- Kur dikush kalon një eksperience të jashtëzakonshme ne dëgjojmë që të thuhet: “Sikur u rilinda përsëri!” Kjo që thuhet bën sens - megjithëse metaforikisht vetëm! - sepse personi në fjalë ka lindur njëherë (dhe këtë e dimë meqë flasim me një person dhe jo fantazmë); e njëta gjë nuk mund të thuhet për Rilindjen socialiste. Rilindja është në këtë sens një gjë boshe, pa kontent. Do të thotë që edhe forma i mungon, nuk mund të punosh mbi një gjë boshe (si p.sh., Rilindja) dhe të thuash që e ke kthyer në një produkt (si p.sh., zhvillimi i Shqipërisë). Nuk vjen gjë nga asgjëja (Creatio ex nihilo) përveç lekut që krijon Banka Qëndrore.
- Kur një biznesmen kërkon të blejë një kompani gjëja e parë është vleresimi i kompanisë nëse ka fuqi aktuale prodhuese (çfarëdo qoftë ajo). Kur pushteti u mor nga socialistët, kompania shqiptare vlente sa borxhi i vet. Ekonomia ishte në një gjëndje të mjerueshme. (Analogjia që bëj është jo e rregullt sepse shteti nuk mund të krahasohet me kompani biznesi. Por në terma të përgjithëshme ideja qëndron.) Njerëzit nga mosdija flasin gjithmonë për potencial duke thënë p.sh.: shiko sa djem të rinj e të reja ka që janë të shkolluar; shiko sa burime ka Shqipëria etj., gjithmonë me tendencën që një potencial ka mundësinë të aktualizohet për më mirë. Mësim: një potencial është e vërtetë që mund të aktualizohet per mire me kushtin që rrethanat të jenë të favorshme por një potencial mund të aktualizohet edhe për më keq. Shih rastin e zhvillimit të Shqipërisë!
- Kur demokratët ia vënë fajin socialistëve për këtë gjëndje ata pa ditur ia vënë fajin vetes sepse gjatë 25 vjetëve kanë dominuar shtetin dhe politikat e zhvillimit, ose më mirë t’i quajmë jo-politika të jo-zhvillimit. Brënda 2 muajve kemi dëgjuar palën kosovare dhe atë shqiptare t’ju luten shqiptarëve të mos largohen. Hipokrizia është e dukshme por më në fund kemi një zhvillim mendimi dhe reflektimi: nuk mund të vazhdohet më me vjedhje sepse po ikën të gjithë asgje nuk ngelet për tu vjedhur! Një parrullë mësimi për zgjedhje do të ishtë (drejtuar politikanëve): “Silluni mirë se për ndryshe ikëm!” Për të sjellë përsëri analogjinë me biznesin, nëse nuk na pëlqen një produkt ne nuk e blejmë dhe shkojmë diku tjetër (emigrojmë diku tjetër!). Topi është kështu në fushë të politikanit; ai/ajo duhet t’ju japë argumente shqiptarëve se përse nuk duhet ta lënë Shqipërinë.
- Alternativa e zhvillimit të Shqipërisë nuk mund të jetë e shkëputur nga zhvillimet botërore (dhe Europiane). Greqia që pati guximin të nxirrte një alternativë tjetër po e kupton shkallën e vështirësisë. Greqia nuk ka bankë të vetën që të mund të prodhojë para (Euro) nga asgjëja, banka qëndrore është ajo e Bashkimit Europian (e cila ndodhet ne Frankfurt). Shqipëria kishte një mundësi apo alternativë zhvillimi direkt mbas ndryshimit të sistemit që e humbi. Mundësia ishte potenciale. Pse? Imagjino dy persona, njëri/a biznesmen dhe tjetri/a pa eksperience, pa shkollim, i vafër (mbase) etj. Nëse të dyve u jepet një shans për biznes (tregëti etj.) personi i parë është më mirë i pozicionuar për ta marrë hapin (dhe përqafojë shansin) sesa i dyti. Për të dytin shansi i dhënë zëre se nuk ekziston. I njëjti fenomen ndodhi me Shqipërinë. Niveli shumë i ulët i burimeve njerëzore, mungesa e elitave intelektuale (një e keqe historike kjo) dhe infrastrukturës bënë që ne të mos ishim në gjëndje ta kuptonim atë mundësi (shans) si të tillë.
- Një alternativë zhvillimi, kështu të paktën flitet nga qeveritarë, është zhvillimi i bujqësisë. Çfarë nuk kuptohet është: nuk ka zhvillim bujqësor pa zhvillim industrial. Ose e paraqitur matematikisht: Industri -> Bujqësi. Qytezat shqiptare u formuan prej zhvillimeve industriale – fshatari (apo rinia) lë tokën dhe kërkon jetë më të kënaqshme në qytet (si krah i lirë i punës). Popullsia fshatare pakësohet, Disa i shesin tokat, mjete pune (d.m.th., traktore) kërkohen që të zëvendësojnë krahët e njerzve etj. etj.
- Është në sensin e pikës (5) që Rilindja socialiste i ngjason Rilindjes së Naim Frashërit kaq bukur e shkruajtur në Bagëti e Bujqësi. Një notë nga Rilindasit Europianë dhe specifikisht Sandor Petőfi do ishte për tu admiruar: nuk ka zhvillim dhe progres pa shtruar hekurudha, shkruante ai nw mes te shek. IX (me Bagëti e Bujqesi do ngelemi në këmbë të gjithë, dhe në këmbë njeriu lodhet shpejt). “Po ku ta gjejmë hekurin?” e pyesin Petofi-n e famshëm; “nga zinxhirët dhe zgjedha rreth qafës,” ishte përgjigja. Një përgjigje metaforike por ideja është e qartë; asnjë kilometër hekurudhë nuk është shtruar në Shqipërinë demokratike. Në planin e zhvillimit të Rilindjes zhvillimi industrial nuk shihej gjëkundi; vëndet strategjike të partneritetit ngelen Itali dhe Greqi, vënde nga të cilat nuk mund të marrësh (apo përfitosh) tashmë asgjë përveç se si të “hash suflaqi” dhe të “vishesh me Gucci.” Zhvillimi industrial i Kinës është prioritet strategjik; elita politike në Kinë janë inxhiniera. Elita politike në Shqipëri janë aktorë e poetë, mjek e të rinj (apo të reja) pa punuar asnjë ditë në një profesion etj.
- E keqja pastaj vazhdon kur kritikat jepen pastaj përsëri nga vetë poetët dhe artistët elitarë. Një tragji-komedi e luajtur në kohë reale. Një komedi nga Bashkimi Sovjetik: treni ndalon rrugës dhe Stalini urdhëron që makinisti të fshikullohej dhe dënohej. Mbas Stalinit, Krushevi urdhëroi që makinistin ta riabilitonin, por treni përsëri nuk lëvizte. Brezhnievi dha një ide tjetër: Le të pretendojmë se treni po lëviz. Pretendimi mund të zgjasë vetëm për aq kohë sa ana materiale mbështet ideologjinë në fjalë.
Thursday, April 23, 2015
Rilindja: Bagëti e Bujqësi
Tuesday, March 10, 2015
Dy fjalë mbi Kanunin dhe bullshitologjinë[1] e bullshitologëve
Prof. Tarifa e fillon artikullin[2]
e vet mbi simbolikën e gjakut me thëniet e disa hulumtuesve te njohur (Durham,
Durkheim, Kadare) dhe argumenton me ta se çdo gjë në Kanun dhe jetën e malësorit
shqiptar është e lidhur me gjakun. “Gjaku,”
pohon Prof. Tarifa, “ishte elementi qëndror i kozmogonisë së malësorit” ose e thënë
në shqip: çdo gjë në Kanun dhe jetën e malësorit është ndërtuar duke pasur si parim bazë gjakun, apo gjakmarrjen. E
paraqitur si pikturë e thjeshtë: Baza është gjakmarrja; çdo institucion tjetër
ngrihet mbi të dhe sipas kërkesave të
gjakmarrjes. (Një shëmbëllture Marksiste, në të vërtetë; ekonomia baza dhe çdo
gjë tjetër – institucion, apo superstrukturë siç e quajti ai – ngrihet mbi të.)
Kjo është bullshitologji
e kullluar. Nuk është aspak e çuditshme se pse shkencat sociale vuajnë nga
efekti i bullshitologjisë. Këto shkenca vuajnë tmerësisht dhe agonizojnë për të
kthyer çdo fenomen apo dukuri shoqërore në ekuacione të thjeshta Newton-iane. Të
kuptosh një fenomen, thotë Helmholtz, duhet ta kthesh atë në ligje Newton-iane;
të tipit, p.sh., X -> Y (Nëse X, atëherë Y).
Funksionalizmi si
jo-shpjegues
Disa pyetje kërkojnë
shpjegime; kur pyesim se “pse” diçka (institucion social, fenomen etj.) është në
ate formë që është, përgjigja kërkon domosdoshmërisht një shpjegim të tippit
“sepse.” Dy probleme na paraqiten: (1) përshkrimi i saktë i fenomenit (që po e
anashkalojmë) dhe (2) arsyeja se pse është ashtu siç paraqitet.
Sipas teorise së gjakut
ne mund të pyesim, p.sh., Pse ekziston institucioni i Nderës (Libri VIII)? Përgjigja,
siç e kuptoj unë, është diçka e tillë: Sepse shërben për të ruajtur nderin (dhe
gjakun). Një argument i reduktuar në absurditet (reductio ad absurdum). Dhe absurditeti u nevojitet shkrimtarëve dhe
(disa) sociologëve për ta bërë argumentin që të duket i thellë; njerëzve u pëlqejnë
argumentet e thella që nuk i kuptojnë.
Në këtë rast efekti i fenomenit paraqitet si shpjegim (shkak) për fenomenin – një
argument që sfidon edhe ligjet e Logjikës. Efekti në Logjikë vjen mbas shkakut
dhe në rastin e mësipërm nuk kuptohet se kush është “shkaku” e kush është
“efekti.”
Disa gjëra që janë përpara
syve nuk besohen sepse shkencëtarët, siç edhe njerëzit e thjeshtë, kanë besimet
e tyre. Harta e botës, p.sh., tregonte qartë se brigjet e Europës dhe Afrikës përshtateshin
në mënyrë perfekte me brigjet e Amerikave (të Jugut dhe Veriut); dhe përsëri
gjeofizicistët nuk mund ta pranonin sepse nuk ekzistonte një teori e lëvizjes
kontinentale (deri në 1960).
At Sh. Gjeçov dinte më mirë;
vepra e tij e konfirmon. Gjaku merret sepse mban nderën dhe jo anasjelltas. Me fjalë të tjera, gjaku donte gjak për
mbajtjen e nderës dhe jo për mbajtjen e gjakut. Kapitulli mbi gjakun gjendet
tek (brënda) Libri VIII dhe i shërben Nderës. Akili në Iliad-ën e Homerit kërkon hakmarrje (gjakmarrje!) ndaj Agamemnonit sepse ky i fundit e feu – i preku
nderën - duke i marrë atë që i takonte një luftëtari në ndarjen e plaçkës.
Mujit në epikën shqiptare gjithashtu i preket ndera kur Paji Harambash
keqtrajton një orë malit. Në të dyja
rastet nuk u derdh gjak, por gjak u kërkua.
Pse? Për te ruajtur nderën. Pa nderën, një burrë konsiderohet i vdekur.
Gjithashtu Libri i X ku
flitet për ndëshkimet ka të dhëna mbi gjakun por nuk është themel i Kanunit dhe
jetës së malësorit. Ndëshkimi kapital i është lënë
individit (burrit) në Kanun sepse ai është burrë i ndershëm (A je burrë?). Në shtetin modern, shteti
ka fuqi monopoli mbi ndëshkimin; individi, siç thoshte Hume, është horr e
batakçi (knave) – institucionet shtetërore (ekzekutivi, legjislativi dhe
gjyqsori) janë ndërtuar mbi këtë parim. Në Kanun njeriu është i ndershëm – i
mirë. Ekzekutivi mungon (për arsye historike etj.) dhe individi është përgjegjës
për aktet dhe aktivitetin e tij. (Padre
Valentini dhe Malcolm i cili mbështetet në veprën e tij e kanë kuptuar Kanunin
shumë herë më mirë; ata japin katër parime bazë mi të cilat Kanuni mbështetet.
Nuk është studim i plotë por shumë më e qartë se studimet shqipatre.)
Në modernizëm aparate të tëra shtetërore
ingranohen për gjetjen e vrasësit, dëshmitarëve etj. (sa fonde të taksapaguesve
shkojnë në këto drejtime? Sa korrupsion ka me pagesa e favorizma?); vrasësi
sipas Kanunit dihej kush ishte (agjent dhe prokuror ishin një). Kur ekzekutivi ekzistonte (si p.sh., në luftën
për mbrojtjen e trojve kunër Malajzezve) gjaksia ndalohej rreptësisht (shih
Fishtën, Lahuta).
Dy detyra të ndryshme
Kadare me veprën Prill i Thyer kryen të njëjtin gabim; ai e redukton Kanunin në një
Kushtetutë (institucion) dhe përsëri kjo kushtetutë ngrihet mbi simbolikën e
gjakut. Në vazhdimësi, Kadare e kthen mikpritjen në një teori moderne
utilitariane - mikpritja është një shpërblim për jetën e mundishme të malësorit,
një lloj pushimi e parajse këtu në tokë. Kanuni
ishte mënyre jetese, jo kushtetutë; e sanksionuar nga populli dhe jo e
dizenjuar nga elita që shkruajnë kushtetuta. Institucioni i mikpritjes nuk është
për të përfituar një kënaqesi dhe për tu nderuar si gjysëm-zot për një natë
(kjo është ide mikro-borgjeze do thoshte Marksi); mikpritja (për të përmendur
vetëm disa gjëra) lidh fise dhe inicion marrëdhënie (ekonomike e të tjera),
bashkon në rast rreziku, dhe organizon – mikpritja i bën shqiptarët kudo që janë
të përgjigjen se kanë një veçori që karakterizon shqiptarin që është të nderojë
mikun etj.
Detyra e shkrimtarit është të shesë sa më shumë
libra (dhe fitojë ndonjë çmim); por ajo e hulumtuesit, para së gjithash, të japë
dhe ofrojë qartësi. Dhe qartësia kërkon
një mendim kritik i gjërave që janë thënë e thuhen. J. Wilkes ankohet në librin e
tij The Illyrians se autorët e vjetër
i kishin lënë mbas dore Ilirët duke i
raportuar vetëm nëpër shënime në fund të faqeve dhe ai do nxjerrë në dritë
historinë e vërtetë të tyre; kur fillon dhe lexon librin e tij Ilirët zhyten më
thellë në obskurantizëm. Shkrimtarët dhe hulumtuesit shqiptarë, kam frikë se,
kanë të njëjtat faje. Duke dashur të tregojnë diçka ndryshe më shumë paqartësira
sjellin me veprat e tyre, argumente jo-llogjike dhe mungese mendimi kritik. Një
parim i thjeshtë (Wittgenstein): Nëse nuk e di dicka më mirë është të heshtësh.
Grekët e lashtë e praktikonin (shih Sokratin që rrinte me orë të tëra pa folur
duke menduar).
Kanuni kundra Socializmit
Prof. Tarifa argumenton se socializmi
triumfoi kundra “njeriut të Kanunit” (si kundrapërgjigje ndaj Nebi Bardhoshit;
veprën e të cilit nuk e kam lexuar dhe argumentat e tij nuk i di). Unë do
argumentoja, me Zizek, dhe do thosha se jam më shumë i shqetësuar për ditën e
nesërme (the next day) – d.m.th., mbas atij revolucioni
socialist që shëndërroi Shqipërinë nga agrare në industrialo-agrare, jam i
shqetësuar për këto 25 (dhe sa të tjera që do kalojnë) vjet që Shqipëria u shëndërrua
përsëri në një vënd agrar. Trashëgimia socialiste – për atë që Prof. Tarifa nuk
flet – ka qënë dhe ngelet devastuese. Ky shpërfytyrim erdhi nga njeriu i përparuar i realizmit socialist (më lejoni të prezantoj një kategori të re analitike, njeriu i përparuar fushor) që edhe
sot e kësaj dite mundohet të racionalizojë dhe japë pros (të mirat) dhe cons (këqijat)
të atij sistemi.
Prandaj, për ta përfunduar, Kanuni ka
triumfuar (edhe pse idealisht) dhe parimet e tij gjejnë aplikim dhe në ditët e
sotshme. Për të përmendur vetëm disa, Paprekshmëria
e pronës private dhe asaj kolektive ngelen për tu admiruar.
Ekonomia e tregut thuhet se nuk punon kur nuk
ka të drejta mbi pronën private; gjithashtu besueshmëria është faktor determinues në ekonominë e tregut pasi ul
kostot e tranzakcionit – rol të cilin e luante besa (përveç roleve të tjera). Prona dhe pasuria kolektive
shqiptare e përvetsuar për interesa vetiake gjatë kohës së degjenerimit
demokratik kurrë nuk do lejohesh nga ligjet kanunore.
[1] E adoptoj këtë fjalë nga J. Elster.
[2] Fatos Tarifa “Simbolika e gjakut, kujtesa kolektive, dhe e kaluara si ‘invadim’ i së
tashmes.” Postuar më: 28 Shkurt 2015. http://www.mapo.al/2015/02/simbolika-e-gjakut-kujtesa-kolektive-dhe-e-kaluara-si-invadim-i-se-tashmes/
Monday, February 2, 2015
Mbi Korrupsionin: Pjesa II - nje sinteze dialektike
Sot në mediat shqiptare u dha lajmi se qytetarët
shqiptarë do të kenë akses në një faqe zyrtare ku ata/ato do te mund te
denoncojne afera korruptive. Faqja eshte e thjeshte dhe praktike por e
pambaruar; personit i jepet mundesia te jete “Anonim” ose “Jo” dhe jape
informacionin mbi aferen korruptive. Por edhe pse dikush mund te zgjedhë
“Anonim” përsëri i kërkohet (a) adresa dhe (b) emaili. Ndersa emailin dikush
mund ta fshehë për të mbrojtur identitetin, adresën askush nuk mundet ta
fshehe. Përkufizimi i adresës është bërë për të identifikuar. D.m.th., edhe pse
denoncuesit i jepen dy (2) zgjedhje per qëndrimin anonim: (a) PO ose (b) JO kërkesa
për adresë e transformon zgjedhjen e lirë të qytetarit në “Jo Anonim” – një
sintezë brilante dialektike.
- Thashë më lartë që faqja është e pambaruar sepse do të ishte (për mua) e plotë nësë ato gjëra që denoncohen shfaqen po aty. D.m.th., nëse dikush X denoncon një aferë korruptive atëherë një person i dytë, tretë etj. mund të ketë mundësinë të japë fakte të tjera për rastin në fjalë
a.
Imagjinoni
dikë që i del emri aty, si fletërrufe ne kohën e komunizmit, dhe aferat
korruptive që ka qënë i përfshirë – një ndëshkim i rëndë paraprak!
b.
Kjo
pjesë shtesë do i paraprinte edhe një problemi që nuk e di nësë dizenjuesit e
kanë menduar. Si do t’i ndjekin këto çështje një nga një? Sa të besueshme do
jenë denoncimet? Çfarë fuqie buxhetore ka ky departament për të ndjekur çështjet,
etj.
- Për korrupsionin nuk është përgjegjës vetëm ai/ajo që merr paratë por edhe ai/ajo që jep. Të dënosh vetëm personat që marrin rrushfet është ta lësh punën përgjysëm (dhe një punë e lënë përgjysëm është dhe mbetet e pambaruar).
Sunday, February 1, 2015
Dy fjalë mbi Lahutën e Malcis
Diku lexova mbi një propozim që vepra e Fishtës Lahuta e Malcis të përkëthehet në gjuhën shqipe letrare në mënyrë që
të jetë e aksesueshme për të gjithë. Kështu siç shtrohet ky propozim duket se
problemi kryesor është: vepra e Fishtës nuk është e aksesueshme sepse është e
shkruajtur në një dialekt që vetëm një pjesë e Shqipërise e kupton. Ndërsa nuk
kam problem me çështjen (e problemit), shoh një gabim të rëndë me zgjidhjen e
tij. Ndërsa për dekada të tëra kjo kryevepër u injorua nga injorantët komunistë,
tani në një epokë demokratike ku prapë injoranca mbretëron supreme kësaj vepre
kërkohet t’i jepet një goditje finale.
Nëse gjysma e Shqipërise e kupton veprën e Fishtës ne duhet të jemi
gjysëm të kënaqur dhe ndihmojmë gjysmën tjetër që ta lexojë në origjinal.
Përpara disa kohësh një Patër (fatkeqësisht nuk ia mbaj mend emrin)
argumentonte dhe thoshte se vepra e Fishtës duhet të jetë e detyrueshme në
shkollat shqiptare. Kjo kërkesë ishte, per mendimin tim, shumë modeste. Mendoj që
brënda fakultetit të Filologjisë duhet të ketë një departament të veçantë që
merret jo vetëm me vepren e Fishtës por dhe Kanunin
e Gjeçovit. Në Itali nëpër shkolla të mesme nxënësit janë të detyruar të
studiojnë Latinishten dhe Greqishten e Vjetër. Ne nuk mund ta bëjmë një gjë të
tillë – por çfarë mund të bëjmë është që të detyrojmë nxënësit dhe studentet të
lexojnë Fishtën në origjinal. Dhe një efekt dytësor dhe i mirëpritur do të jetë
që një pjesë e mirë e atyre që më parë nuk i kuptonin veriorët, do fillojnë t’i
kuptojnë më mirë; madje do të angazhohen në biznese dhe afera të
tjera.
Në një film që portretizon LNÇ një aktor duke folur me ndërtuesit
partizanë përsëriste shprehjen “Po me urën ç’patën xhanëm?” Po të uleshin të
gjithë e diskutonin se pse e prishën urën gjermanët, ajo urë nuk do ndërtohesh
kurrë; ajo punë nuk do të fillonte kurrë sepse kapacitet njerëzore e materiale nuk
ekzistonin (“Sikur te kishim ca qereste!”) etj. Po te ecet me mendimin se gjysma
e Shqipërisë nuk e kupton dialektin verior natyrisht që gjysma nuk e kupton veprën e Fishtës. Nëse
rinia shkollore prezantohet me këtë vepër dhe dialektin geg atëherë pjesa më e
vështirë do konsiderohesh e kaluar. Kur njeriu i ekspozohet arsyes ai fillon
dhe arsyeton. Psikologet e dinë shumë mirë faktin që njeriun është e vështirë
ta ndryshosh (madje për disa mbase edhe e pamundur). Por ndrysho ambientin
rreth tij/saj dhe njeriu fillon dhe ndryshon (adoptohet etj.).
Lahuta e Malcis nuk është kryevepra e Fishtës; kjo është njëlloj sikur të thuhet Iliada është kryevepra e Homerit – një
tautologji (si shprehja: fshati që duket nuk do udhërrëfues). Sikur Iliada është fillimi i historisë greke
dhe Europiane, gjithashtu Lahuta është
(për mua të paktën) fillimi i historisë shqiptare. Dikush do habitej dhe do
thoshte por ajo është shkruajtur vonë! Si mund të deklarosh diçka të tillë?
Nëse Iliada krijoi atë frymë unitare e të përbashkët greke e përmendur
gjeratë mbas gjenerate nga filozofë e historianë kështu edhe Lahuta na sjell në Shqipëri një frymë
shqiptare e identitet të përbashkët. Në këtë aspekt ajo si kryeveper shqiptare
bashkon dhe jep shpresë atje ky shpresa nuk ishte. Fishta nuk shkruajti një
dokument historik por një monument që i reziston kohës (30.23). Mbas më shumë
se dy (apo të themi 7-të po të përfshijmë edhe kohën e komunizmit) dekadash
pashprese e varfërie shpirtërore, tashmë mbase ka ardhur koha të gjejmë shpresë
e ndriçim në kryeveprën shqiptare. Ashtu si epika Homeriane vazhdon sot e kësaj
dite studiohet jo vetëm nga filologë e historianë në gjuhën e vjetër, ashtu dhe
epika Fishtiane duhet studiuar në origjinalitetin e saj. Tek burimi i Fishtës të gjithë (shkencëtarët) shqiptarët
duhet (nëse mund tw shprehesha kështu) të pinë një gllënkë ujë.
Subscribe to:
Posts (Atom)