Sunday, January 5, 2025

Tirana Wokiste 2

Ky post është shkruajtur vetëm për disa observime në lidhje me edukimin (shkolle fillore). E filloj me një mbledhje prindërish ku na u kërkua të hidhnim firmën për kontrollin që do u bëhet fëmijëve në ambientet e shkolles për mbajte thikash apo gjërave të tjera që shkaktojnë trazira apo dëme.

E gjithë lista u mbush me firma: “jam dakort fëmija im të kontrollohet.” Më pas u hap një temë diskutimesh.


Dy tematike të rëndësishme ishin: (1) mediat sociale dhe (2) dhuratat. E nis me pikën e dytë pasi janë disa nënpika interesante për tu hulumtuar. Shpesh u kërkohet ndihmë prindërve të hedhin të gjithë nga pak lekë dhe blejnë një diçka për klasën. Sa herë që hapet një temë e tillë del dikush dhe thotë “e ble unë” atë gjënë. Argumenti im ishte që veprime të tilla nuk duhen pranuar pasi “fëmijët flasin: babi i këtij bleu këtë gjë apo mami asaj bleu atë gjënë tjetër.” Fëmijët të gjithë duhet të ndihen pjesë e këtij kontributi. 


Por me praktika të tilla korruptive (edhe pse ata që kontribuojnë kanë qëllime të mira) fëmijët ndihen të mënjanuar, si pa vlerë dhe madje bullizohen. Ka një arsye pse në shkolla në perëndim (që e dimë me siguri) nuk mund të japësh sa të duash. Donacionet janë subjekt i ligjeve lokale dhe federale dhe duhet të jenë transparente për mos të lejuar “influence të padrejtë” (undue influence) dhe siguruar “integritetin e insitucioneve.” Gjërat që merren rekordohen, dokumentohen dhe arkivohen përsëri për të qënë transparente.

Një tjetër nënpikë tek dhuratat: a e keni vënë re se sa dhurata u jepen mësuesve në ditë të caktuara të vitit? Këtë praktikë idioteske korruptive vetëm këtu e kam parë? Kur shqiptarët ankohen për korrupsion, duhet ta nisin me veten e vet dhe praktikat individuale përpara se të venë tek institucionet.

Po dhuratat që shkëmbejnë fëmijët me njëri tjetrin? Imagjino për një moment me hollësi të detajuar sesi ndodh i gjithë proçesi i dhuratës: Fëmija i thotë prindit se shoqja apo shoku pëlqen “atë gjë.” Prindi i përkushton një mbasdite apo fundjavë blerjes së dhuratës bashkë me fëmijën. Dhurata merret me vete në shkollë dhe shkëmbehet. Imagjino sikur në vend të dhuratës fëmijës ti mësohet investimi apo manaxhimi i shtëpisë.  


Kur vjen puna tek mediat sociale një fenomen i gjithëpërhapur është fakti që i vihet faji Tik-Tok-ut, Facebook apo Instagramit. Shumica e njerëzve e kanë të vështirë të bëjnë pyetjen: si arritëm deri këtu? Dita e sotshme nuk është gjë tjetër por realizimi i gjithë vendimeve mikroskopike që unë kam bërë në të shkuarën. Tik-Tok apo Instagrami nuk punojnë po nuk pate Smartphone. Kush ua bleu telefonat smart këtyre fëmijëve? Qeveria? Politikani apo partia? Edhe po pate telefon smart ata nuk punojnë po nuk pate lidhje interneti apo paketë telefonike që ofron WiFi. Po këto paketa dhe lidhjen e internetit kush e solli? Plaku i Vitit te Ri? Mbasi u kanë blerë telefona e vënë internetin, prindërit ankohen se nuk ua heqin dot më telefonin fëmijëve. Kur këta prindër ishin fënijë e kërkonin gjëra, përgjigja ishte thjesht Jo. Por këta (prindër wokistë) të sotshmit mendojnë se janë më të zgjuar, dhe sesi kohërat janë “ndryshe” sot.  


Cila është zgjidhja? Dora e ngrohtë e partisë. I bëhet thirrje qeverisë të ndërhyjë. Mbasi kaluan 50 vjet nën diktaturë me 100% ndërhyrje në çdo aspekt të jetës, këta prindër e kanë të vështirë të jetojnë në liri dhe me lirinë. Është e vështirë të fajësosh veten, prandaj dhe gishti tregues drejtohet larg/jashtë vetes. Një thënie e lashtë indiane thotë se kur ia tregon gishtin tregues dikujt, tre gishta të tjera të dorës drejtohen drejt teje.