Friday, November 30, 2012

Torta magjike dhe Pavaresia

-->
I
Fërkoj sytë dhe ç'nuk dëgjoj
bari me dhenë e kumborë
thash, "a jam në Tiranë
apo Këlcyrë e Beranë?"
Fishkëllima, brohorima
lehje, gjuajtje, dhe kërcitje
rrahje, zënie, brohoritje
kasap'hanë e qënëri
flamunj t'kuq e bagëti.

Nëpër shesh e trotuare
gjithë njerëzia bën sehir
me qeverin' në krye
mprehin thikat plot gëzim.
Dhën e gjingja ata presin
të festojnë një festë të rëndë
po kurbani përse duhet?
"Që ta çojmë botën në këmbë!"

II

Hodha sytë andej matanë
një gjë dukesh bardh-dëborë
dhe njerëzia rreth e rrotull
një tortë, kapnin'ë me dorë.
"Po pirunjtë vallë, ku janë?"
pyeta dikë aty pranë
"Vëlla, bëj xhupin ganë,
se pa gjë kusart na lanë!"

Bëj të shtyj e dal mënjanë
turma mbrapa nuk më linte
dikush thërret e dikush qan
veç përpara mund të ikje!
Hedh flamurin përmbi supe
dhe vërshoj bashkë me të tjerë
xhepa, xhupa, çanta "gati,"
"Pa gjë s'dal këtë herë!"

Tek kordoni pranë tortës
policia shtet-rrethim
me shkopinj i binin tokës
"Mos u zgjat, bëni durim!"
Kryetari ballëlartë
dhe qeveritarë të tjerë
i bëjnë tortës homazhë
edhe presin nga një thelë.
Pasi thanë një dy tre fjalë
dhe bënë urimet e mira
ata tortën' mbrapsht e lanë
që ta hante njerëzia.

Gra, fëmijë e pensionistë
po i luten'ë policisë
sipas ligjit e zakonit
që në radhë mos t'i fusë.
Shtyn njerëzia rreth kordonit
sup më sup si trup i vetëm
Polici, gardë dhe ushtria
nuk ia dalin dot më tepër.

III

Thyhet rreshti i policisë
të gjithë vërshojnë porsi lumë
një qëllim kanë të tërë
të mbushin barkun më shumë.
Të uritur e babëzitur
çokërritur e zgërdhitur
kacafytur e pëlcitur
zhgarravitur e gërthitur,
të papunë e të pa nxënë
të pa shkollë e të pa ngrënë
pranë tortës e kurbanit
me flamur e xhamadonin
ngjeshur, shtypur, kollofitur
zbrazur, mbushur e gëlltitur
zhvatur, shveshur e përpjekur
të gjithë festojnë me zell
Pavarësi si kjo nuk vjen!

Hyp Vlonjati në një anë
edhe rreh gjoksin me grusht
"kjo këtu është e jona"
nuk ia kam besën kërkujt.
Aty pranë Shkodran Alia
ka thurr gardhin me kallama
e s'po lën kërkënd me marr
"nji kjo ktu asht e jemja."
Shkon Tironci hyp në mes
e merr tortën peng të gjithë
një laps e fletore nxjerr
por të shesë, nuk arrin!

Myzeqari, Kosovari
rrinë pranë e habiten
gjithë kjo zhurmë përse bëhet
vallë kjo tortë mos është magjike?

No comments:

Post a Comment