Wednesday, June 24, 2020

Përgjigje pyetjes: cili është roli i intelektualit në jetën politike (2)

Mbas një lumi komentesh e pyetjesh që më erdhën për paqartësira, shpresoj të hulumtoj më tej këtë temë dhe të qartësoj pikturën. Në pjesën e parë pamë disa probleme me formulinin e pyetjes dhe terminologjinë.

Pyetja jonë tashmë është: nga vjen ndryshimi në një shoqëri?

Pergjigje: jo nga intelektuali. 

Qoftë ai/ajo i vërtetë apo specialist. Atyre u mungon liria (e veprimit dhe mendimit kritik).
Deri tani ndryshmet në Shqipëri gjithmonë kanë qënë (apo kanë ardhur) nga lart-poshtë. Me një fjalë, nga politikani. Besoj nuk ka nevojë këtu për shpjegime pasi historia e Shqipërisë e shpalos këtë qartazi (Kina, Rusia gjithashtu etj). Problemi me politikanin është se ai nuk ka interes afatgjatë (apo të mesëm) në ecjen e gjërave. Pasi kohen e ka të limituar në kolltuk, i duhet të maksimizojë vjeljen e aseteve.

Problemi me intelektualin është se ai paguhet – është pra me rrogë. Kemi një shprehje ne që thotë sazexhiu i bie muzikës që kërkon i zoti i shpisë. E pyet një mbret (Hieron) Simonides, poetin a lashtësisë që shkroi nje elegji për 300 Spartanët e rënë në Thermofilae, nëse është më mirë të jesh i pasur apo i zgjuar. “I pasur,” përgjigjet poeti, “sepse të gjithë të zgjuarit janë në kopshtet e të pasurve.”

Merr klasën e profesorëve. Përse paguhen? sepse edukojnë brezin e ri. Si matet puna që ata kryejnë? E vështirë të thuhet për Shqipërinë, Por në perëndim atyreve u duhet të nxjerrin artikuj kërkimorë, nërmjet të cilëve mund të aplikojnë për fonde etj. etj. Po mësimin kur e kryejnë? Ia lënë në dorë doktorantëve apo asistentëve. Me një fjalë, nëse mendoni se vetëm në Shqipëri ka rënë niveli i edukimit, mendohuni përsëri. Për mos të dalë nga tema, klasa e profesoratit nuk prodhon asgjë dhe paguhet nga populli (taksat) për një servis që nuk ka asnjë vlerë. Nëse ata bëjnë ndonjë gjë me vlerë, të lutem të më lini të njohur. E thënë në gjuhën e ekonomistit: sa është përqindja e investimit që investitori, pra populli, merr mbrapsht? Për ta bërë të prekshme si ide: nëse ti si person jep 1000 euro borxh, apo investon në aksione, sa pret të marrësh mbrapsht në 5 vjet? 10 vjet?

Për ta përsëritur: ndryshimi vjen nga klasa ekonomike. Pse? Sepse kanë çfarë të humbin. Kur një sipërmarrës merr një vendim, ai/ajo mban dhe konsekuencat e vendimit. Në shoqërinë civile (që në Shqipëri nuk mund të them se ekziston) ky është definicioni i lirisë par excellence. Çdo ditë njeriu ndeshet me një realitet, natyrën që na rrethon dhe shoqërinë ku ndodhet. Ja ku është ndryshimi midis sipërmarrësit dhe profesorit: profesori shkon çdo ditë në punë në të njëjtin realitet. Në punë, flet më studentë; mbasi mbaron shkon në shpi. Gjithë jetën e ka shpenzuar brenda mureve të shkollës. Në çdo teme/problem që diskuton i duket sikur jeta, pra realiteti, është si shkolla.

Sipërmarrësi vepron e flet; veprimi dhe fjala janë të pandara. Duke u ndeshur me natyrën ai/ajo shndërron ekosistemin; duke u ndeshur me shoqërinë, ndryshon gjithashtu marrëdhëniet (megjithëse shumë ngadalë). Piktura është pak idealiste por e nevojshme për të kuptuar ndryshimin. Baballarët e kushtetutës Amerikane (Fathers of US Constitution) ishin pronarë plantacionesh përpara se të ishin politikanë. Kushtetuta e Shqipërisë u mor shabllon (iu dha me forcë) nga politikani, që vazhdon e bën sikur është i mëzitur. Politikani shqiptar kur ndërton incitucione, p.sh. mjekësinë, e bën çorape sepse nuk ka asnjë interes (share/stake) në mbarëvajtjen e saj. Ai shkon jashtë shtetit (apo i paguhet tek privati). Politikani amerikan nuk ikën jashtë shtetit, p.sh. në Shqipëri, për tu kuruar. 

Për tu kthyer në temë: Shqipërisë i duhen njerëz sipërmarrës; jo studentë. Studentët në lëvizjet e fundit studentore i kërkuan qeverisë punë. Absurde? jo! Këto mësojnë në universitete e shoqëri – qeveria ta jep punën. Nuk e ndërton ti vetë. Qeveritari (edhe pse bën gjoja i mërzitur) kënaqet me këtë situatë. Roli i tij është parimor në shoqërinë civile Shqiptare. Roli i profesorit gjithashtu. Sipas profesoratit qeveria ka detyrime ndaj studentit – t’i gjej punë. Kjo është një tjetër piramidë Shqiptare – piramida e universitetit, që funksionon njëlloj si skema ponzi (piramidale e 1997). 

Sunday, June 21, 2020

Përgjigje pyetjes cili është roli i intelektualit në jetën politike (1)

Më lejoni së pari ta filloj me pak histori pasi është e nevojshme të kuptojmë terminologjinë e gjërave që do diskutojmë. 
Roli i intelektualit në jetën publike, siç kuptohet nga populli, është i vonshëm si ide dhe nisi fuqishëm gjatë formimit të shteteve moderne në 200 vjeçarin e fundit. Në Evropën lindore dy faktorë ndihmuan në formimin e strukturave shtetërore: elita agrare që kishte toka në pronësi dhe kisha. Elita kombëtare agrare, për interesa ekonomike të vetat, krijoi institucione politike dhe juridike nëpërmjet të cilave ushtroi fuqinë e vet. Këto zhvillime munguan në Shqipëri.

Një diçka tjetër problematike për temën nën diskutim është dhe mungesa e zhvillimit individual të personit për shkak të mungesës së marrëdhënieve me pronën (pushtimi turk dhe komunizmi). Këtë fakt po e marr të mirëkuptuar nga publiku dhe po e shpjegoj përciptazi. Që personi është egoist është një temë e eksploruar që në lashtësinë greke dhe që paraqet rrezik për komunitetin – shprehja shqiptare një shkop i shtrembër prish gjithë barrën  - ka qënë gjithashtu e ditur. Prandaj dhe ideja e mbajtjes së pronës individuale mbizotëroi atë të mbajtjes në bashkësi qysh pra në antikitetin e lashtë (Homer, Hesiod, Aristotle etc.). Kjo ide përmbush qy qëllime: (a) ne e dimë interesin e individit dhe (b) është nëpërmjet pasjes së pronës që personi zhvillon individualitetin e vet (Persönlichkeit, po të përdor një term të Hegel-it). Ideja e pronës është e lidhur katërciprisht me lirinë e individit. Pasja e pronës, me një fjalë, është një konditë e nevojshme për lirinë e individit dhe për një jetë të mirë. Drejtësia si institucion i ka rrënjët pikërisht tek prona private (dhe publike natyrisht). Jetesa në komunitet gjithashtu.
*          *          *
Le t’i përgjigjemi pyetjes se çfarë është një intelektual. Le të themi së pari se çfarë nuk është. Intelektuali (burrë/grua) nuk është specialist; specialisti zgjidh probleme të formuluara nga të tjerë (p.sh. ndërton ura, rregullon dhëmbët, jep leksione etj.).

Puna e intelektualit është të ri-formuloj pyetjen për problemin në fjalë. Ose të pyesë pyetjen. Problemi i shtruar si problem është pjesë e problemit që duam të zgjidhim. Fjala dhe shkrimi që vijon në platforma publike është natyrisht themelor.

Çfarë është vënë re në Shqipëri është fakti që kemi një klasë specialistësh por jo intelektualësh. Kemi një elitë politike që ka formuar dhe drejtuar opinionin publik por jo elite intelektuale. E thënë ndryshe, elita intelektuale ka qënë gjithmonë elita politike.

*          *          *

Pjesë e problemit: gjatë komunizmit ata që u quajtën intelektualë ishin ata që shkuan në shkollë të lartë. Ky definicion vazhdon edhe sot e kësaj dite. Një degjenerim total i idesë se çfarë do të thotë intelektual. Shkolla e lartë merret si konditë e të qënit intelektual. Se ku Shqipëria shkoi me këta pseudo-intelektualë nuk ia vlen të diskutohet.

Me këtë standard i bie që (mbase) 60% e Shqipërisë të jetë pjesë e elitës intelektuale. [Studentët shqiptarë mbas graduimit kanë dy zgjedhje: (a) të lënë Shqipërinë ose (b) gjejnë punë në administratë publike.] Një pyetje: ku është Shqipëria sot meqë të gjithë qënkan intelektuale? Siç edhe kuptohet, vazhdojmë diskutojmë rolin e intelektualit.

Pyetja e shtruar në titullin e artikullit është zhgënjyese për disa arsye: lexuesi mendon se elita intelektuale ka rol parësor në politike (dhe kështu në zhvillimin ekonomik të vëndit) dhe jeta politike – vendimarrja – i përket vetëm kësaj klase. Mos të harrojmë faktin që ata që shtrojnë pyetje të tilla në radio e televizionë shqiptarë janë ata/ato që e quajnë veten e vetë pjesë të elitës intelektuale.

Prandaj pyetja duhet riparë e riformuluar.

Pyetja nuk është cili është roli i intelektualit, por: nga vjen ndryshimi në një shoqëri?

Kam përshtypjen se tradita shqiptare mbështetet më shumë mbi elitën politike (dhe intelektualin-specialist që e ndjek si qëni të zonë) për shkak të legasisë historike. Publiku i drejtohet intelektualit-specialist pa kuptuar, e para, ndryshimin themelor midis intelektualit dhe specialistit që paraqitëm më lartë. Elita politike (sipas definicionit) nuk sjell ndryshim. Ajo vetëm rrjep asetet publike siç është edhe e dukshme.
E dyta, ndryshimet shoqërore ne botë kanë ardhur nga elitat ekonomike – agrare, industriale, financiare, e teknologjike së fundmi. Nuk them se intelektuali nuk ka rol të luaj në shoqëri – me shkrime e diskutime në platforma publike ai/ajo ka rol. Por ndryshimi themelor (ekonomik, politik) nuk vjen nga ky grup.

Imagjinoni dy deklarata:
(1) Rama është i suksesshëm.

(2) Elon Musk është i suksesshëm.

Në rastin e parë deklarata është qesharake. Ndryshimet që ky i dyti ka sjellë janë tashmë të pallogaritshme. Ndryshimet në transport e energji (Tesla) dhe në ekslorimin e hapësirës (SpaceX) kanë revolucionarizuar shumë aspekte jo vetëm në teknologji por dhe në organizimin e rrjeteve të punës e organizimit të saj. Mbase rasti që solla është paksa ekstrem por i nevojshëm për të kuptuar ndryshimin midis atij/asaj që krijon dhe atij/asaj që rrjep përfitime nga kolltuku. Noli këta të fundit i quajti kolltukofagë.

Specialisti-intelektual paguhet për punën që bën (sipas kontratës që ka nënshkruar); intelektuali që shkruan në platforma publike (apo që merr pjesë në rrethe televizive) nuk paguhet dhe (supozohet) qartëson ide dhe ngre pyetje etj. Por asnjëri nuk ndërton/krijon. Ky i dyti madje është dhe i rrezikshëm pasi paraqitet i veshur me lëkurë deleje duke qënë ujk.

Në shumicën e rasteve intelektualë e specialistë shpjegojnë, aq sa munden, ndryshimet pasi ato kanë ndodhur dhe jo më përpara. Të ndryshosh gjëra duhet të mendosh ndryshe – të jesh kurioz dhe kesh vullnet. Duhet mbi të gjitha të jesh i lirë, e cila do të thotë të kesh e mbash përgjegjësi për veprimet e tua. A mund të mendohet që intelektualët shqiptarë të mbajnë përgjegjësi për fjalët (llafet) që hedhin e të vuajnë koncekuencat e këshillave që japin pa hesap?