Tuesday, March 10, 2015

Dy fjalë mbi Kanunin dhe bullshitologjinë[1] e bullshitologëve

Prof. Tarifa e fillon artikullin[2] e vet mbi simbolikën e gjakut me thëniet e disa hulumtuesve te njohur (Durham, Durkheim, Kadare) dhe argumenton me ta se çdo gjë në Kanun dhe jetën e malësorit shqiptar është e lidhur me gjakun. “Gjaku,” pohon Prof. Tarifa, “ishte elementi qëndror i kozmogonisë së malësorit” ose e thënë në shqip: çdo gjë në Kanun dhe jetën e malësorit është ndërtuar duke pasur si parim bazë gjakun, apo gjakmarrjen. E paraqitur si pikturë e thjeshtë: Baza është gjakmarrja; çdo institucion tjetër ngrihet mbi të dhe sipas kërkesave të gjakmarrjes. (Një shëmbëllture Marksiste, në të vërtetë; ekonomia baza dhe çdo gjë tjetër – institucion, apo superstrukturë siç e quajti ai – ngrihet mbi të.)
Kjo është bullshitologji e kullluar. Nuk është aspak e çuditshme se pse shkencat sociale vuajnë nga efekti i bullshitologjisë. Këto shkenca vuajnë tmerësisht dhe agonizojnë për të kthyer çdo fenomen apo dukuri shoqërore në ekuacione të thjeshta Newton-iane. Të kuptosh një fenomen, thotë Helmholtz, duhet ta kthesh atë në ligje Newton-iane; të tipit, p.sh., X -> Y (Nëse X, atëherë Y).

Funksionalizmi si jo-shpjegues

Disa pyetje kërkojnë shpjegime; kur pyesim se “pse” diçka (institucion social, fenomen etj.) është në ate formë që është, përgjigja kërkon domosdoshmërisht një shpjegim të tippit “sepse.” Dy probleme na paraqiten: (1) përshkrimi i saktë i fenomenit (që po e anashkalojmë) dhe (2) arsyeja se pse është ashtu siç paraqitet.
Sipas teorise së gjakut ne mund të pyesim, p.sh., Pse ekziston institucioni i Nderës (Libri VIII)? Përgjigja, siç e kuptoj unë, është diçka e tillë: Sepse shërben për të ruajtur nderin (dhe gjakun). Një argument i reduktuar në absurditet (reductio ad absurdum). Dhe absurditeti u nevojitet shkrimtarëve dhe (disa) sociologëve për ta bërë argumentin që të duket i thellë; njerëzve u pëlqejnë argumentet e thella që nuk i kuptojnë.
Në këtë rast efekti i fenomenit paraqitet si shpjegim (shkak) për fenomenin – një argument që sfidon edhe ligjet e Logjikës. Efekti në Logjikë vjen mbas shkakut dhe në rastin e mësipërm nuk kuptohet se kush është “shkaku” e kush është “efekti.”
Disa gjëra që janë përpara syve nuk besohen sepse shkencëtarët, siç edhe njerëzit e thjeshtë, kanë besimet e tyre. Harta e botës, p.sh., tregonte qartë se brigjet e Europës dhe Afrikës përshtateshin në mënyrë perfekte me brigjet e Amerikave (të Jugut dhe Veriut); dhe përsëri gjeofizicistët nuk mund ta pranonin sepse nuk ekzistonte një teori e lëvizjes kontinentale (deri në 1960).
At Sh. Gjeçov dinte më mirë; vepra e tij e konfirmon. Gjaku merret sepse mban nderën dhe jo anasjelltas. Me fjalë të tjera, gjaku donte gjak për mbajtjen e nderës dhe jo për mbajtjen e gjakut. Kapitulli mbi gjakun gjendet tek (brënda) Libri VIII dhe i shërben Nderës. Akili në Iliad-ën e Homerit kërkon hakmarrje (gjakmarrje!) ndaj Agamemnonit sepse ky i fundit e feu – i preku nderën - duke i marrë atë që i takonte një luftëtari në ndarjen e plaçkës. Mujit në epikën shqiptare gjithashtu i preket ndera kur Paji Harambash keqtrajton një orë malit. Në të dyja rastet nuk u derdh gjak, por gjak u kërkua. Pse? Për te ruajtur nderën. Pa nderën, një burrë konsiderohet i vdekur.
Gjithashtu Libri i X ku flitet për ndëshkimet ka të dhëna mbi gjakun por nuk është themel i Kanunit dhe jetës së malësorit. Ndëshkimi kapital i është lënë individit (burrit) në Kanun sepse ai është burrë i ndershëm (A je burrë?). Në shtetin modern, shteti ka fuqi monopoli mbi ndëshkimin; individi, siç thoshte Hume, është horr e batakçi (knave) – institucionet shtetërore (ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqsori) janë ndërtuar mbi këtë parim. Në Kanun njeriu është i ndershëm – i mirë. Ekzekutivi mungon (për arsye historike etj.) dhe individi është përgjegjës për aktet dhe aktivitetin e tij. (Padre Valentini dhe Malcolm i cili mbështetet në veprën e tij e kanë kuptuar Kanunin shumë herë më mirë; ata japin katër parime bazë mi të cilat Kanuni mbështetet. Nuk është studim i plotë por shumë më e qartë se studimet shqipatre.)
Në modernizëm aparate të tëra shtetërore ingranohen për gjetjen e vrasësit, dëshmitarëve etj. (sa fonde të taksapaguesve shkojnë në këto drejtime? Sa korrupsion ka me pagesa e favorizma?); vrasësi sipas Kanunit dihej kush ishte (agjent dhe prokuror ishin një). Kur ekzekutivi ekzistonte (si p.sh., në luftën për mbrojtjen e trojve kunër Malajzezve) gjaksia ndalohej rreptësisht (shih Fishtën, Lahuta).

Dy detyra të ndryshme

Kadare me veprën Prill i Thyer kryen të njëjtin gabim; ai e redukton Kanunin në një Kushtetutë (institucion) dhe përsëri kjo kushtetutë ngrihet mbi simbolikën e gjakut. Në vazhdimësi, Kadare e kthen mikpritjen në një teori moderne utilitariane - mikpritja është një shpërblim për jetën e mundishme të malësorit, një lloj pushimi e parajse këtu në tokë. Kanuni ishte mënyre jetese, jo kushtetutë; e sanksionuar nga populli dhe jo e dizenjuar nga elita që shkruajnë kushtetuta. Institucioni i mikpritjes nuk është për të përfituar një kënaqesi dhe për tu nderuar si gjysëm-zot për një natë (kjo është ide mikro-borgjeze do thoshte Marksi); mikpritja (për të përmendur vetëm disa gjëra) lidh fise dhe inicion marrëdhënie (ekonomike e të tjera), bashkon në rast rreziku, dhe organizon – mikpritja i bën shqiptarët kudo që janë të përgjigjen se kanë një veçori që karakterizon shqiptarin që është të nderojë mikun etj.
Detyra e shkrimtarit është të shesë sa më shumë libra (dhe fitojë ndonjë çmim); por ajo e hulumtuesit, para së gjithash, të japë dhe ofrojë qartësi. Dhe qartësia kërkon një mendim kritik i gjërave që janë thënë e thuhen. J. Wilkes ankohet në librin e tij The Illyrians se autorët e vjetër i kishin lënë mbas dore Ilirët duke i raportuar vetëm nëpër shënime në fund të faqeve dhe ai do nxjerrë në dritë historinë e vërtetë të tyre; kur fillon dhe lexon librin e tij Ilirët zhyten më thellë në obskurantizëm. Shkrimtarët dhe hulumtuesit shqiptarë, kam frikë se, kanë të njëjtat faje. Duke dashur të tregojnë diçka ndryshe më shumë paqartësira sjellin me veprat e tyre, argumente jo-llogjike dhe mungese mendimi kritik. Një parim i thjeshtë (Wittgenstein): Nëse nuk e di dicka më mirë është të heshtësh. Grekët e lashtë e praktikonin (shih Sokratin që rrinte me orë të tëra pa folur duke menduar). 

Kanuni kundra Socializmit

Prof. Tarifa argumenton se socializmi triumfoi kundra “njeriut të Kanunit” (si kundrapërgjigje ndaj Nebi Bardhoshit; veprën e të cilit nuk e kam lexuar dhe argumentat e tij nuk i di). Unë do argumentoja, me Zizek, dhe do thosha se jam më shumë i shqetësuar për ditën e nesërme (the next day) – d.m.th., mbas atij revolucioni socialist që shëndërroi Shqipërinë nga agrare në industrialo-agrare, jam i shqetësuar për këto 25 (dhe sa të tjera që do kalojnë) vjet që Shqipëria u shëndërrua përsëri në një vënd agrar. Trashëgimia socialiste – për atë që Prof. Tarifa nuk flet – ka qënë dhe ngelet devastuese. Ky shpërfytyrim erdhi nga njeriu i përparuar i realizmit socialist (më lejoni të prezantoj një kategori të re analitike, njeriu i përparuar fushor) që edhe sot e kësaj dite mundohet të racionalizojë dhe japë pros (të mirat) dhe cons (këqijat) të atij sistemi.
Prandaj, për ta përfunduar, Kanuni ka triumfuar (edhe pse idealisht) dhe parimet e tij gjejnë aplikim dhe në ditët e sotshme. Për të përmendur vetëm disa, Paprekshmëria e pronës private dhe asaj kolektive ngelen për tu admiruar.
Ekonomia e tregut thuhet se nuk punon kur nuk ka të drejta mbi pronën private; gjithashtu besueshmëria është faktor  determinues në ekonominë e tregut pasi ul kostot e tranzakcionit – rol të cilin e luante besa (përveç roleve të tjera). Prona dhe pasuria kolektive shqiptare e përvetsuar për interesa vetiake gjatë kohës së degjenerimit demokratik kurrë nuk do lejohesh nga ligjet kanunore.



[1] E adoptoj këtë fjalë nga J. Elster.
[2] Fatos Tarifa “Simbolika e gjakut, kujtesa kolektive, dhe e kaluara si ‘invadim’ i së tashmes.” Postuar më: 28 Shkurt 2015. http://www.mapo.al/2015/02/simbolika-e-gjakut-kujtesa-kolektive-dhe-e-kaluara-si-invadim-i-se-tashmes/

Monday, February 2, 2015

Mbi Korrupsionin: Pjesa II - nje sinteze dialektike

Sot në mediat shqiptare u dha lajmi se qytetarët shqiptarë do të kenë akses në një faqe zyrtare ku ata/ato do te mund te denoncojne afera korruptive. Faqja eshte e thjeshte dhe praktike por e pambaruar; personit i jepet mundesia te jete “Anonim” ose “Jo” dhe jape informacionin mbi aferen korruptive. Por edhe pse dikush mund te zgjedhë “Anonim” përsëri i kërkohet (a) adresa dhe (b) emaili. Ndersa emailin dikush mund ta fshehë për të mbrojtur identitetin, adresën askush nuk mundet ta fshehe. Përkufizimi i adresës është bërë për të identifikuar. D.m.th., edhe pse denoncuesit i jepen dy (2) zgjedhje per qëndrimin anonim: (a) PO ose (b) JO kërkesa për adresë e transformon zgjedhjen e lirë të qytetarit në “Jo Anonim” – një sintezë brilante dialektike.

  1. Thashë më lartë që faqja është e pambaruar sepse do të ishte (për mua) e plotë nësë ato gjëra që denoncohen shfaqen po aty. D.m.th., nëse dikush X denoncon një aferë korruptive atëherë një person i dytë, tretë etj. mund të ketë mundësinë të japë fakte të tjera për rastin në fjalë

a.     Imagjinoni dikë që i del emri aty, si fletërrufe ne kohën e komunizmit, dhe aferat korruptive që ka qënë i përfshirë – një ndëshkim i rëndë paraprak!
b.     Kjo pjesë shtesë do i paraprinte edhe një problemi që nuk e di nësë dizenjuesit e kanë menduar. Si do t’i ndjekin këto çështje një nga një? Sa të besueshme do jenë denoncimet? Çfarë fuqie buxhetore ka ky departament për të ndjekur çështjet, etj.
  1. Për korrupsionin nuk është përgjegjës vetëm ai/ajo që merr paratë por edhe ai/ajo që jep. Të dënosh vetëm personat që marrin rrushfet është ta lësh punën përgjysëm (dhe një punë e lënë përgjysëm është dhe mbetet e pambaruar). 

Sunday, February 1, 2015

Dy fjalë mbi Lahutën e Malcis


Diku lexova mbi një propozim që vepra e Fishtës Lahuta e Malcis të përkëthehet në gjuhën shqipe letrare në mënyrë që të jetë e aksesueshme për të gjithë. Kështu siç shtrohet ky propozim duket se problemi kryesor është: vepra e Fishtës nuk është e aksesueshme sepse është e shkruajtur në një dialekt që vetëm një pjesë e Shqipërise e kupton. Ndërsa nuk kam problem me çështjen (e problemit), shoh një gabim të rëndë me zgjidhjen e tij. Ndërsa për dekada të tëra kjo kryevepër u injorua nga injorantët komunistë, tani në një epokë demokratike ku prapë injoranca mbretëron supreme kësaj vepre kërkohet t’i jepet një goditje finale.
Nëse gjysma e Shqipërise e kupton veprën e Fishtës ne duhet të jemi gjysëm të kënaqur dhe ndihmojmë gjysmën tjetër që ta lexojë në origjinal.
Përpara disa kohësh një Patër (fatkeqësisht nuk ia mbaj mend emrin) argumentonte dhe thoshte se vepra e Fishtës duhet të jetë e detyrueshme në shkollat shqiptare. Kjo kërkesë ishte, per mendimin tim, shumë modeste. Mendoj që brënda fakultetit të Filologjisë duhet të ketë një departament të veçantë që merret jo vetëm me vepren e Fishtës por dhe Kanunin e Gjeçovit. Në Itali nëpër shkolla të mesme nxënësit janë të detyruar të studiojnë Latinishten dhe Greqishten e Vjetër. Ne nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë – por çfarë mund të bëjmë është që të detyrojmë nxënësit dhe studentet të lexojnë Fishtën në origjinal. Dhe një efekt dytësor dhe i mirëpritur do të jetë që një pjesë e mirë e atyre që më parë nuk i kuptonin veriorët, do fillojnë t’i kuptojnë më mirë; madje do të angazhohen në biznese dhe afera të tjera.
Në një film që portretizon LNÇ një aktor duke folur me ndërtuesit partizanë përsëriste shprehjen “Po me urën ç’patën xhanëm?” Po të uleshin të gjithë e diskutonin se pse e prishën urën gjermanët, ajo urë nuk do ndërtohesh kurrë; ajo punë nuk do të fillonte kurrë sepse kapacitet njerëzore e materiale nuk ekzistonin (“Sikur te kishim ca qereste!”) etj. Po te ecet me mendimin se gjysma e Shqipërisë nuk e kupton dialektin verior natyrisht që gjysma nuk e kupton veprën e Fishtës. Nëse rinia shkollore prezantohet me këtë vepër dhe dialektin geg atëherë pjesa më e vështirë do konsiderohesh e kaluar. Kur njeriu i ekspozohet arsyes ai fillon dhe arsyeton. Psikologet e dinë shumë mirë faktin që njeriun është e vështirë ta ndryshosh (madje për disa mbase edhe e pamundur). Por ndrysho ambientin rreth tij/saj dhe njeriu fillon dhe ndryshon (adoptohet etj.).
Lahuta e Malcis nuk është kryevepra e Fishtës; kjo është njëlloj sikur të thuhet Iliada është kryevepra e Homerit – një tautologji (si shprehja: fshati që duket nuk do udhërrëfues). Sikur Iliada është fillimi i historisë greke dhe Europiane, gjithashtu Lahuta është (për mua të paktën) fillimi i historisë shqiptare. Dikush do habitej dhe do thoshte por ajo është shkruajtur vonë! Si mund të deklarosh diçka të tillë?
Nëse Iliada krijoi atë frymë unitare e të përbashkët greke e përmendur gjeratë mbas gjenerate nga filozofë e historianë kështu edhe Lahuta na sjell në Shqipëri një frymë shqiptare e identitet të përbashkët. Në këtë aspekt ajo si kryeveper shqiptare bashkon dhe jep shpresë atje ky shpresa nuk ishte. Fishta nuk shkruajti një dokument historik por një monument që i reziston kohës (30.23). Mbas më shumë se dy (apo të themi 7-të po të përfshijmë edhe kohën e komunizmit) dekadash pashprese e varfërie shpirtërore, tashmë mbase ka ardhur koha të gjejmë shpresë e ndriçim në kryeveprën shqiptare. Ashtu si epika Homeriane vazhdon sot e kësaj dite studiohet jo vetëm nga filologë e historianë në gjuhën e vjetër, ashtu dhe epika Fishtiane duhet studiuar në origjinalitetin e saj. Tek burimi Fishtës të gjithë (shkencëtarët) shqiptarët duhet (nëse mund tw shprehesha kështu) të pinë një gllënkë ujë. 

Monday, October 20, 2014

Tituj bombastikë dhe Statistika të këqija

Gazeta Panorama[1] raporton këtë fjalim të ambasadorit të OSBE-së me rastin e hapjes se fushatës kundër dhunës në familje:
“Sipas sondazhit të INSTAT-it të vitit 2013, afërsisht 60% e grave shqiptare të pyetura në këtë sondazh kanë qenë në një moment të jetës së tyre viktimë e dhunës në familje; 53% ishin “gjatë kohës së sondazhit” në një marrëdhënie abuzive. Vetëm 8% e këtyre grave kishin kërkuar ndihmë”
“60% e grave shqiptare të pyetura në këtë sondazh kanë qenë në një moment të jetës së tyre viktimë e dhunës në familje.” Këtu nuk jepet numri i pjesëmarrësve në këtë monstër, pra numri absolut. Dhe thjesht duke raportuar përqindjen që duket e lartë dhe shet gazetën, kjo përqindje mund t’i përkasë dhe një monstre prej 10 grash.
  •   Pa “diferencën e gabimit” (margin of error) të monstrës ky numër (60%) nuk ka kuptim.

Nëse sondazhi e ka përkufizuar termin “grua” unë nuk e di, por gazeta në fjalë duhet ta shpjegojë (ta gjejë dhe japë përkrahë të dhënave). Pse është e rëndësishme? Dhuna në familje, a kemi të bjmë me marrëdhënie abuzive midis burrit dhe gruas, apo edhe baballarëve dhe vajzave të tyre? Nëse termi “grua” e përjashton vajzën, atëherë kemi të bëjmë me rastin e parë (burrë – grua). Ndërkohë që në fund të artikullit shtohet: “… dhunën ndaj grave dhe fëmijëve.”
“53% ishin “gjatë kohës së sondazhit” në një marrëdhënie abuzive.” Përsëri kemi problemin e mosdhënies së numrit të monstrës, e para, dhe e dyta, nuk na jepet koha kur ku sondazh u krye. Duke thënë sondazh i vitit 2013 është shumë e paqartë.
“Vetëm 8% e këtyre grave kishin kërkuar ndihmë.” 8% e kujt? 8% e 60% që ishin identifikuar si viktima, që do na jepte shifrën (8% x 60%) 4.8%. Dhe përsëri: 4.8% e kujt numri? Apo 8% e 53%?




[1] http://www.panorama.com.al/2014/10/20/fushate-kunder-dhunes-ne-familje-60-e-grave-viktima-dhune-vetem-8-kerkuan-ndihme/

Wednesday, August 20, 2014

Kapeni Korrupsionin Zotërinj; dhe dy fjalë mbi Centralizimin-Decentralizimin

Imagjino një situatë të tillë: është ora 3 e natës dhe unë ngre telefonin e raportoj në numrin përkatës Korrupsionin. I them personit nga ana tjetër: “pashë Korrupsionin që po kalonte nga ana tjetër e Lanës; prandaj njofto të lutem organet kompetente që ta arrestojnë.” Personi(a) nga ana tjetër e linjës natyrisht që do më mbyllte telefonin dhe do qeshte me shoqërinë e të tjerë për rastin në fjalë.
Shëmbulli i mësipërm paraqet thjesht mënyrën sesi flitet për Korrupsionin. Ai tashmë është personalizuar dhe i është dhënë individualitet – si një zot i mitologjisë. Ai gjendet kudo – si Zoti i Thashethemeve të Virgil-it që fluturonte gjithandej kur dicka ndodhte dhe përhapte “të rejat.”
Korrupsioni është i plotfuqishëm, dhe ne duhet ta luftojmë, ta mundim sepse në gjithë Europën vetëm Shqipërinë ka zaptuar. Policia e shtetit dhe institucione të tjera janë përgatitur që nëse ndeshen me të ta luftojnë dhe mundin atë – luftë frontale e hapur i është shpallur; por ai është dinak e nuk shfaqet. Fshehurazi punon duke perdorur terrenin dhe çdo gjë që ka në dorë. Ai ka ushtrinë e tij – njerëz (por edhe kafshë mbase!) që i rekruton gjatë operacioneve që kryen.
*          *          *
Degjenerimi i gjuhës sjell degjenerimin e mendimit dhe shprehjes së mendimit; natyrisht dhe ndërtimin e realitetit në shoqëri e politikë (dhe sektorin e katërt të gazetarisë). Bauer e transformoi Dashurinë në një Zojë (Zot), thotë Fromm (To Have or to Be), dhe e paraqet si mizore sepse donte të zotëronte njeriun në tërësi. Marx-i i kundrapërgjigjet se duke transformuar njeriun e dashuruar në njeriun e Dashurisë ai (Bauer) e krijon, apo më mirë të themi e ndërton, Dashurinë si një qënie të pavarur nga njeriu. Kështu edhe Korrupsioni në Shqipëri është një qënie e pavarur që ka në zotërim gjithë shqiptarët e Shqipërinë si pronë private të tijën. Lufta kundër Korrupsionit në Shqipëri është luftë kundër një Zoti gjakatar e mizor që nuk lejon ecjen përpara dhe zhvillimin e Shqipërisë.
Në lidhje me marrëdhëniet korruptive (dhe jo korrupsionin!) pa analizuar marrëdhëniet e fuqisë dhe vendim-marrjes është e kotë dhe nuk bën kuptim të flitet për “luftë kundër Korrupsionit.” Lufta kundër Korrupsionit nuk është gjë tjetër vecse luftë kundër marrëdhënieve korruptive (njerëzore) – marrëdhënie këto qoftë midis qytetarëve dhe administratave publike apo edhe vetë midis qytetarëve (e fshatarëve). Marrëdhëniet nuk janë objekte, nuk objektivizohen, dhe kanë të bëjnë me vendim-marrjen dhe pozicione të fuqisë – fuqia si koncept marrëdhëniesh përsëri (e gjendur p.sh., tek Foucault) dhe jo si një objekt që zotërohet nga dikush.  

Vendim-marrja si proçes korruptiv

Një vendim-marrje ka ndikim (të drejtpërdrejtë apo dhe dytësor) në interesa që preken – disa humbin e disa fitojnë. Por jo çdo vendim është i kësaj natyre sepse duhet parë edhe efekti në lidhje me kohën (afat shkurtër, mesëm, apo afat gjatë). Por në lidhje me atë që po diskutojmë një vendim merret (a) individualisht si p.sh., një polic rrugor kur vendos të të vëjë gjobë dhe e tërheq vendimin kur stimulohet me lekë nën dorë; (b) në grup si p.sh., kur këshilli bashkiak vendos mbi një politikë të caktuar për zhvillimin e një projekti publik apo kur fshatarët në një komunë vendosin mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta; por edhe (c) nga lart (presupozimi është nga qëndra).
Në rastin e parë (a) personi mund të mos bashkëpunojë me policin dhe vendosë për të marrë gjobën; por siç shihet nga tabela të dy duhet të bien dakort për tranzaksionin dhe njëri të japë e tjetri t’i marrë lekët. Ky rast është më i lehti për tu kontrolluar dhe ndaluar. Qytetarë të thjeshtë mund të bashkëpunojnë me organet kompetente dhe ‘luajnë rolin’ e thjeshtë të qytetarit ndërkohë që monitorojnë (në Amerikë këta quhen “blerës misteriozë”; në Gjermani kemi një praktikë interesante ku bosi i një firme luan rolin e një të sapo-punësuari dhe punon për pak kohë me ‘punëtorët e thjeshtë,’ etj.). Ose gjoba mund të ketë një afat disa ditor ku personi mund ta hedhë në gjyq vendimin (në Kanada e Amerikë kjo është eksperincë normale).


Qyetari



Merr gjobë
Jep lekë
Polici
Vë gjobë
Gjobë[1]

Kërkon lekë

Lekë nën dorë





Vendimet në rastin e dytë (b) janë më të vështira për tu prezantuar në tabela por përsëri kemi interesa që preken. Shpeshherë dëgjojmë që grupet e interesave u morën parasysh; që u diskutua një problem përpara se të vendosesh dhe pastaj u vendos një rrjedh e caktuar siç ishte rasti i ndarjes territorjale. Por, në një shumicë rastesh vendimet janë marrë paraprakisht më përpara në mënyrë informale dhe formalitete të tilla janë, siç i themi asaj shprehjeje, “sa për sy e faqe.” Nuk ndodh vetëm në Shqipëri.
Kur Danimarka miratoi Planin mbi Zhvillimin Rajonal pyetja ishte nëse zhvillimi duhej inkurajuar në qëndrat urbane apo nëse duhej decentralizuar dhe nëse me shumë përparësi u duhej dhënë qytezave të vogla. Puna kërkimore që u ndërmor mori parasysh pluset dhe minuset. Disa të dhëna që u morën nga punë të tjera kërkimore si p.sh., në Angli, gjithashtu u inkorporuan. Mirëpo kur projekti iu dha ministrive përkatëse çdo gjë që kishte të bënte me decentralizimin u hoq (dhe i vihesh pikëpyetje). Ishte e qartë se vendimi ishte marrë informalisht më përpara (Flyvbjerg, Making Social Science Matter).
Për këtë rast (b) monitorimi dhe kontrolli është më i vështirë; por jo i pamundur. Mediat duhet të luajnë një rol më të madh; dokumentet duhet të lihen të hapura për tu konspektuar – transparente; mbledhjet etj. duhen të bëhen me dyer të hapura dhe inkurajohet pjesëmarrja. Intelektualët që kaq shumë kanë munguar në debate duhet të shfaqen e debatojnë – qytetarët e thjeshtë gjithashtu që preken drejtpërsëdrejti nga vendimmarrje të tilla. Por padashur (vini re!) përsëri biem në kurthin e mëposhtëm (gjërat ‘duhet të jenë kështu’ ‘qytetarët duhet të…’ etj.). Prandaj nuk mund të ndahet agjenti nga modeli që ngrihet. Nuk mund të pritet nga qytetarët të bëjnë disa gjëra ‘në këtë formë apo në tjetrën’ pa u rritur natyrshëm ndërgjegja shoqërore, e cila nuk arrihet duke folur për të (apo duke reflektuar sepse reflektimi presupozon përsëri diçka për të reflektuar) por njeriu duke punuar dhe luftuar, duke marrë e dhënë me të tjerë e duke ndërtuar kupton më shumë e kërkon më shumë nga vetja e të tjerë.
Vendimet nga lart (apo të centralizuara) janë më problematiket. Kur dikush kërkon shpjegim se pse një diçka është dhe punon ashtu siç është, shpjegimi është që kështu u vendos nga lart. Këtu ndodh fenomeni i de-personalizimit (e kundërta e asaj çfarë diskutuam më lart për Korrupsionin). P.sh. ne themi “X mori Y vendim.” Por në rastin tonë, kur dikush pyet “Kush e mori vendimin Y?” përgjigja është: “Y u mor nga lart.” Përgjegjesia nuk i ngelet askujt për vendime të tilla dhe çdokush është në një pozicion të justifikuar: “nuk kisha çfarë të bëja; urdhri erdhi nga lart.” Këtu zgjedhja personale duket sikur nuk ekziston, ose me mirë të themi personi në fjalë ka vetëm një zgjedhje, atë që është vendosur “nga lart.”  

Centralizim apo Decentralizim?

Flitet që në Shqipëri mungojnë proceset demokratike dhe duhet inkurajuar kontributi i mendimit demokratik në sferën publike. Por duke thënë p.sh., “Njerëzit duhet të..” “qytetarët duhet të ndërgjegjsohen që …” etj., mbeten fjalë boshe dhe praktika në vetvete korruptive pa marrë parasysh “fuqinë e vendimmarrjes.” Shqipëria deri vone ka qënë e decentralizuar – centralizimi ka qënë projekti më shkatërrues për Shqipërinë.
Decentralizimi e fuqizon qytetari(e)n dhe fshatari(e)n të marrë pjesë në vendimmarrje – sepse aty ai/ajo preket drejtpërdrejt nga vendimi. Jo se në vendime të centralizuara ai nuk preket, por kur angazhohet drejtpërdrejt në procese të tilla ai zhvillon aftësitë, individualizmin dhe arsyetimin, mbron lirinë apo kërkon llogari në vënd që të bërtasë nëpër kafene “shteti, shteti” si një i parritur që shikon nga prindi i vet në çdo ngjarje. Centralizimi i heq lirinë e pjesëmarrjes qytetarit dhe korrupton – çdo gjë kthehet pastaj në vendim partizanësh dhe faji i vendimit gjithmonë nuk i ngelet askujt.
Kur flas për decentralizëm, flas per raste si Zvicra, Gjermania apo vëndet Skandinave por edhe Kina e vënde të tjera në zhvillim. Një shprehje e vjetër kineze thotë: “Perandori është shumë larg.” Planet e zhvillimit në Kinë janë lokale – qeveritë lokale kanë një interes të drejtpërdrejtë në tërheqjen e bizneseve sepse edhe shtytja nga qeveria qëndrore ka qënë për “vetë-zhvillim” d.m.th., zhvillim lokal nga vetë lokalët. Shumica e taksave në Kinë ngelen në lokalitete. Qeveritë lokale konkurrojnë me njëra tjetrën për tërheqjen e bizneseve dhe trurit (fuqisë punëtore të kualifikuar). Natyrisht që qeveria qëndrore ka rolin e saj por është më shumë si ‘mundësi e fundit’ e balancuese dhe jo primare.
Në Gjermani qytezat kanë përparësi zhvillimi – në to gjen qëndra kërkimore dhe universitete që gjallërojnë jetën lokale dhe fuqizojnë ekonomitë lokale. Dhe përkrah tyre, biznese të mëdha e mesatare të cilat tërheqin fuqinë punëtore nga këto lokalitete.
Problemet shoqërore mund të zgjidhen në dy mënyra: nga poshtë ose nga lart. Nga lart ndodh ajo që quhet inxhinieri shoqërore (socializmi ishte shembulli tipik); kemi ata që quhen teknicientë e specialistëve të cilët veprojnë mbi shoqërinë si një orëndreqës mbi orën. Shoqëria nënkuptohet si mekanizëm ku edhe ndërhyrjet janë në formë lineare: A => B. Po të analizosh ngjarje, fenomene e analiza të ndryshme do vësh re shumë shpejt se mendohen dhe shqyrtohen në forma lineare pa marrë parasysh që shoqëria punon në formë organike dhe ka gjëra që nuk dihen – ka asimetri njohurish. Me një fjalë fenomenet shoqërore nuk janë dhe nuk duhen konsideruar në formë mekanike.
Zgjidhja nga poshtë i eleminon këto linearitete; fshatarët e dinë që duhen pastruar kanalet e mirëmbajtur për të shtuar prodhimin. Një lagje qyteti e di se çfarë nevojitet e mungon. Specialistët punojnë dhe jetojnë në lokalitete në zgjidhjet nga poshtë – ndryshe nga ata që punësohen nga qëndra dhe duan të punojnë për qëndrën (sic ndodh në rastin e zgjidhjes nga lart) e nuk kanë asnjë lidhje me ato cfarë ndodhin më vonë, me një fjalë nuk kanë interesa në ato cfarë ndodhin në lokalitete. Kjo zgjidhje nga poshtë zgjidh edhe punësimet korruptive të lidhura me qëndrën. Të gjithë duan të punojnë për qëndrën (Tiranë) andej nga vjen edhe vendimi. Natyrisht, përmasat korruptive janë më të thella e të mëdha; dhe firmat piramidale (biznese të mëdha e kam fjalën) mjelin kontratat e majme dhe në terma të zhvillimit ngelemi në vënd numëro me Korrupsionin si mik shtëpie.
Komunat dhe bashkitë në rastin e dytë fuqizohen dhe nuk ka rëndësi se kujt partie i përkasin – ato duhet të punojnë që të mbijetojnë. Sytë nga qielli (Tirana) drejtohen tashmë nga vetvetja; por gjithashtu kjo situatë presupozon decentralizim të vendim marrjes në bashki (p.sh., libraritë të jenë ente më vete dhe jo të presin për firmën e kryetarit edhe për një libër – një situatë absurde) përndryshe pashallarë bashkish do mbijnë (si këta të sotshmit). Qëndra ka shumë probleme dhe nuk mund të merret me çdo gjë. Të presësh nga qëndra është të justifikosh Korrupsionin, e madje bëhesh edhe vetë pjesë e Korrupsionit.





                                                                                               




[1] Këtu kemi një asimetri; polici kur të vë gjobën nuk të pyet nëse e pranon. Dhe pranimi i gjobës nuk varet nga ty – ti nuk ke zgjedhje tjetër veçse ta marrësh.