Sunday, January 28, 2018

Drejtësia shqiptare: një zgjedhje, një show, dhe një drejtësi


Ka disa gjëra që ekonomia (dhe shoqëria) shqiptare i huazon shumë kollaj: merr muzikën dhe televizionin, shfaqjet dhe emisionet investigative, në veçanti.
Një parathënie e një reviste që eksploronte literaturën evropiane (shek. XIX) shkruante se Krishtërimi kishte ushtruar nje çensurë të fortë ndaj literaturës dhe tashmë mbas rënies së kësaj çensure literatura do transformohesh për shkak të lirisë. Liria jo në aspektet negative të saj por pozitive që janë më shumë të lidhura me seksin.
Nëse në paragrafin e mësipërm zëvendësojmë fjalën literaturë me emisione (apo muzikë) atëherë piktura është e qartë. Një emision tipik investigativ (shqiptar) ka 2 meshkuj dhe dy femra sporteliste. Meshkujt flasin, bëjnë shaka, thumbojnë e raportojnë kurse sportelistet kërcejnë kur u thuhet dhe vetëm u buzëqeshin kamerave apo dërgojnë puthje VIP-ave kur u thuhet. Një gjëndje skandaloze për femrën shqiptare që kërkon emancipim! Ata që drejtojnë show-n nuk e shohin show-n e tyre si vendi i parë që duhet parë me sy kritik dhe investigativ.
Megjithatë, temat që diskutohen janë shumë relevante për shoqërinë shqiptare: probleme që njerëz të varfër e të pafuqishëm nuk mund të zgjidhin, afera korruptive në të gjitha instancat e institucione shtetërore, dhe probleme të tjera. Raportimet investigative janë në përgjithësi ekselente, një shërbim që në të vërtetë asnjë gazetë shqiptare – apo emision politik - nuk e ka bërë gjatë kësaj kohe (shpjegim: që ka 2-3 gazetarë që kryejnë punë te tilla nuk e vë në dyshim).
Zgjedhja e një modeli të tillë është domethënëse: një numër më i madh shikuesish ngulet përpara televizorit në orarin e caktuar, përfshi këtu gazetarë, shefa institucionesh apo politikanë. Emisione të tilla punojnë pikërisht sepse të zgjidhësh një problem, sado të thjeshtë, duhen burime (dhe/apo fuqi, që nuk është gjithmonë në terma financiare). Shikuesit i ofrohet një skenë ku irracionaliteti takon ndjesitë e bukura (sensuale apo seksuale) – apo takon argëtimin. Një problem paraqitet, kërcehet dhe bëhet sparkata (që më vonë matet nga meshkujt), problemi hulumtohet me tepër e pastaj zgjidhet - apo lihet i hapur për qeveritarët që nuk e dinin se ekzistonte kjo gjë por e mësuan nga emisioni në fjalë – dhe mbyllet përsëri me kërcim mbas fishkëllimës.
Mendoj ideja është (apo ka qënë) që të prezantohet realiteti shqiptar duke qeshur (një ide e vjetër e Horace). Ose e thënë shqip: ta marrim me të qeshur. Por kjo ide, mendoj, (a) nuk do kërkonte sporteliste; dhe (b) do duhesh që të dy meshkujt të flisnin më shumë (saktë e bukur!) sesa flasin tashmë. Dikush që e sheh emisionin me një sy kritik kupton shumë shpejt se gjithë-gjithë 30 fjalë mbizotërojnë emisionin dhe fjalitë e konstruktuara janë për nxënës të klasës së dytë fillore.
Për pamundësitë e mësipërme një ide tjetër mbizotron: prezantimi i të vërtetës përmes argëtimit. Këtu sportelistet seksi mbushin atë boshllëk (fjalësh!) shumë aktual në skenën shqiptare. Emisionet (politike) ku të njëjtat fytyra (politikanë e analistë) paraqiten janë një sfidë e vërtetë për tu ndjekur në dy aspekte: formati dhe gjuha.
Tragjedia e drama e lashtë greke zgjidhte tema të njohura mitike për publikun. Asgjë e re nuk pritesh. Ajo çfarë mbizotëronte ishte paraqitja ekselente, elokuente dhe e pasur në gjuhë.
Nuk mendoj se mund të themi të njëjten gjë për realitetin shqiptar. Gjërat dihen! Si t’i paraqesim? është pyetja dhe rezultati është katastrofë. E para: (a) Rregull pyetjesh dhe pergjigjesh nuk ka e nuk vendoset nga ai (ai sepse në përgjithësi janë meshkuj) që drejton. Asgjë nuk diskutohet, pyetjet janë skandalozisht të dobëta apo nuk kuptohen dhe përgatitja e pjesëmarrësve lë për të dëshiruar. (b) Sa për gjuhën pyetja që duhet shtruar është: përse po jepet ky emision? Të raportojë? Diskutojë? apo të dyja bashkë dhe edukojë shikuesin.
Në tërësinë e tyre nëse emisione të tilla tentojnë të paraqesin të vërtetën në një shoqëri të lirë (siç edhe pretendohet) ato e lënë shikuesin më injorant, më të skllavëruar dhe gjuhën shqipe që përdorin më të varfër.
*          *          *
Në një emision tjetër vetë Kryeministri u vesh si Plaku i Vitit të Ri dhe bëri realitet dy dëshira që vinin nga dy persona me histori tepër të trishtueshme.
Kjo skenë është kritike: aty politikani dhe votuesi takohen lirshëm. Paraqitet një problem personal, salla dhe shikuesit përmallohen, ndjesitë dhe trishtimet arrijnë kulme Eskiliane, dhe si me magji (Santa Claus) problemi zgjidhet duke i kthyer kështu personit, (sallës) e shikuesit  ‘shpirtin’ në vënd me një psherëtime dhe buzëqeshje shpëtuese.
Vini re sesi në njërën skenë politikani (në përgjithësi) paraqitet si shpëtimtar personal i/e dikujt dhe në tjetrën skenë ai demaskohet (Stop, Fiks Fare etc.). Problemi është i qartë: çfarë është personale të prek dhe të bën që të angazhohesh e veprosh; Çfarë është statistike është e largët dhe e vështirë për tu arritur. Të gjithë në sallë (përfshi dhe politikanin) që dëgjojnë histori të tilla janë të gatshëm të japin qoftë edhe 2 cent për të përmirësuar gjëndjen e personit në fjalë. Por të kontribojnë për përmirësimin e spitaleve, qëndrave rehabilituese, punësim etj., ideja është që ajo ‘nuk është puna ime.’
Çfarë ishte shokuese me zgjidhjen që politikani i bëri problemit është pikërisht fakti që votuesit i hiqet zëri dhe trajtohet persëri si viktimë. Pyetje kritike në këtë rrethanë nuk ngrihen.
Çdo fëmijë me të meta ka nevojë për akses në institucione dhe jo vetëm ky/kjo. Çdo i ri/e re që ka vullnet (të hekurt) për të ndryshuar gjëra, për të ndryshuar veten e shoqërinë duhet stimuluar dhe jo vetëm ky apo kjo. Të gjithë këta njerëz që kanë nevojë nuk mund të paraqiten në emisione javore në Tiranë për tu parë nga publiku që duartroket e psherëtin sikur një barrë tjetër iu hoq nga supi. Problemet nuk zgjidhen në ekrane e show televizive kryeqytet.
*          *          *
Emisione të tilla merren me atë punë që quhet (në shkencat shoqërore) drejtësi shoqërore (lokale). Me një fjalë ka njerëz që vuajnë nga padrejtësi (institucionale shtetërore) dhe këto emisione shohin t’i nxjerrin sheshit këto padrejtësi dhe kështu, shpresa është, që drejtësia të ndërhyjë. Tre pyetje shtroj:
1.     Cili institucion e përfaqëson drejtësine? Që nuk duhet të jetë politikani kjo është e qartë. Por situata (apo problemi) vazhdon të mos kuptohet nga shumë palë sidomos nga emisioni që promovon gjëra që supozohet të ngrejë si probleme.
2.     Kur zgjidhen çështje të tilla nga këto televizione cila është mënyra e zgjedhjes së çështjeve? (Meqë televizionet janë private kam frikë se zgjidhen çështje që shtojnë numrin e shikuesve.) Dhe meqë flasim për drejtësi, a nuk do ishte e drejtë që të ishte e hapur dhe transparente mënyra e zgjedhjes?
3.     Kur politikani ndërhyn drejtpërsëdrejti lekët e kujt përdor? Institucioni mendohet të jetë asnjëanës sepse të gjithë njerëzit (qytetarët), taksapaguesit, kanë të drejtë aksesi në institucione.
Për ta mbyllur, në një skenë (nga Offenbach) të La Belle Helene ëndërra e Helenës për të pasur për vete Parisin bëhet realitet “nëpërmjet ëndrrës.” Ajo pyet priftin që t’i dëgonte Parisin në ëndërr, kur ajo të flinte. “Është thjesht ëndërr,” ishte një shprehje që përsëritesh shumë herë. Mbasi Helena bie në gjumë, Parisi hyn me të vërtetë në dhomën e saj. Dëshira bëhet realitet thjesht nëpërmjet ëndrrës. Spektatori e kupton shume mirë ironinë – “është thjesht një ëndërr” do të thotë që në këtë botë hipokrizia dhe vetëmashtrimi janë prezente në të gjitha hallkat e kësaj historie.
Në shoqërinë shqiptare dëshirat bëhen realitet nëpërmjet Emisionit (Stop, Fiks, apo E diela). Drejtësia jepet emisione televizive nga prezantues të botës së show-it Tiranë. Të pakënaqurit thjesht duhet të thërrasin emrat e emisioneve. Mjafton të raportosh problemin dhe të kesh pak fat në perzgjedhje.

Friday, July 14, 2017

Për ata që mungojnë

Ky artikull u dedikohet “të munguarve” (ose ata/ato që mungojnë). Kush  janë këta dhe pse janë të rëndësishëm? (Përdor këta për thjeshtësi hulumtimi.) Në lashtësi, Diagora u qortua nga një person për mosbesim; “Shiko,” i thotë dikush, “këto dedikime ndaj zotërve. Zotërit ekzistojnë pikërisht sepse bënë të mundur mbijetesën e këtyre njerzve ndaj fatkeqsive.” I përgjigjet Diagora: “Ke te drejte, por nuk shoh këtu në mostrën tënde ata që nuk i mbijetuan fatkeqësive.” Dhe ata që nuk i mbijetuan fatkeqësive janë më të shumë në numra, mund të shtojmë qartazi.
Vërejtja e mësipërme ka të bëjë me formimin e besimit të bazuar në një premisë të rremë. Statistika dhe ekonometria paralajmërojnë përdoruesit për konkluzione të rreme kur ato bazohen në mostra të njëanshme (biased sample). Ka një dallim mes asaj që shihet dhe asaj se çfarë është aty  - e cila nuk duket sepse mungon! Kancelarja Merkel e falënderoi Ramën për zgjedhjet por ajo që sheh Merkel është tjetër gjë. Gëzimi i saj, mendoj, ka të bëjë me numrin e madh të shqiptarve, si ata me dokumente e si ata pa dokumente, që vazhdojnë të emigrojnë në Gjermani e gjetkë, Erdogani nga ana tjetër, mbas përgëzimit, iu drejtua besimit mysliman. Secili gëzon interesin e vet.
Le të marrim rastin e votimeve të fundit në Shqipëri. Disa ia vunë fajin Bashës për gabime, të tjerët përgëzuan Ramën për fitoren. Dy anë të së njëjtës monedhë. Nëse unë hedh një monedhë, do bjerë ose kokë ose bisht. Të dyja thuhet të jenë reciprokisht përjashtuese. Vini re gjithashtu një fakt tjetër: personi që fiton, përgëzohet (apo përgëzon veten), mbas faktit. Mbas faktit gjërat duken të kenë një logjikë lineare dhe përcaktuese. Mbas faktit, njerëzit thonë, “dihet që do fitonte, sepse …” Efektit i gjendet shkaku me lehtësi.
Për tu kthyer në temë: ata që me probabilitet të lartë do votonin për Bashën apo dikë tjetër e kanë lënë dhe vazhdojnë ta lënë vendin – shifrat janë me mijëra.  Por këta nuk janë grupi i vetëm që ne po shqyrtojmë; emigrantët janë veçse një pjesë e të munguarve.
Në votimet e fundit rreth 45% e shqiptarve votuan, nga të cilët numri i femrave raportohet të ishte shumë i ulët (rreth 19%). Në një moment dëshpërimi Kryeminsitri shqiptar u kërkoi emigrantëve të ngrinin telefonat. Ky veprim është i rëndësishëm për diskutimin tonë; ata që mungojnë ekzistojnë. Atyre mund tu bëhet thirrje për pjesëmarrje. Ironia është që grupit tjetër të të munguarve nuk iu bë thirrje. Janë emigrantët ata që mund të mobilizojnë këta të fundit – një fatkeqësi e vërtetë. Thirrja, në të vërtetë, mund të gjejë aplikim nësë ata që janë në Shqipëri veprojnë, me një fjalë votojnë mbas thirrjes së emigrantëve. Unë mund t’i them nënës time të votojë, p.sh., për Ballin, por pa mekanizmin e kërcënimit asnjë nuk e merr seriozisht kërkesën.
Nuk shqetësohem këtu për metodat e votimeve por me diçka tjetër; që është, në të njëjtën mënyrë si shumica e popullsisë shqiptare e bën (dhe bëhet nga vendim-marrësit) veten të paparë, pra të munguar, ashtu dhe ata që marrin vendime për të gjithë, bëjnë politikë për ata që duken vetëm. Merr p.sh. emigrantët. Jam i sigurtë që shumë nuk duan të ikin dhe të tjerë që janë jashtë paraqesin dëshira të kthehen. “Por gjërat nuk ndryshojnë” dëgjoj. Por si do ndryshojnë gjërat kur këta që janë më të prirur për ndryshime largohen? Dhe jo vetëm largohen por marrin dhe kapitalin njerëzor e financiar atje ku shkojnë. Një dilemë e vërtetë për vendet në zhvillim. Ata që ngelin mbrapa janë një pjesë e harruar ose ata që përfitojnë më shumë nga status quo, nga mosndryshimet.
Cfarë është gabim me institucionet?

Përpara se te fillonin ndryshimet historike në Kine (1978) i thonë disa këshilltarë liderit kinez, Deng Xiaoping, se kinezët janë dembela dhe se ai do ta ketë të vështirë me reformat. Ai u tregon kinezët jashtë vendit (jashtë Kinës) dhe u përgjigjet se problemi nuk ishte tek njerzit por sistemi dhe institucionet. Mendoj i njëjti fenomen është prezent në Shqipëri. Institucionet shqiptare (a) injorojnë pjesën më të madhe të popullsisë, pra ata që në këtë artikull ne i quajmë të munguarit dhe (b) shfaqin hapur sjellje qeramarrjeje (rent-seeking).
Priftërinjtë e politikës shqiptare përgëzojnë vetveten për “arritje” ndërkohë që vëndi boshatiset. Boshatisja, për më keq, merret si “lëvizje e lirë” dhe përgëzohet. Shumë rendisin mungesën e tregut të punës dhe shëndetësinë në arsyet kryesore të largimit. Shëndetësia, një tjetër “arritje” e priftërinjve politikanë shqiptarë, vazhdon të jetë në një gjëndje të mjerueshme. Pyetja që i duhet bërë prifit politik shqiptar është e thjeshtë: Ku vizitohesh dhe kurohesh ti dhe familja jote zotëri apo zonjë? Për aq kohë sa priftërinjtë politikanë shqiptarë kurohen e shërohen jashtë apo në spitalet private në Shqipëri, ata nuk kanë asnjë interes (stake) në zhvillimet e këtij institucioni. Dhe kostot e shëndetësisë mbahen nga ata të harruar e munguar që jetojnë jashtë. Kur në 2016 vizitova Komunën e Dragashit (Kosovë), në hyrje të qytezes ishte shpalosur një parrullë: Mire se vini emigrantë. Në Shqipëri termi emigrant është denigrues, qoftë nga institucione e qoftë nga njerëzit e biznese shqiptare. Bizneset e turizmit mbahen pikërisht nga të ardhurat e emigrantëve, nga ata që më shumë mungojnë.
Në të njëjtën mënyrë si “lëvizja e lirë,” përgëzohet edhe lëvizja e lirë e produkteve midis vëndeve Ballkanike. Fshatari shqiptar, i harruar nga të ashtuquajtura institucione shqiptare, ankohet se nuk konkurron dot me produktet fqinjë. Balanca tregtare e shpalos qartë këtë njëanshmëri. Në Gusht 2016, ndërsa vizitoja fshatin turistik të Tushemishtit, shoh një plak të ulur përtokë përballë shtëpisë e pastronte fasule. Kokërr më kokërr i pastronte dhe i vendoste të thaheshin mbi një pëlhurë tjetër. Pyetjes time mbi bujqësinë, iu përgjigj në këtë formë: “më shikon si jam ulur dhe pastroj fasulen? Si do konkurroj unë me maqedonsin apo serbin që kanë mjete të mekanizuara dhe mbështeten nga insitucionet e tyre përkatëse, si financiarisht si me gjëra të tjera të nevojshme për këtë punë?” Nuk ka nevojë për ekspertë për të parë sesi është situata në realitet. Thjesht fol me fshatarë!
Fshatari, për më keq – kështu shkon argumenti nga specialistët dhe fetarët politikanë shqiptarë – etiketohet si dembel dhe jo-besues, ndaj institucioneve dhe atyre që ndërmjetësojnë. Me këtë damkë etiketohet edhe ai që jeton në qytet por që refuzon të punojë, p.sh., me tarifën ditore.
Progresisti fetar me njërën dorë u tregon shqiptarëve lirinë e vendimit e veprimit individual; me dorën tjetër i qorton për veprimet që marrin. Harron progresisti fetar që individi vepron në një sfond të caktuar (background); dhe sfondet ndryshojnë nga fshati në fshat. Një shqiptar që emigron në një vend të zhvilluar është më produktiv atje për shkak të këtij sfondi. Këto janë mësimet e para elementare në ekonomi.
*          *          *
Një familje shumë e varfër shqiptare që mundi të çonte djalin e vogël për kurim në Itali më thanë në një moment të vështirë se vetë fakti që trajtoheshin si njerëz në spitalet italiane mjaftonte. Ky humanizëm nuk vjen me incentiva financiare. Për të munguarit dinjiteti dhe respekti janë dy virtyte që mungojnë krejtësisht nga institucionet e varfra shqiptare.
Carl von Ossietzky, Fitues i Nobel-it për Paqe në vitin 1935, refuzoi të linte Gjermaninë naziste sepse “burri flet me një zë bosh kur  largohet nga vëndi i vet.” Shpresoj se zërat e mijëra të munguarve, si brënda e jashtë vendit, mos të jenë boshe por të dëgjohen përtej realiteteve të vogla politike.

Friday, March 31, 2017

Prezantuesi shqiptar si mesues moral


 
Një teorist në Vendimarrje (Decision-Making) mori një ofertë pune dhe ishte në një dilemë: të vazhdonte aty ku ishte apo të shkonte tek ky vendi që iu ofrua. Një koleg i vetë i thotë: “Ç’po mendon kështu? Ti ke shkruajtur për këto gjëra kaq e kaq herë. Kalkulo ku të leverdis më shumë dhe shko.” “Oh,” i thotë teoricienti, “po kjo gjë është serioze.”
Po ta ndjekim me kujdes dialogun, është e qarte se ‘i dituri’ kur shkruan për të tjerë e vendos veten në një pozicion jashtë ngjarjes, d.m.th. ai nuk preket nga kushtet dhe është jashtë kontekstit. E njëjta situatë është me këshilltarët ekonomikë (tranzitologët) apo politikanë. Çfarëdo që të ndodhë ata nuk preken nga ndryshimet dhe e kanë një shpjegim për çdo gjë.
*       *       *
Në një emision (E Diela Shqiptare[1]) spikeri i drejtohet të ftuarës së tij dhe i thotë (pak a shumë në këto linja):
Tashmë që ju njohim paksa me mirë, që jeni kaq elokuente, e lexuar … si ka mundësi që keni marrë një vendim të gabuar vetëm para pak vitesh? Që do të thotë, t’i besoni Facebook-ut dhe në një kohë shumë të shkurtër të bëje këtë lidhje?
Për ata që se dinë situatën, e ftuara kishte njohur një person në FB, martuar e bërë me djalë dhe mbas disa viteve ishte ndarë nga i shoqi.
Emisione të tilla natyrisht sjellin dëgjues dhe të ardhura. Ajo që më shqetëson është konteti i pyetjeve të spikerit dhe bindja e plotë morale se ato që thoshte ishin të drejta. Shoh në emisione të tilla një gjëndje shpirtërore të shqiptarit që lë për të dëshiruar. Spikeri, si ai dialogu i mësipërm, e vendos veten jashtë situatës – një predikues moral – dhe në podiumin imagjinar kërkon shpjegime nga e ftuara, e jep (apo insinuon) versione të plota.
Ai është njeriu ‘i ditur’ që me diturinë që ka merr vendime për të ardhmen (të nesërmen) me një vendosmëri të hekurt. Nuk ka hapësirë për gabime. Ndiqeni: Si ka mundësi një njeri si ti (e lexuar etj.) të marrë vendim të gabuar? (Më shiko mua! sikur dëgjoj në sfond.) E ftuara ul kokën.
Ka pas dy sisteme – të dyja diktatoriale – që kan folur me një siguri 100%. Të flisje ndryshe nuk përfundoje mirë. Njërin e kemi pas jetuar disi, tjetrin e kemi me të lexuar. Dhe kjo tendencë sigurie e plotë la pasojat e veta sidomos tek klasa e ditur shqiptare që audiencat i ndjekin me një kërshëri fëmijnore.
*       *       *
Shkenca është një fushë që përparon në një formë induktive. Asgjë nuk është 100% e sigurtë. Gjërat janë të sigurta me probabilitet të bazuara në faktet që jepen në moment. Në një kohë tjetër gjërat ndryshojnë, teoritë ndryshojnë. Me një fjalë, e ardhmja nuk dihet. Projektohet, po; por jo me siguri.
Spikeri shqiptar (dhe të tjerët e emisioneve të tjera) nuk e kupton që e ardhmja nuk mund të dihet. Ai (apo ajo) nuk e kupton nocionin e lirisë.
Të jesh i lirë do të thotë të marrësh një vendim (për vedin) dhe përgjegjësitë e efekteve t’i mbash ti vetë. Liria presupozon pasigurinë. Siguria operon në një plan tjetër. Merr si shembull martesat e mëparshme me pleqëri. Ato ndodhnin në ambiente të vogla (fshati apo qyteza shqiptare) dhe ku shoqëria jonë ishte kaq e mbyllur. Martoheshin familjet jo njeri. Martesa ishte e sigurtë.
Sigurinë Perëndimit ia dha kisha (deri në një moment). Kur Zoti vdiq progresivisht njeri fitoi më shumë liri, d.m.th., pasiguri për veprimet e veta.
Spikeri shqiptar (dhe të ditur të tjerë) vjen nga bota Platonike e sigurisë së plotë. Bota njerëzore, siç e mendoj veda, është botë tjetër, është bota e Euripidit ku sot dikush është i lumtur dhe i ka të gjitha dhe të nesërmen më i vuajturi. Sepse shansi (apo fati siç i thotë populli) i ra atij/asaj.
Në botën e spikerit Dashuria është racionale, mund të matet e kthehet sa majtas e djathtas për tu peshuar. Nuk ka pse nxiton njeri. J. Kepler, astronomi gjigand, mbasi i vdiq gruaja e parë bëri një listë me 11 gra dhe i intervistoi për martesë. Mbas disa vitesh torture shumë gra u larguan dhe ai vazhdoi i pavendosur. Kepleri ngatërroi kekun me byrekun (siç i themi ne). Të llogarisësh matematikisht lëvizjet planetare është një gjë (keku, p.sh.), të llogarisësh sesi do sillet dikush – një njeri, pra – nesër është diçka tjetër (byrek). Të predikosh të parën është predikim par excellence. Të predikosh të sjelljet është degjenerim i fjalës predikim.
*       *       *
Dialogu midis spikerit dhe të ftuarës vazhdon: Vendimet duhet të merren mbasi ke konsultuar prindërit (mbase dhe fqinj e kushurinj). Nuk është më vendim individual të dashurosh, por kolektiv. Të gjithë duhet të kalkulojnë. Disa veta kanë më shumë informacion sesa ti i vetëm. Dhe më e rëndësishmja, faji s’të ngelet ty në fund, por të gjithë mbajnë nga një pjesë dhe jeta është e bukur; pak a shumë siç ishte më parë.     
Në një skeç të vjetër Çomes i vodhën lopën dhe komshinj e shokë që i erdhën ia vunë fajin 100% atij. “Pse s’fle me një sy hapur?” i thanë. “Po se dija o shokë,” bërtiste i varfëri. “Duhet ta kishe parashikuar,” vazhdon dialogu. Nuk ka hapsirë për justifikim. Ai duhet ta dinte qe do t’i vidhinin lopën. Këtu hajduti nuk dihet dhe faji i ngelet 100% personit.
Në rastin tonë platforma që i dha mundësinë dy personave të njiheshin dihet, dhe këtu spikeri shqiptar me një  mjeshtëri karakteristike të një predikuesi moral  kalon në botën e pasigurisë. Si i besove FB? pyet të ftuarën i habitur. Imagjinoni dy të rinj që takohen në një klub. Nëse mbas disa vitesh ata do ndaheshin (siç edhe disa ndahen) a do ishte normale që t’ia vinin fajin klubit apo plazhit ku u njohën?
Absurditetet vazhdojnë.  FB-ut, i kthyer kështu në një qënie, nuk i duhet besuar. Ai të gënjen dhe të çon në rrugë të gabuar. Po kujt t’i besojë njeri? Mbase Të Dielës Shqiptare!


[1] https://www.youtube.com/watch?v=bOM2EM8j2ow

Saturday, June 25, 2016

Fitorja e Kombëtares si orgji popullore


Shqipëria e humbur dhe ‘kombëtaria’ që fitoi; kështu e mendoj rastin e përfaqësimit të Shqipërisë në Europian-in e fundit. Mediat shqiptare të exaltuara deri në injorancë e idotësi raportonin ‘kuqezinjtë’ kudo si fitimtarë. Nuk fiton skuadra qe ikën, ajo është e humbur. Dhe ata që brohorasin për të humburën nuk janë fitues por humbës.
Një ndarje boshtore, për dikë arsyeton, vërehet në këtë situatë deri në keqardhje. Nga njëra anë një Shqipëri e varfër e cila nuk ofron asnjë prospekt për rininë e saj (apo për çdo qytetar të thjeshtë); vetë ‘kombëtaria’ shqiptare e provon këtë argument (të gjithë të ardhur nga jashtë) dhe rinia tifoze nw stadiumet e Francës që e shumta vinte nga vënde të tjera dhe jo nga Shqipëria. Një shqipatr i thjeshtë nuk mund të përballonte me qindra euro qëndrimin disaditor në një vënd si Franca: llogaritë po i lë t’i bëni vetë.
Nga ana tjetër shihje një tifozëri moderne ‘shqiptare’ të paprekur nga hallet shqiptare dhe pothuajse injorante. Do preferoja një ‘tifozeri’ shqiptare që ta braktiste ‘kombëtaren.’ Mbi ç’bazë? 
Arsyeja është e thjeshtë; çdo gjë që promovon përparimin e Shqipërisë nëpërmjet punësimit, hapjes së perspektivave duke luftuar këtë degjenerim politik që ka kapur çdo degë apo institucion duke përfshirë edhe sportin duhet përkrahur sidomos nga rinia e vendosur jashtë. E shoh fenomenin e fundit si një orgji popullore ku pasionet e momentit triumfojnë mbi arsyen; një harresë kombëtare si e dizenjuar dhe orkestruar për të brohoritur një diçka të paqënë. Kjo për më shumë vjen nga shqipëtaria e vendosur prej dekadash të tëra jashtë. Miliona u hodhën në blerje fanellash, flamurë, hoteleri e të tjera. Cili ishte impakti për ekonominë shqiptare?
Sikur të mendohet dhe reflektohet një moment, nga këta ‘patriotë,’ për cilin vend po brohorasin? Sikur të kthejnë kokën pas dhe të shohin se një vend – i ashtuquajtur, vendi i tyre, - nuk ofron asnjë perspektivë rinisë së vet që rri aty me sytë hapur dhe që vetëm në stacione private mund të shihnin ndeshjet e ‘kombëtares.’
Për ta përfunduar dhe kurorëzuar këtë orgji popullore ke edhe qeverinë shqiptare në krye të zhvillimeve që promovon futbollin e huaj – jo shqiptar sepse ‘kombëtaria’ është e huaj – me 1 milionë euro nga taksapaguesit shqiptarë. Thënia: “Injoranca e ndërthurur me fuqinë politike është armiku më i fortë i drejtësisë,” do provohej shume kollaj edhe në Shqipëri dhe jo vetëm në vënde perëndimore.

Saturday, March 26, 2016

Parku i liqenit dhe lisharësi mesdhetar

 
Nuk jam shumë në dijeni të problemit të parkut për fëmijë që po ngrihet tek liqeni; gjithashtu nuk jam i mirë-informuar për protestat kundra ngritjes se tij nga ana e ‘shoqërisë civile.’ Ajo që dua të flas ka të bëjë më konceptualizimin e gabuar në përgjithësi të këtij projekti nga ana e politikbërësve. Në një foto që pashë në gazetat shqiptare vura re një meshë hekuri gati për tu betonizuar; një pamje e njohur dhe e nevertishme.
Ofroj një pikëpamje si sinteze te parqeve që e kam vënë re gjatë qëndrimit tim në vënde të ndryshme të botës.
*          *          *
Në një park natyror buzë lumit të Saale-s (Gjermani) ka disa kënde lodrash për fëmijë. Kur i kam parë për herë të parë u çudita paksa pasi nga eksperienca në vënde të tilla si Itali apo Greqi një diçka të tillë nuk e kisha parë. Këndet janë të integruara me natyrën; ndërtimet me beton nuk ekzistojnë (apo shumë shumë pak) dhe toka ose është lënë në formën e saj natyrore ose mbuluar me eshkë druri apo rërë. Çudia më e madhe për mua ishte mungesa e asaj që ne quajmë lisharës (kolovançe në disa zona të tjera nëse jam korrekt). Me djalin e vogël, për herën e parë, i erdha rrotull një këndi për të gjetur atë gjë të përbashkët në zonën tonë të mrekullueshme të Mesdheut – lisharësin. Doja të vazhdoja në gjurmët e prindërve – çfarë mësohet në vogëli është e vështirë ta ndryshosh më vonë. Ndryshimi vjen nga konditat, njeriun është e vështirë ta ndryshosh. 
*          *          *
Çdo shoqëri i kushton vëmëndje të veçantë rritjes së fëmijëve; të lashtët në ngritjen dhe kodifikimin e kushtetutave këtë e kishin prioritet. Fëmijët do të ishte brezi i ardhshëm që do merrnin gjërat në dorë dhe qeverisnin në një të ardhme të afërt. Një edukim korrekt nuk është nevojë, është domosdoshmëri. Ekziston një shprehje në Amerikë – një New York-er lind me diplomë. Pse? Sepse edukohet që në fëmijëri me edukatën  (demokrato-) kapitaliste. E njëjta gjë mund të thuhet për një fëmijë gjerman. Që në vogëli ai/ajo nuk llastohet dhe përkundet në lishars – lisharsi të rrit dembel. Presupozon që dikush tjetër është aty dhe të përkund, edhe kurr rritesh. Piktura është e thjeshtë: në këndet në Shqipëri rreshtohen prindërit tek lisharësat dhe tundin fëmijët, sa para, sa mbrapa. Fëmijët flenë; po ndaloi dikush dëgjon britma. Shokuese! Eksperiencën italiane dhe greke tashmë e dimë mirë. 40 dhe 50-vjeçarët vazhdojnë të rrinë me prindërit. Mama dhe Manoula janë gjithmonë aty për gatimet, pastrimet, larjet dhe hekurosjet. Shumë të rinj në Shqipëri që kanë blerë shtëpite e tyre te cilen e ndajnë me mamanë (pastruesen).

Mamatë shqiptare janë në të njëjtën drejtim. Në këndet e fëmijëve në Shqipëri fëmijët dhe prindërit janë për paradë mode duke harruar faktin e thjeshtë se fëmijët duan të dalin për të luajtur, për tu bërë pis dhe zhytur në baltë. Kur bie shi në Shqipëri çdo gjë ndalon, “po bie shi” thuhet. Për gjermanin nuk ka kohë të keqe, por rroba të papërshtatshme. Në Shqipëri përpara se të dalë fëmija jashtë të luajë, krehet, krekoset, i vihet shalli dhe kapelja e bërë dhe e qëndisur nga gjyshja me kujdes. Këpucët e llustruara dhe pantallonat e hekurosura nuk mungojnë. Rrobat e shiut mungojnë si për të rriturit dhe fëmijët. Koha më e bukur për fëmijët humbet brënda në shtëpi apo nëpër qëndra tregëtare.
*          *          *
Ndërsa njeriu i thjeshtë mund të gabojë në zgjedhje që bën, politikani që ka ekipe (ose supozohet t’i ketë) nuk duhet të bëjë të njëjtat gabime në konceptualizimin e projekteve. Në këto projekte hidhen hapat e parë; edukimet e para bëhen aty. Nëse tendenca shoqërore është ajo që e dimë mirë, detyra e politikanit (dhe legjisluesit) të zgjuar dhe të matur është ‘të shtyjë lehtë’ dhe me përkëdheli nga drejtimi i duhur. Shqipëria ka shumë pak tokë; abuzimi me hekur e beton në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet. Ka mënyra të tjera për të ndërtuar projekte për fëmijë – është integrimi i këndeve me natyrën. Është ndërtimi me dru ku njeriu e ndjen veten më në paqe me natyrën, dhe lisharësi mundësisht të mos lejohet me ligj. Ose lisharësi i parë le të inagurohet nga politikani dhe të gjithë ata që e ndjekin le ta përkundin si fëmijën e tyre.