë. Tingëlloi kaq e vërtetë. Tironci propër i lindur në Tiranë mund ta përballojë të jetë wokist, rroga nëpërmjet qirasë apo pune shteti i vjen çdo muaj. Këtë ekstraktim kapitali wokisti Tirons (dhe shqiptar) e investon jashtë Shqipërisë se Shqipëria nuk bëhet. Wokisti tirons ikën me pushime në Dubai apo gjetkë dhe i mburret të ashtuquajtërve ‘miq’ se sa shumë shpenzoi dhe sa mirë ishte andej.


Shiko përreth shtëpisë, o mik lexues, dhe bëj një listë të orendive se nga kanë ardhur, duke përfshirë dhe lugë e pirunj. Lekët që vijnë nga jashtë si remitanca ikin prapë mbrapsht nga kanë ardhur. Ndiq komshinë apo të afërm se ku shkojnë e bëjnë pazar, o mik. Spar, Big Market apo Rosmann lekët kanë të njëjtën cikël: ekstraktohen në Shqipëri (po fus dhe remitancat këtu edhe pse kategori tjetër) dhe ikin jashtë. Shfaqësimi këtë radhë është se po e bën për shëndetin, janë produkte bio që vijnë nga, p.sh., Gjermania. Produktet lokale nuk i fut wokistja në këtë kategori, nuk janë dinjitoze.  


E dukshme qartë (të paktën për mua) është fakti që wokistja (apo wokisti) beson çdo gjë, ide apo ideologji, që kalon tangent nga Shqipëria pa asnjë reflektim. Tha njëri (Sokrati) para disa mijëra vjetëve një jetë pa reflektim nuk ia vlen të jetohet. Eja shih shqiptarin wokist, o mik, sesi jeton dhe bën qejf (sipas përkufizimit t’vet). Kam ndeshur plotë të ashtuquajtur intelektualë që besojnë tek horoskopi dhe bestytni. Kur një individ beson në gjëra të tilla unë nuk kam asnjë problem. Por kur institucione si p.sh. televizioni shqiptar paraqet horoskopin e ditës, ajo është idioteske dhe problematike. Lekët e taksapaguesve përdoren në idiotësira të tilla. Kurse me intelektualin gjithashtu kam problem sepse pyetja, si gjithmonë, është: mijëra euro që janë shpenzuar për edukimin tënd, o wokiste, dhe ti beson në budallallëqe? Me një fjalë, taksapaguesi mban këta wokistë në universitete për të besuar në budallallëqe dhe jo për të zgjidhur probleme.


Wokistja mendon se po të hajë gjethen apo kërcellin e byzylzkut (ose një gjëje tjetër komplet pa lidhje) është e shëndetshme duke mos bërë pyetjen e thjeshtë, “Po dhjetëra/qindra breza para meje, çfarë kanë konsumuar, përfshi prindërit?” Ka shumë gjëra (DNA, p.sh.) që nuk varen nga ty sesi kalohen nga brezi në brez - o woksite - dhe kjo në mënyrën më absolute. Ka një arsye pse zorrët tek majmunët janë 50% më të gjata (dieta në barishte është një nga arsyet kryesore) sesa tek njeriu. Problemi, e përsëris, me këto ideologji wokiste është se janë shumë të shtrenjta për një popull si Shqipëria. Nëse më përpara intelektuali wokist shqiptar blinte firmato dhe shkonte për plazh diku nga jugu (Sarandë, p.sh.), tani ato gjëra janë të aksesueshme/arritshme nga të gjithë. “Si të diferencohem,” pyet wokistja? Shko për pazar tek Tegu apo Rosmann, bli një Maça Latte rrugës, konsultohu me dietologun/psikologun (200-300 euro për konsultë) dhe nda çdo gjë online. Ha qumësht soje me drithëra, dhe ankohu online ose shoqerisë se pse nuk punon dieta.


Një miku im fermer mu ankua një ditë për problemet e shumta që paraqiste jetesa në fshat. “Sa taksa paguan për tokën në vit,” e pyes. Nuk mu përgjigj. “Ose nuk paguan shumë,” i them, “ose nuk paguan fare.” Nuk besoj ka arsye tjetër të mos mbash mend. Fshati kërkon vetëm nga shteti t’i shtrohet rruga, t’i pastrohen kanalet, të mbrohen nga përmbytjete etj. Është e njëjta histori, o mik lexues. Dikush tjetër paguan dhe një tjetër merr shpërblimin. Meqë ra fjala, në një martesë që organizoi disa kohë më vonë, të gjitha pijet, përfshi dhe ujin, dhe birrat ishin marka të huaja. Wokismi ka kapur cdo skutë, sgëq dhe qelizë të kësaj shoqërie.


Një karakteristikë tjetër e wokistit shqiptar është dhe mospasja e trashëgimisë. Tashmë po i kaloj kufinjtë e Tiranës. Një pronar shtëpie në Voskopojë, me një biznes goxha të madh turizmi, i kishte disa nga fëmijët e vet jashtë. Një fëmijë që kishte ngelur merrej me organizata jo-qeveritare. Një tjetër biznesmen në rajonin e Belshit i kishte fëmijët në shkolla në Tiranë (shkenca politike) dhe që të dy ishin në gjëndje të mjerueshme për punëtorë. Një biznesmen dhe investitor rrafshon para 8-9 vjetësh gjithë katin e vet (pallati që përmenda në fillim të artikulit) dhe e transformon sipas gustos së vet. 3-4 vjet kalojnë dhe ai lëviz në zonën e TEG-ut që përmenda më lart, në një nga ato vilat pasi “nuk jetohej më në Tiranë.” Tani do largohet drejt Austrisë apo Zvicrës “sepse do ndjekë fëmijët.” Po e përkthej që ta bëj më të kuptueshme për lexuesin: po marr të gjithë kapitalin dhe po e punësoj në Zvicër sepse “këtu nuk bëhet.” Shih, o mik, studentë shqiptarë që ikin të gjithë jashtë me kapitalin që ekstraktohet në Shqipëri. Këta wokistat e tjerë që ngelin i kërkojnë punë shtetit. Sa kapital është hedhur nga taksapaguesi deri në momentin që këta mbarojnë nuk përfillet fare. Për aq kohë sa të tjerët paguajnë për ty, mos harro që ti ngelesh i parritur (minoren) [3]. Kur ti vazhdon dhe do të punësohesh në shtet, linja është e njëjtë (fatkeqësisht): ti do të ngelesh i parritur. Kjo është mirë për shtetin [për ata që kanë pushtetin] sepse qaramanë duan. Wokisti shqiptar beson se duke punuar në shtet gjërat rregullohen, se shteti i rregullon problemet “O si me magji” siç thotë dhe kënga shqiptare. Shteti e kap lepurin me qerre, thotë një shprehje. Më saktë do ishte: shteti e nxjerr lepurin nga kapelja (si magjistari ne shfaqje).


Dikush mund të përshkruajë trajektoret e atyre bizneseve që thamë më lartë mjaft lehtë dhe trashëgimia që këta prindër lënë është për të ardhur keq. Një pyetje e thjeshtë për këta prindër: si erdhët deri këtu? A keni punuar natë ditë, dhe a keni investuar mish e shpirt në këtë gjë (biznes familjar)? A është pra shpirti i punës, respekti për të dhe dëshira për ta gëzuar familjarisht këtë gjë forca ngarëse për të jetuar mirë? Të gjitha këto virtyte që i japin jetës kuptim nuk transmetohen tek fëmija, por aq më keq shihen si gjëra që nuk ia vlejnë. Çfarë vlen për ty në këtë jetë, o mikeshë wokiste? Nëse familja hodhi dy gurë diku, mirëmbaje e vendos edhe ti një. Kjo quhet trashëgimi.


Por, më të parët në terma të mungesës së trashëgimisë janë buxhetorët dhe intelektualët akademikë. “Si erdhët deri këtu?” nuk mund të aplikohet tek këta sepse duket qartë. Pyetje: çfarë lini mbrapa, o miq? Përgjigje: një zero me xhufkë, karrigen që e zë dikush tjetër mbasi del në pension dhe probleme që ua kanë fajin të tjerët. Thotë një shprehje që dëgjova së fundmi: ku ishim? asgjëkundi. Ku jemi? asgjëkundi. Ku po ikim? asgjëkundi. Wokisti shqiptar është pa shpirt, si një zombie në ata filmat amerikanë. Të gjithë lëvizin njëlloj dhe forca lëvizëse u vjen nga jashtë, nuk kanë asnjë motivim të brëndshëm. Wokisti shqiptar operon në vakum; ata/ato nuk mbajnë mend të shkuarën, ngrenë pafundësisht veten në piedestal pa dhënë asnjë kontribut konkret në komunitetet ku jetojnë, dhe vetëm ankohen për të tjerët. Një mik më ankohet një ditë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe se nuk e fuste vajzën në punë këtu sepse ka shumë injorancë. Vini re që këto/a wokistë jetojnë akoma me mamin dhe babin. Edhe kur janë të martuar, familja (nga të dyja anët, kush më shumë e kush më pak) angazhohet në mënyrë të ethshme deri në ndarje. “Është më mirë vajza me babin!” (apo djali me mamin!) Për fëmijët nuk pyetet apo reflektohet fare. Ajo kënga shqiptare “Të dija të vogël, ti më qënke 40 vjeç,” tani duhet ndryshuar në 60 vjeç! Një intelektual akademik më tregon me kërshëri se vajzat në Shqipëri janë ekselente - bëhesh fjalë në akademi dhe vazhdim post-universitar. “Por djemtë,” më thotë, “janë komplet barbarë.” Nuk e di ku e fuste veten ky intelektuali, e para. E dyta, ato vajzat ekselente janë rritur në familje shqiptare ku ka dhe meshku,j dhe në të njëjtin ambient ku rriten edhe meshkujt shqiptar. Meshkuj dhe femra janë pjesë e pandarë e së njëjtës shoqëri. Në kohën time raporti meshkuj/femra në këndin e ekselencës ishte 50/50 apo 60/40. Kur vizitova një gjimnaz (Kuçovë) para disa kohësh raporti ishte 0/100. Një fenomen shokues që askush nuk e kupton se ç'po ndodh. Por siç tha dhe ai intelektuali akademik, le të ikin jashtë e martohen jashtë se janë ndryshe ata meshkujt andej. Me të vërtetë, një gjendje e dhimbshme e gjërave.


Dhe për ta mbyllur: një kushuri emigrant më  ankohet një ditë se kishte kaluar gjithë natën pa gjumë. “Pse”, e pyes. “Djali luante me Nintendo,” më thotë. “Kush ia bleu?” e pyes. Pauzë nga ana tjetë e telefonit. Në një takim me prindër u ngrit problemi i mediave sociale, sesi ato ishin përgjegjëse të të gjithë problemeve që kanë fëmijët e sotshëm. Për wokistin mjafton dikush apo diçkaje t’i vihet gishti. Kur dy veta që njihen në Facebook ndahen, fajin e ka Facebook-u. Po kur dy veta njihen në një bar dhe qëllon të ndahen më vonë, çfarë ndodh? Shpresoj mos t’ia vënë fajin barit ku u njohën.


[1] Vjen nga termi woke. 

[2] N. N. Taleb. Skin in the Game.

[3]  E adoptoj këtë fjalë (Minor) nga I. Kant në esenë “An answer to the question: What is Enlightenment?”