Friday, March 31, 2017

Prezantuesi shqiptar si mesues moral


 
Një teorist në Vendimarrje (Decision-Making) mori një ofertë pune dhe ishte në një dilemë: të vazhdonte aty ku ishte apo të shkonte tek ky vendi që iu ofrua. Një koleg i vetë i thotë: “Ç’po mendon kështu? Ti ke shkruajtur për këto gjëra kaq e kaq herë. Kalkulo ku të leverdis më shumë dhe shko.” “Oh,” i thotë teoricienti, “po kjo gjë është serioze.”
Po ta ndjekim me kujdes dialogun, është e qarte se ‘i dituri’ kur shkruan për të tjerë e vendos veten në një pozicion jashtë ngjarjes, d.m.th. ai nuk preket nga kushtet dhe është jashtë kontekstit. E njëjta situatë është me këshilltarët ekonomikë (tranzitologët) apo politikanë. Çfarëdo që të ndodhë ata nuk preken nga ndryshimet dhe e kanë një shpjegim për çdo gjë.
*       *       *
Në një emision (E Diela Shqiptare[1]) spikeri i drejtohet të ftuarës së tij dhe i thotë (pak a shumë në këto linja):
Tashmë që ju njohim paksa me mirë, që jeni kaq elokuente, e lexuar … si ka mundësi që keni marrë një vendim të gabuar vetëm para pak vitesh? Që do të thotë, t’i besoni Facebook-ut dhe në një kohë shumë të shkurtër të bëje këtë lidhje?
Për ata që se dinë situatën, e ftuara kishte njohur një person në FB, martuar e bërë me djalë dhe mbas disa viteve ishte ndarë nga i shoqi.
Emisione të tilla natyrisht sjellin dëgjues dhe të ardhura. Ajo që më shqetëson është konteti i pyetjeve të spikerit dhe bindja e plotë morale se ato që thoshte ishin të drejta. Shoh në emisione të tilla një gjëndje shpirtërore të shqiptarit që lë për të dëshiruar. Spikeri, si ai dialogu i mësipërm, e vendos veten jashtë situatës – një predikues moral – dhe në podiumin imagjinar kërkon shpjegime nga e ftuara, e jep (apo insinuon) versione të plota.
Ai është njeriu ‘i ditur’ që me diturinë që ka merr vendime për të ardhmen (të nesërmen) me një vendosmëri të hekurt. Nuk ka hapësirë për gabime. Ndiqeni: Si ka mundësi një njeri si ti (e lexuar etj.) të marrë vendim të gabuar? (Më shiko mua! sikur dëgjoj në sfond.) E ftuara ul kokën.
Ka pas dy sisteme – të dyja diktatoriale – që kan folur me një siguri 100%. Të flisje ndryshe nuk përfundoje mirë. Njërin e kemi pas jetuar disi, tjetrin e kemi me të lexuar. Dhe kjo tendencë sigurie e plotë la pasojat e veta sidomos tek klasa e ditur shqiptare që audiencat i ndjekin me një kërshëri fëmijnore.
*       *       *
Shkenca është një fushë që përparon në një formë induktive. Asgjë nuk është 100% e sigurtë. Gjërat janë të sigurta me probabilitet të bazuara në faktet që jepen në moment. Në një kohë tjetër gjërat ndryshojnë, teoritë ndryshojnë. Me një fjalë, e ardhmja nuk dihet. Projektohet, po; por jo me siguri.
Spikeri shqiptar (dhe të tjerët e emisioneve të tjera) nuk e kupton që e ardhmja nuk mund të dihet. Ai (apo ajo) nuk e kupton nocionin e lirisë.
Të jesh i lirë do të thotë të marrësh një vendim (për vedin) dhe përgjegjësitë e efekteve t’i mbash ti vetë. Liria presupozon pasigurinë. Siguria operon në një plan tjetër. Merr si shembull martesat e mëparshme me pleqëri. Ato ndodhnin në ambiente të vogla (fshati apo qyteza shqiptare) dhe ku shoqëria jonë ishte kaq e mbyllur. Martoheshin familjet jo njeri. Martesa ishte e sigurtë.
Sigurinë Perëndimit ia dha kisha (deri në një moment). Kur Zoti vdiq progresivisht njeri fitoi më shumë liri, d.m.th., pasiguri për veprimet e veta.
Spikeri shqiptar (dhe të ditur të tjerë) vjen nga bota Platonike e sigurisë së plotë. Bota njerëzore, siç e mendoj veda, është botë tjetër, është bota e Euripidit ku sot dikush është i lumtur dhe i ka të gjitha dhe të nesërmen më i vuajturi. Sepse shansi (apo fati siç i thotë populli) i ra atij/asaj.
Në botën e spikerit Dashuria është racionale, mund të matet e kthehet sa majtas e djathtas për tu peshuar. Nuk ka pse nxiton njeri. J. Kepler, astronomi gjigand, mbasi i vdiq gruaja e parë bëri një listë me 11 gra dhe i intervistoi për martesë. Mbas disa vitesh torture shumë gra u larguan dhe ai vazhdoi i pavendosur. Kepleri ngatërroi kekun me byrekun (siç i themi ne). Të llogarisësh matematikisht lëvizjet planetare është një gjë (keku, p.sh.), të llogarisësh sesi do sillet dikush – një njeri, pra – nesër është diçka tjetër (byrek). Të predikosh të parën është predikim par excellence. Të predikosh të sjelljet është degjenerim i fjalës predikim.
*       *       *
Dialogu midis spikerit dhe të ftuarës vazhdon: Vendimet duhet të merren mbasi ke konsultuar prindërit (mbase dhe fqinj e kushurinj). Nuk është më vendim individual të dashurosh, por kolektiv. Të gjithë duhet të kalkulojnë. Disa veta kanë më shumë informacion sesa ti i vetëm. Dhe më e rëndësishmja, faji s’të ngelet ty në fund, por të gjithë mbajnë nga një pjesë dhe jeta është e bukur; pak a shumë siç ishte më parë.     
Në një skeç të vjetër Çomes i vodhën lopën dhe komshinj e shokë që i erdhën ia vunë fajin 100% atij. “Pse s’fle me një sy hapur?” i thanë. “Po se dija o shokë,” bërtiste i varfëri. “Duhet ta kishe parashikuar,” vazhdon dialogu. Nuk ka hapsirë për justifikim. Ai duhet ta dinte qe do t’i vidhinin lopën. Këtu hajduti nuk dihet dhe faji i ngelet 100% personit.
Në rastin tonë platforma që i dha mundësinë dy personave të njiheshin dihet, dhe këtu spikeri shqiptar me një  mjeshtëri karakteristike të një predikuesi moral  kalon në botën e pasigurisë. Si i besove FB? pyet të ftuarën i habitur. Imagjinoni dy të rinj që takohen në një klub. Nëse mbas disa vitesh ata do ndaheshin (siç edhe disa ndahen) a do ishte normale që t’ia vinin fajin klubit apo plazhit ku u njohën?
Absurditetet vazhdojnë.  FB-ut, i kthyer kështu në një qënie, nuk i duhet besuar. Ai të gënjen dhe të çon në rrugë të gabuar. Po kujt t’i besojë njeri? Mbase Të Dielës Shqiptare!


[1] https://www.youtube.com/watch?v=bOM2EM8j2ow

Saturday, June 25, 2016

Fitorja e Kombëtares si orgji popullore


Shqipëria e humbur dhe ‘kombëtaria’ që fitoi; kështu e mendoj rastin e përfaqësimit të Shqipërisë në Europian-in e fundit. Mediat shqiptare të exaltuara deri në injorancë e idotësi raportonin ‘kuqezinjtë’ kudo si fitimtarë. Nuk fiton skuadra qe ikën, ajo është e humbur. Dhe ata që brohorasin për të humburën nuk janë fitues por humbës.
Një ndarje boshtore, për dikë arsyeton, vërehet në këtë situatë deri në keqardhje. Nga njëra anë një Shqipëri e varfër e cila nuk ofron asnjë prospekt për rininë e saj (apo për çdo qytetar të thjeshtë); vetë ‘kombëtaria’ shqiptare e provon këtë argument (të gjithë të ardhur nga jashtë) dhe rinia tifoze nw stadiumet e Francës që e shumta vinte nga vënde të tjera dhe jo nga Shqipëria. Një shqipatr i thjeshtë nuk mund të përballonte me qindra euro qëndrimin disaditor në një vënd si Franca: llogaritë po i lë t’i bëni vetë.
Nga ana tjetër shihje një tifozëri moderne ‘shqiptare’ të paprekur nga hallet shqiptare dhe pothuajse injorante. Do preferoja një ‘tifozeri’ shqiptare që ta braktiste ‘kombëtaren.’ Mbi ç’bazë? 
Arsyeja është e thjeshtë; çdo gjë që promovon përparimin e Shqipërisë nëpërmjet punësimit, hapjes së perspektivave duke luftuar këtë degjenerim politik që ka kapur çdo degë apo institucion duke përfshirë edhe sportin duhet përkrahur sidomos nga rinia e vendosur jashtë. E shoh fenomenin e fundit si një orgji popullore ku pasionet e momentit triumfojnë mbi arsyen; një harresë kombëtare si e dizenjuar dhe orkestruar për të brohoritur një diçka të paqënë. Kjo për më shumë vjen nga shqipëtaria e vendosur prej dekadash të tëra jashtë. Miliona u hodhën në blerje fanellash, flamurë, hoteleri e të tjera. Cili ishte impakti për ekonominë shqiptare?
Sikur të mendohet dhe reflektohet një moment, nga këta ‘patriotë,’ për cilin vend po brohorasin? Sikur të kthejnë kokën pas dhe të shohin se një vend – i ashtuquajtur, vendi i tyre, - nuk ofron asnjë perspektivë rinisë së vet që rri aty me sytë hapur dhe që vetëm në stacione private mund të shihnin ndeshjet e ‘kombëtares.’
Për ta përfunduar dhe kurorëzuar këtë orgji popullore ke edhe qeverinë shqiptare në krye të zhvillimeve që promovon futbollin e huaj – jo shqiptar sepse ‘kombëtaria’ është e huaj – me 1 milionë euro nga taksapaguesit shqiptarë. Thënia: “Injoranca e ndërthurur me fuqinë politike është armiku më i fortë i drejtësisë,” do provohej shume kollaj edhe në Shqipëri dhe jo vetëm në vënde perëndimore.

Saturday, March 26, 2016

Parku i liqenit dhe lisharësi mesdhetar

 
Nuk jam shumë në dijeni të problemit të parkut për fëmijë që po ngrihet tek liqeni; gjithashtu nuk jam i mirë-informuar për protestat kundra ngritjes se tij nga ana e ‘shoqërisë civile.’ Ajo që dua të flas ka të bëjë më konceptualizimin e gabuar në përgjithësi të këtij projekti nga ana e politikbërësve. Në një foto që pashë në gazetat shqiptare vura re një meshë hekuri gati për tu betonizuar; një pamje e njohur dhe e nevertishme.
Ofroj një pikëpamje si sinteze te parqeve që e kam vënë re gjatë qëndrimit tim në vënde të ndryshme të botës.
*          *          *
Në një park natyror buzë lumit të Saale-s (Gjermani) ka disa kënde lodrash për fëmijë. Kur i kam parë për herë të parë u çudita paksa pasi nga eksperienca në vënde të tilla si Itali apo Greqi një diçka të tillë nuk e kisha parë. Këndet janë të integruara me natyrën; ndërtimet me beton nuk ekzistojnë (apo shumë shumë pak) dhe toka ose është lënë në formën e saj natyrore ose mbuluar me eshkë druri apo rërë. Çudia më e madhe për mua ishte mungesa e asaj që ne quajmë lisharës (kolovançe në disa zona të tjera nëse jam korrekt). Me djalin e vogël, për herën e parë, i erdha rrotull një këndi për të gjetur atë gjë të përbashkët në zonën tonë të mrekullueshme të Mesdheut – lisharësin. Doja të vazhdoja në gjurmët e prindërve – çfarë mësohet në vogëli është e vështirë ta ndryshosh më vonë. Ndryshimi vjen nga konditat, njeriun është e vështirë ta ndryshosh. 
*          *          *
Çdo shoqëri i kushton vëmëndje të veçantë rritjes së fëmijëve; të lashtët në ngritjen dhe kodifikimin e kushtetutave këtë e kishin prioritet. Fëmijët do të ishte brezi i ardhshëm që do merrnin gjërat në dorë dhe qeverisnin në një të ardhme të afërt. Një edukim korrekt nuk është nevojë, është domosdoshmëri. Ekziston një shprehje në Amerikë – një New York-er lind me diplomë. Pse? Sepse edukohet që në fëmijëri me edukatën  (demokrato-) kapitaliste. E njëjta gjë mund të thuhet për një fëmijë gjerman. Që në vogëli ai/ajo nuk llastohet dhe përkundet në lishars – lisharsi të rrit dembel. Presupozon që dikush tjetër është aty dhe të përkund, edhe kurr rritesh. Piktura është e thjeshtë: në këndet në Shqipëri rreshtohen prindërit tek lisharësat dhe tundin fëmijët, sa para, sa mbrapa. Fëmijët flenë; po ndaloi dikush dëgjon britma. Shokuese! Eksperiencën italiane dhe greke tashmë e dimë mirë. 40 dhe 50-vjeçarët vazhdojnë të rrinë me prindërit. Mama dhe Manoula janë gjithmonë aty për gatimet, pastrimet, larjet dhe hekurosjet. Shumë të rinj në Shqipëri që kanë blerë shtëpite e tyre te cilen e ndajnë me mamanë (pastruesen).

Mamatë shqiptare janë në të njëjtën drejtim. Në këndet e fëmijëve në Shqipëri fëmijët dhe prindërit janë për paradë mode duke harruar faktin e thjeshtë se fëmijët duan të dalin për të luajtur, për tu bërë pis dhe zhytur në baltë. Kur bie shi në Shqipëri çdo gjë ndalon, “po bie shi” thuhet. Për gjermanin nuk ka kohë të keqe, por rroba të papërshtatshme. Në Shqipëri përpara se të dalë fëmija jashtë të luajë, krehet, krekoset, i vihet shalli dhe kapelja e bërë dhe e qëndisur nga gjyshja me kujdes. Këpucët e llustruara dhe pantallonat e hekurosura nuk mungojnë. Rrobat e shiut mungojnë si për të rriturit dhe fëmijët. Koha më e bukur për fëmijët humbet brënda në shtëpi apo nëpër qëndra tregëtare.
*          *          *
Ndërsa njeriu i thjeshtë mund të gabojë në zgjedhje që bën, politikani që ka ekipe (ose supozohet t’i ketë) nuk duhet të bëjë të njëjtat gabime në konceptualizimin e projekteve. Në këto projekte hidhen hapat e parë; edukimet e para bëhen aty. Nëse tendenca shoqërore është ajo që e dimë mirë, detyra e politikanit (dhe legjisluesit) të zgjuar dhe të matur është ‘të shtyjë lehtë’ dhe me përkëdheli nga drejtimi i duhur. Shqipëria ka shumë pak tokë; abuzimi me hekur e beton në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet. Ka mënyra të tjera për të ndërtuar projekte për fëmijë – është integrimi i këndeve me natyrën. Është ndërtimi me dru ku njeriu e ndjen veten më në paqe me natyrën, dhe lisharësi mundësisht të mos lejohet me ligj. Ose lisharësi i parë le të inagurohet nga politikani dhe të gjithë ata që e ndjekin le ta përkundin si fëmijën e tyre.

Monday, June 29, 2015

Budallenjte e indentitetit

Ο Γιώργος (apo Jorgaqi në shqip me përkëdheli) është ulur me disa shokë dhe po pinë kafe ne një lagje (Kolonaqi) të pasur të Athinës. Në diskutim e sipër njëri e pyet: “Na thuaj të vërtetën, çfarë ndihesh? Shqiptar apo grek?” Ndërsa Jorgaqi mendohet, le të imagjinojmë që është ulur aty edhe nje person, X,  i cili e njeh Jorgon shumë pak. X, i habitur, gjithashtu pyet: “Unë mendova se Jorgos është grek.” (Jorgos e flet shumë mirë greqishten dhe nuk mund të dallohet.) Mara e cila jeton në Gjermani, si rasti i Jorgos, gjithashtu pyet veten (se cfare ndihet?) nëse është gjermane apo kosovare (d.m.th., shqipare).
Pyetja e mësipërme (në vetvete) na lë të kuptohet që personi në fjalë nuk është grek i mirëfilltë – çfarëdo që termi i mirëfilltë nënkupton. Pra, ne nuk mund të imagjinonim të njëjtën pyetje të drejtohesh në një παρέα (shoqëri) grekësh (shqiptarësh apo gjermanësh). Ndërsa Jorgo (dhe Mara) vazhdon mendohet një implikim i pyetjes është gjithashtu kjo: cili është kriteri për identitetin e dikujt? Ndjenjat e individit? Imagjino dikush çohet nga gjumi dhe ndihet Japonez. Njerëzit e shtëpisë mundohen ta bindin që është shqiptar (le të supozojmë, siç thonë ekonomistët, për më tepër, që e flet shumë mirë japonishten çuditërisht). Ai do shkonte tek ambasada japoneze dhe do kërkonte me këmbëngulje për pasaportën ose nëse nuk do ia jepnin (që mund të themi me siguri 100%) do vazhdonte të jetonte si japonez në ndonjë çmenduri në Shqipëri.
Pyetja e mësipërme ishte për identitetin kombëtar dhe jo personal. Dua të them çdo njeri në botë (nuk ka rëdësi nga është) mund t’i drejtojë vetes pyetje në lidhje me identitetin personal. Cilët janë faktorë determinues të identitetit etj.? Por duket në shkrime shqiposh të dy këto gjëra ngatërrohen sepse identiteti personal përfshihet në atë kombëtar dhe duket se ku i fundit vendos për të parin. Disa flasin për identitet të komplikuar ballkanasi dhe mbajnë gjallë dhe ushqejnë teoritë idote që nuk kanë asnjë bazë racionale. Nëse dikush sillet në një formë të caktuar kjo nuk ka të bëjë me identitetin por me sjelljen. Dhe nëse sjellja quhet (idiotisht!) ballkanase, atëherë cila është baza e krahasimit? (D.m.th., cila është ajo sjellje (ligj) të cilën e mbajme si sjellja (ligj të) e artë.)
Një shëmbull: Odisea përpara se të arrinte Sirenat – le ta quajmë këtë koha T1 - porosit luftëtarët e tij ta lidhnin tek shtylla e anijes dhe mbyllnin veshët e tyre me dyll. Kur iu afrua ishullit të Sirenave dhe filloi të dëgjonte këngën e tyre ai ngulmoi me dëshpërim ta lironin, koha T2; por urdhi ishte ta shtrëngonin më tepër. Ndryshoi identitet Odisea nga T1 në T2? Apo sjellje? Ishte sjellja e tij në T2 një sjellje ballkanasi (ky është ushtrim për teoristët!)?
Por le të kthehemi tek Jorgaqi për momentin i cili mendohet. Kur dikush mendon ai mundohet gjithshtu të kujtohet duke iu drejtuar memorjes. Pa pasur kujtesë (memorje) dikush nuk mban mënd asgjë duke përfshirë dhe pyetjen që i bëhet. Jorgo (Mara) ka kujtesa nga Shqipëria por të fundit janë nga Greqia (Gjermania). Kujtesa pra është një kriter, por jo vetëm e individit. Nëse Jorgo ka jetuar në Shqipëri atje ka njerëz që vërtetojnë identitetin e tij (imagjino si për shans të keq Petro (Petriti) kalon aty dhe përshëndet Jorgon në shqip). Dhe kështu kemi dhe një kriter tjetër (shoqëria!).
Një aspekt tjetër: Pyetja iu drejtua Jorgos dhe Jorgo ka një trup të caktuar. D.m.th., identiteti i tij është i mbyllur (nëse mund të shprehemi kështu) në një trup, në trupin e Jorgos. Trupi si një objekt fizik merr pjesë në hapësirë dhe kohë. Përjashtojmë rastin që Jorgo mund të mendojë se ai është thjesht një lloj shpirti dhe nuk ka nevojë për hapësirë dhe nuk jeton në kohë – duke shkelur një parim (të Wittgenstein) që thotë “piktura më e bukur e shpirtit të njeriut është trupi i tij.” Jorgo pra si trup ka qënë dikur (kohë)Shqipëri (hapësirë). Edhe trupi kështu vendos mbi identitetin e Jorgos.
Jorgaqi ka një rrugzgjidhje që jam i sigurtë nuk e mendon (ai mendon ose X ose Y). Ai mund tu kthehet mbrapsht shokëve grek dhe t’ia u japë përgjigjen në formë të tillë: “Po ju si mendoni? Çfarë jam?”
Mbas kësaj peripecie Jorgo largohet nga Greqia për shkak të krizës së rëndë dhe shkon në Gjermani (në një vënd të tretë). Në kufi i kërkojnë pasaportën dhe dokumentat e identitetit. Mund ta imagjinoni lehtësisht çfarë dokumentash nxori. 

Wednesday, June 3, 2015

Preferencat e peshqve

Një artikull postuar tek peshkupauje “kush tradhëton më shumë në një lidhje” ka mbi 205 komente (03.06.2015). Dikush shumë i indinjuar më shkruan: “Si ka mundësi që një artikull idiot merr kaq shumë komente kurse ai qe ke postuar ti (“Ndihmë për Erjonin nga Korca” burim: http://www.peshkupauje.com/2015/06/blogosfera/ndihme-per-erionin-nga-korca-i-cili-vuan-nga) nuk ka marre asnje koment apo sygjerim?

Unë: “Ç’të keqe ka nëse dikush hap vetëm ato faqe interneti që dëshiron?”
X: “Shumë e rregullt sepse nëse do ‘insistonim’ që të hapnin ato faqe që duam ne, atëherë do binim në kundërshtim me këto që themi. Por, a nuk është human apeli i familjes për ndihmë?”
Unë: “Apeli për ndihmë nuk është ‘komandë.’ Ndihma duhet konsideruar vullnetare jo detyruese.”
X: “Të lexosh (apo dëgjosh) kërkesa të tilla për ndihmë është shokuese; por më shokuese është të kuptosh se nga ana tjetër nuk përgjigjet njeri. Dhe unë një apel te tillë e shoh si detyrë për shoqërinë shqiptare.”
Unë: “Nuk do të thotë që njerëzit sepse komentojnë në artikuj të tillë nuk janë përgjigjur. Ose që nuk ndiejnë një sens simpatie per familjen. Ne thjesht nuk e dimë.”
X: “Simpatia nuk mjafton; mënyra si fëmijët (njerëzit me të meta, roma etj.) trajtohen tregon shumë për shoqërinë në fjalë dhe ata që e quajnë veten ‘shqiptar’. Njerëzit komentojë se duan ndryshim, por ata vetë nuk duan te ndryshojnë as gjërat më të vogla rreth tyre. Minimalja që mund të bëjnë është ta përcjellin në rrjetet sociale nga skutat e internetit...”
Unë: “PO të shohim preferencat e ‘peshqve’ do shohësh se jane konsistente – d.m.th., ne vendin e parë “kush tradhëton” me 205 komente; “1 qershori, jo festë për çdo fëmijë” me 5 komente dhe “ndihma për Erjonin” me 0 komente. Kjo do të thotë që peshqit – po të ndjekim llogjikën ekonomike të preferencave te shfaqura – maksimizojnë mirëqënien e tyre dhe janë racionale.”
X: “Kjo tregon edhe një gjë tjetër; atë skutën ku është futur individi shqiptar dhe nga ku komenton e kujton se është pjesë integrale e shoqërisë.”
Unë: “Ose, mendoj, vështirësitë e shoqërisë sonë për të bashkëpunuar; mirëqënia shëndetsore është e mirë publike dhe kur institucioni (shteti) është i pafuqishëm të japë shërbimin e duhur (që është për të gjithë njëlloj siç është dhe rruga që të gjithë e përdorin njëlloj) atëherë kjo është detyrë kolektive dhe kërkon veprim kolektiv.”