Thursday, April 24, 2014

“Komenti juaj po pret moderimin nga stafi” - dhe Ndarja e Re Administrative

Pasi lexova këtë artikullin (http://www.panorama.com.al/2014/04/23/nje-shtrirje-kohore-per-perfshirje/) në gazetën Panorama vendosa të shkruaja një koment të shkurtër i cili ishte përgjatë këtyre linjave:

“Reforma territoriale, një teme kaq shumë e trajtuar për rëndësinë e saj, është tashme shume e nevojshme për Shqipërinë. Por krahasimi me Francën nuk është i saktë; Franca është shtet i maturuar dhe mund të bëjë big-bang sa herë e sheh të arsyeshme – big-bangu që bën Shqipëria (p.sh., 1990-1; 1997) është destruktiv, potencialisht dhe aktualisht.
Ajo çfarë nuk flitet dhe nuk është llogaritur janë kostot – cilat do jenë kostot e kësaj reforme. Çfarë dhe sa do t’i kushtojë njeriut mesatar shqiptar ky ndryshim? Franca ka kapacitet njerëzor (material), burokraci shëmbullore etj., Shqipëria vuan tmerrësisht për (dhe nga mospasja e) këta faktorë. Ndarja e re ka potencial të krijojë 4 (apo x) pashallëqe të reja. Dhe zgjedhja e kryetarëve nga masat prapë nuk e rregullon problemin sepse favorizohen zonat e mëdhaja.”

Më vonë hyra në portalin e shtetiweb (http://www.shtetiweb.org/13264-2/) për të lexuar më shumë dhe për tu qartësuar me problemet dhe zgjidhjet që i jepen përkatësisht problemeve. Çfarë është shqetësuese për mua qëndron në faktin që një punë që konsiderohet profesionale nuk është aspak e tillë. Kur profesionistët e qëndrës shkruajnë dhe mendojnë përgjatë këtyre linjave (shih më poshtë), çfarë mund të presim nga ata të njësive bashkiake apo të komunave?

Çfarë pritet nga specialisti dhe sitet shtetërore

  • Shqipja ka 36 gërma, ndërmjet tyre edhe gërma “ë.” Në këtë projekt profesional herë e gjej gërmën “ë” dhe herë jo. E njëjta gjë ndodh edhe me gërmën “ç.” Nëse kjo i lejohet gazetarisë, dokumenteve zyrtare – portaleve gjithashtu - nuk duhet t’u lejohet. Aq më tepër dokumente të shkruajtura nga specialistë dhe profesionistë.
  • Fjalët e huaja të përkëthehen
  • Çdo document zyrtar (prezantime, dokumente ne format pdf etj.) duhet të kalojë (a) gjuhën edhe (b) tavolinën e dikujt tjetër që punon me degën filozofike të LLogjikës. Personi në fjalë do sigurojë që arsyetimet kanë konsistencë dhe mbështesin një argument – ky argument ka nevojë  për evidencë. Gjithashtu, personi do sigurojë që kundër-argumenti të jetë present sepse na paraqiten vetëm ajo çfarë do përfitohet; çfarë janë kostot nuk na paraqiten. Ose më mirë, kostot janë 0 (zero) për ata që kanë paraqitur projektin, prandaj dhe çfarëdo mase të merret është më mirë!
  • Kur informacioni renditet sipas pikave ato duhet të bëjnë sens. Një pikë mund të ketë edhe nënpika dhe në këtë rast, nënpikat mbështesin pikën kryesore.
  • Tabelat dhe shtyllat ku paraqiten të dhënat duhet të jenë të dukshme dhe (përsëri) të bëjnë sens.

E thënë shkurt, argumentet e këtyre specialistëve janë një grup fjalësh (po themi!) shqipe, tek - tuk me gërmën “ë” dhe “e” që zëvendësojnë njëra tjetrën dhe tek – tuk me “c” dhe “ç” që përzihen, që nuk kanë strukturën e një argumenti. Arsyetimet duhet të kalojnë testin e konsistencës dhe mbështeten me evidencë. Kostot duhet paraqiten ashtu siç paraqiten përfitimet. Dhe këta specialistë duhet të tregojnë që kostot janë më të ulëta sesa përfitimet. Dhe për ta përfunduar, ndryshimet administrative janë projekte politike, dhe jo a-politike. Në fund parlamenti do japë vendimin, dhe me aq sa dimë parlamenti është organ politik, pjesë e shtetit modern.

Friday, January 10, 2014

Contra Lubonjës

Për këtë shkrim jam bazuar në një intervistë të F. Lubonjës publikuar nga gazeta MAPO “Serbet e shqiptaret duhet te pastrojne historine e perbashket nga nacionalizmi” në një debat me R. Qosen per politikat dhe historitë shqiptare dhe sërbe.

Ka një problem mendoj me mënyrën sesi dialogu zhvillohet nga të dy figurat. Të dy janë prezantues të një zhvillimi të caktuar - njëri nën diktaturën Enveriste dhe tjetri nën regjimin yugo-serb - dhe secili “mbron” anën tjetër pa jetuar dhe kaluar eksperiencat përkatëse. Ky pozicionim më kujton filozofin francez (gjithashtu mik i gjithë botës) Sartre i cili nga kolltuqet e rehatshme të Francës mbronte komunizmin Stalinist pa jetuar asnjë ditë nën atë regjim. Nga ana tjetër e kanalit, në Britani, një group tjetër ndërmjet të cilëve ishte dhe Bertrand Russell, përdorte metoden e njohur në psikologji të “përzgjatjes” së revolucionit (që mos të fillonte). Metodë e përdorur mijëra vjet më parë nga gjenerali i shkëlqyer, Scipio Africanus, që mundi Hannibal-in. 

Problemi tjetër është me atë që quhet miksim, ngatërresë - ngatërrimi i një diçkaje, x, me funksionin e një diçkaje tjetër, f(x). Lubonja ngatërron Kanunin, x, me prapambetjen e Shqipërisë, f(x). Ai flet për Derridën dhe Foucault por nuk flet për Françën dhe ‘frymën nacionaliste’ franceze; flet për Hobsbawm dhe Anderson por jo për ‘frymën nacionaliste’ britanike; flet për Nietzsche por jo për Gjermaninë. Me një fjalë bota ka pasur dhe do të ketë mendimtarë (x) që duken si të shkëputur nga rrethanat ku ata jetonin, f(x). Dhe për më tepër këta që Lubonja përmend janë ata që, sipas tij, prezantojnë të vërtetën objektive të zhveshur. Duke i parë gjërat objektivisht është e mundur të zbulosh problemet dhe japësh, siç bën Lubonja, rekomandime. Lubonja harron të pyesë: kush i sheh gjërat objektivisht? Duke eleminuar subjektin Lubonja harron se eleminon objektivitetin. Ose e thënë filozofikisht: nësë unë nuk jam asgjë nuk është

Nuk do të thotë që dikush merr për kornizë reference (frame of reference) këta përsona dhe prandaj ajo që ai thotë dhe argumenton është më e vërtetë se dikush tjetër që merr një kornizë tjetër; është thjesht argument kunder argumenti, si Sofistët e mëdhenj e kuptuan mijëra vjet më parë. Dhe kush ‘fiton’ është thjesht mbështetja që ai/ajo ka për momentin nga ideologjia - apo e thënë ndryshe, nga miti i frymës së asaj kohe. Ashtu sikur unë kur lexoj histori, shoh që serbët argumentuan që shqiptarët ishin ‘njerëz me bisht’ dhe do t’i zhvillonin, sillnin në qytetrim - njëlloj si Britania, Franca etj., bënë dhe argumentuan me kolonitë Afrikane. Një ministër serb përsëri bëri të njëjtin argument disa ditë më parë, d.m.th., “shqiptarët nuk janë njerëz” - ngelet të deduktoj që janë shtazë. Argumenti i tyre përkonte me ideologjinë - mitin - e asaj kohe dhe me ata që merrnin vendime për të tjerët. Siç na tregon historia, kur ideologjija ndryshon, ndryshojnë edhe të tjerat me radhë. Asnjë nuk e beson ministrin serb sepse argumenti i tij është i pabazë në frymën e sotshme. 

Kur unë si studiues zgjedh një fakt, sipas përkufizimit eleminoj çdo fakt tjetër të mundshëm. Zgjedhja e faktit ka të bëjë me predispozitën time si njeri - Ose e thënë në frymën shqiptare: përpara se të bëhesha studiues (mendimtar), kam qënë njeri (ne shqip: përpara se të ishin shqiptarët mysliman apo kristianë ishin shqiptarë, d.m.th., paganë.). Kur si shkencëtar zgjedh një metodë përsëri eleminoj metodat e tjera. Ashtu siç ka pasur shumë mendimtarë, ashtu ka pasur dhe shumë metoda (sipas preferencave dhe bindjeve) prandaj dhe Feyerabend shkruan “Kundër Metodës” - shkenca dhe shkencëtarët janë kthyer në diktatorë sepse ‘kjo metodë është më e mirë se ajo.”

Çfarë është revoltuese për mua është fakti që çfarë ka ndodhur më përpara, rritja dhe ardhja e shtetit nacional në skenë, studiohet nga historianë - d.m.th., është e shkuar; çfarë ndodh tani është më e rrezikshme se ajo që ndodhi më përpara dhe ne mund ta de-konstruktojmë duke përdorur ata miqtë e botës dhe mundemi që ta ndreqim. Një linearitet të tillë teoricizmi dhe vetë Anderson (dhe më tepër Nietzsche) nuk e pranon nga Marksistët (Passages from Antiquity). Për më tepër politika (dhe jeta shoqërore) është prakticitet jo teoricizm. Zhvillimet sociale nuk janë lineare dhe në kushte të tilla, pra jo-lineariteti, funksioni i diçkaje, f(x), bëhet diçka tjetër nga x, nuk është e njëjta gjë. Ky intervenim linear është pasojë jo vetëm e “intelektualizmit” socialist por edhe atij kapitalist.

Për ta mbyllur me mitin: është një ushqim për njerzit (“njeriu nuk jeton vetëm me bukë”). Por nga ndryshon miti nga ideologjija? Janë dhe po zhvendosen gjithmonë e më pranë njëra tjetrës saqë është e pamundur tashmë t’i de-konstruktosh dhe kuptosh kush është kush. Shih gazetat shqiptare me ideologjitë që propagandojnë - natyrisht ndryshimi me atëherë është se tani ka shumë ideologji (mite) të ndryshme. Kush drejton varet nga kush vendos (për momentin).

Ideologët dhe mitistët nuk ndryshojnë nga njëri tjetri veçse në kohë; çdo popull që sot ekziston e ka pasur një mit; komunistët nuk ishin ndryshe nga kapitalistët në ngritjen e miteve. Të argumentosh se ata ngritën mite të paqëna, është të mos thuash gjë ose një tautologji. Çdo mit ka nevojë për qëndrën e vet nga ku të shpërndahet në mënyrë të njëtrajtshme. Me qëndër unë kuptoj një institucion, Homeri që recitohesh në Lojrat Olimpike në Greqinë e lashtë, apo shtetin modern (përfshirë dhe atë komunist). Miti i Skënderbeut p.sh., nuk u ngrit në shekullin e XIX apo nga komunistët (siç edhe lexoj andej këndej); historianë dhe filologë, ndërmjet tyre, Kroatë, Italianë etj., kishin shekuj që kishin shkruar për të epikë dhe histori (që ka qënë e njëjta gjë); populli me legjendat e veta e heroizoi (siç e meritonte në sytë e popullit) - janë proçese dhe jo linearizma - siç edhe popujt bëjnë dhe kanë bërë gjithandej në çdo kohë. Populli nuk gënjehet për një kohë të gjatë (thotë një shprehje) dhe komunizmi thjesht gjeti një terren pjellor. 


Që të qartësoj pozicionin tim: edhe unë do desha të “pastrohesh” historia por fshesën kush do ta mbaj? Do të doja të isha si Sokrati ‘qytetar i botës’ por cilën kushtetutë do të zgjidhja për mbrojtjen time nuk mund ta them, nuk e di; Sokrati vetë në fund zgjodhi t’i nënshtrohesh ligjeve të qytetit të tij, sepse ashtu e kishin lënë të parët. Në mungesë të kësaj do të zgjidhja “Europianin e Mirë” të Nietzsche por kur Europiani vrau Zotin - për të perifrazuar të madhin në një dialog ku i thotë dialoguesit: “unë dhe ti e vrava” - dhe nuk ngeli më Europë do të zgjidhja (bashkë me Prof. Qosen, nëse është dakort) Cicero kur thotë se “këtu janë të parët e mi dhe nuk mund ta shpreh lumturinë që gjej këtu.”

Tuesday, January 7, 2014

Shqiptari ne 'hapesire' dhe 'kohe'

Ekonomistët dhe psikologet ne paradigmat e tyre shpesh herë i drejtohen racionalizmit (apo atij te kufizuar) ne lidhje me sjelljet ekonomike dhe shoqerore. Një pyetje e thjeshte si: cili është vëndi im në hapësirë merret si e qënë. Ky dimension është prekur paksa nga kulturalistët (individualizmi dhe kollektivizmi) por zhvillimet e tyre devijojne nga ajo se çfarë dua të prek në këtë shkrim.

Pyetjen që përmenda me sipër dua ta zhvilloj paksa ne ambietin shqiptar. Mendoj ka relevancë të jashtëzakonshme jo vetem në ekonomi dhe sesi e zhvillojmë apo manaxhojmë biznesin por edhe në shoqeri me sjelljet tona. Natyrisht, i lidhur ngushte me konceptin e hapësirës është dhe ai i “kohës.” 
Mënyra sesi e shohim veten ne hapësirë fillon e zhvillohet qysh ne vogëli. Dikush ka dhomën e tij, gjerat e veta, tavolinën e vet të punës (mësimit për fëmijë etj.). Një trashëgimi e komunizmit ishte zvogëlimi i kësaj hapësire; d.m.th. heqja e prones private solli rrjedhimisht zvogëlimin e hapësirës personale. Hapësirat e shtëpive ishin shumë të vogla, tavolina e punës ishte tavolina ku hahej bukë. Hapësira ishte e përbashkët dhe çfarë dikush donte të bënte varesh nga dikush tjetër (hierarkia). Sesi dikush e koncepton veten në hapësirë dhe si rrittet me këte koncept ka shumë rëndësi për të ardhmen, në vendimmarrje, bërjen dhe zhvillimin e biznesit etj.

Çfarë më ka bëre përshtypje në biznesin shqiptar është pikërisht mungesa e një hapësire të tillë pune. P.sh. edhe ne magazina të mëdha zyrat e kuadrove janë diku në mes të makazinës, pa ndarje ose në një vend diku sa për të thënë; në shtëpirat private (pallate etj.) akoma mungon tavolina e punës. Për vëndin e biblotekës nuk po flas - nuk ka vënd për hapësirë të tillë në shtëpinë shqiptare.
Gjërat natyrisht që kanë evoluar me ndërtimet e reja por përsëri tek to shihet një ekstremizëm i mbushjes me orendi dhe mbajtjes së shtëpisë në një mënyrë të caktuar për sytë e të tjerëve. Ardhja në skenë e kompjuterit ka krijuar një kënd të nevojshëm (personal) por hapësira e punës është minimale në krahasim me vëndet përreth Shqipërisë apo ato perëndimore. Në perëndim hapësira e punës është domosdoshmëri pasi shumë njerëz merren me biznese të vogla dhe këndi i punës është i pranishëm për mbajtjen e transaksioneve, historikut dhe kontakteve etj. 

*           *          *

Jashtë familjes ky fenomen është gjithashtu i dukshëm. Madje vrojtimi i këtij fenomeni në hapësirën publike tregon me tepër se ç’duhet. Një vështrim nga lart i infrastruktures urbane - rrugëve, urave, komunikacioni elektrik, pallateve (te vjetra dhe reja), kanalizimeve etj. - tregon një gjëndje të mjerueshme të këtij fenomeni. Vendosja e një rruge, apo ure, pallati etj., nuk është e thjeshtë. Duhet parë në një pikturë të madhe, d.m.th. me kë lidhet ky objekt dhe me kë do lidhet në të ardhmen? Por le të kalojmë në një aspekt më të ngushtë pasi ky fenomen ka të bëjë dhe me organizimin dhe politikat shtetërore.

P.sh. le të shohim restorantet dhe kafenetë. Ndërtimi i tyre dhe hapësira që ato zënë duket sikur s’kanë lidhje fare me njrëa tjetrën. Ka mungesë konceptualizimi të hapësirës: sa i madh duhet objekti? Si do ta ndaj? Dhe çfarë kostoje ka secila ndarje? Këto janë disa pyetje që kanë rëndësi. Shumë vënde të tilla lluksoze nuk kanë minimumin e asaj që kërkohet si bazike, p.sh., banjot. Kjo hapësire e nevojshme nuk mendohet; disa restorante janë të pajisura vetëm me një kuvli të vogël ku çesma nuk punon apo është në një gjëndje të mjerueshme etj. Ndarja në ‘për burra’ dhe ‘për gra’ nuk mendohet. Për ta vazhduar me banjot: në fillimet e ‘90s banjot turke u zëvendësuan me ato alla-frënga me një shpejtësi marramendëse. Pastaj u vu re se nuk kishte ujë dhe çfarë u ndërtua e bëri funksionin më të vështirë. Si hardhi rrushi mbinë tubacionet rreth pallateve dhe si kërpudhat makazite e ujit nëpër tarraca, ne shumë raste me kosto për katet e fundit pasi rrjedhjet dhe problemet nuk kishin të sosur. Dushet u zëvendësuan me “më të fundit.” Në një hotel (ne Prishtinë) dushe të tilla që kushtonin me mijra Euro nuk punonin dhe kostet e mirëmbajtjes ishin të mëdha - raste të tilla ka plotë edhe Shqipëria. Ajo që po mundohem të argumentoj është e tillë: nga A kalohet në B dhe pastaj C e D e kështu me radhë. Por çfarë kemi parë në Shqipëri deri tani kanë qënë kalime nga A në D me B dhe C në vazhdim.

Çdo aspekt i ndertimit në hapësira të caktuara ka kosto të dukshme dhe të fshehura. Këto të dytat, në disa raste, janë shumë herë më të larta se e dukshmja. Raporti i gjithë hapësirës së lokalit me ndarjet e tjera (bar, kuzhine banjo etj.) neglizhohet. Nëse më parë ia vinim fajin diktaturës tashmë duhet tia vëmë fajin vetes. Nëse më parë nuk kishim hapësirë tani kemi dhe nuk dimë ç’të bëjmë me të - e keqpërdorojmë dhe neglizhojmë.

Hapësira ka kosto, mirëmbajtja ka kosto, mospërdorimi ka kosto dhe shpërdorimi ka kostot e veta. Sesi unë e konceptualizoj veten në hapësirë ndikon në vendimet ekonomike që unë marr me konsekuenca për të tashmen por edhe për të ardhmen. Në ndërtimet private rëndësi i është dhënë madhësisë së secilës ndarje (dhomë gjumi, kuzhina, ballkoni etj.) duke neglizhuar pyetjen më kryesore: sa veta do qëndrojnë dhe përdorin shtëpinë. Organizimi i hapësirës përreth ndikon gjithashtu në mënyrën sesi dikush kryen biznesin dhe punët e veta. Hapësirat private janë betonizuar - “le te jetë sepse nuk i dihet” - duke harruar të pyeten funksioni, kostoja e tanishme dhe ajo e fshehur (afatmesëme dhe -gjatë). Betonizimi solli varrimin e ‘kapitalit’ i cili është produktiv kur nxjerr veten dhe përqindjen përkatëse të tregut. ‘Ku tjetër mund t’i investoj këto të ardhura,’ një nga pyetjet më fondamentale në ekonomi dhe financë, neglizhohet.

Hotelet turistike vuajnë nga e njëjta sindromë. Gjatë vitit të shkuar (Qershor) në Durrës përgjatë bregdetit natën shihje vetëm nga një dritë ndezur (shih videon) në pallatet e kalbura nga jashtë nga kripa e detit; Vlora vuante nga i njëjti fenomen. Organizimi i hapësirës private e hoteleve (duke përfshirë ato me luksozet) lë shumë për të dëshiruar. Hoteli turistik është menduar për ‘bukë dhe gjumë’ dhe jo si një hapësirë argëtuese. Shërbimi është i drejtuar drejt pronarit dhe shijeve të tija dhe jo kundrejt konsumatorit. Hapësira e hotelit i jepet në përdorim për një kohë të caktuar konsumatorit - shijet e tija/saja duhen (në një lloj forme) gjetur dhe hapësira argëtuese duhet zhvilluar drejt këtyre shijeve. Shabllonet ekzistojnë thjesht duhen kopjuar gjithmonë duke pyetur pyetjet e duhura: kush është turisti që duam; me kë konkurrojmë në rajon? investojmë për sot vetëm apo dhe nesër? etj.


Me rënien e remitancave dhe shtrenjtimin e kapitalit mbase keto koncepte të "hapësirës" dhe "kohës" do të shqyrtohen më mirë në të ardhmen.

Shih video:
http://youtu.be/rAwpjmwjo5A











Saturday, December 28, 2013

E drejta per te qendruar i panxene

 Ne fillim te vitit 2013 Sekretari i Shtetit Amerikan J. Kerry vizitoi Gjermanine dhe ne nje takim ben nje verejtje te tille: "Amerikanet kane te drejten e tyre te zgjedhin te rrine te panxene." Mendoj eshte nje fjali qe thote shume dhe ne kete shkrim do argumentoja qe Shqiperia te adoptonte te njejtin qendrim.
Po shohim qe nje ndermarrje e qeverise aktuale (njelloj si ajo e meparshmja) eshte te zhvilloje arsimin me idene se arsimimi do sjelli zhvillim. Per fllusken arsimore qe eshte krijuar nuk po flas. Nje pyetje e thjeshte eshte: Si e sjell zhvillimin arsimi? Shumica mendojne se njerezit e arsimuar kane me shume shanse punesimi ne Shqiperi. Krijohet keshtu pershtypja e gabuar se ekonomia shqiptare eshte shume e zhvilluar dhe ka mundesi te perthithi gjithe keta te arsimuar. Diçka ne ate pergjigje nuk shkon sepse nuk jepet shkaku sesi arsimimi ndihmon zhvillimin. Zhvillimi merret si i qene.
Per te vazhduar: Sektorin shteteror po e ndaj nga ai privat sepse nuk ka rendesi sa i shkolluar eshte dikush, ne sektorin shteteror luhen politikat dhe jo kreditet. Por edhe faktori i madhesise se sektorit publik nuk lejon zmadhimin e fuqise punetore te kualifikuar pasi ka kufij te percaktuar. Pra ngelet qe sektori privat eshte nje katalizator me i sakte i te arsimuarve dhe kreditit.
Mendohet qe te arsimuarit do te gjejne pozicione drejtuese ne sektorin privat ku ata tregojne zotesine e tyre duke vene ne praktike ato çfare kane mesuar neper universitete. Sesa hyjne ne pune ato mesime ne boten reale nuk po i futem pasi do na nxirrte jashte teme. Dhe perseri mendimi i "ekzistences" se sektorit privat si absorbues i te arsimuarve eshte i gabuar, te pakten per Shqiperine. Qe te dale ne teme: Kush eshte privati? Ai/ajo qe ka aktivitetin? Çdo kush! dhe jo domosdoshmerisht i arsimuar. Por dikush qe di te kalkuloj - jo me kalkulator sepse ate e meson ne universitet - dhe shfrytezoj mundesite qe i jep tregu (lidhjet politike etj. nuk po i marr parasysh sepse perseri pergjigja do te ishte "çdo kush mund te jete sipermarres i nje ndermarrje private).
Nje sipermarres i vogel (hidraulik, murator, bojaxhi, rrobaqepes, apo i sektorit te serviseve) nuk duhet te nxitet te shkollohet por te zhvilloje i qete biznesin e vet. Ai ka nevoje per akses ne huamarrje me perqindje te ulet. Sistemi bankar i mbizoteruar nga bankat e huaja ka qene dhe eshte problem. Interesat e huamarrjes ne Shqiperi gjate ketyre 2 dekadave kane qene me te lartat ne rajon.
Sipermarresi ka nevoje per infrastrukture qe te arrije ne pune ne kohe; te jete i besueshem ne kohen e caktuar per nje takim biznesi etj., dhe mos te shpenzoje çdo muaj ne rregullimin e gomave. Infrastruktura eshte problem dhe me infrastrukture nuk kam parasysh vetem rruget por edhe komunikacionin telefonik dhe te internetit. Pra, faturat afrofe qe vijojne apo cmimet e larta etj., te cilat pengojne dhe e bejne sipermarrjen me te shtrenjte. Shtrenjtesia i bie si gjithmone konsumatorit. 
Ne zhvillimin e biznesit supozohet qe anet qe japin e marrin te perdorin kontraten. Kontrata ndan pergjegjesite dhe te drejtat e seciles ane; dhe secila ane (parti) te jete pronare e asaj 'gjeje' qe shkemben. Pra, problemi i pronave dhe pronesive eshte aktual dhe i domosdoshem. Mospasja dhe mosditja e ketyre gjerave krijon konfuzion, mosbesim etj.

*        *          *
Mendohet se edukimi sjell zhvillim nderkohe qe nje survejim historie do tregonte te kunderten - zhvillimi solli edukimin krah per krah (apo paksa me vone). Familjet shqiptare paguajne miliona leke me shpresen se femijet do edukohen dhe gjejne dicka me te mire, duke rrenuar veten dhe ne menyre indirekte ekonomine. Ato leke shkojne ne xhepat e administratoreve dhe profesoreve per tu shpenzuar ne nje ekonomi konsumi pa asnje impakt per njeriun e thjeshte. 
Kam qene i pranishem ne nje takim ku nje prind mori hua 600,000 L te reja me interes 17% (disa vite me pare) per shkollimin e vajzes; dhe la si garanci shtepine qe i kushtonte 2,500,000 L te reja. Personi ne fjale ishte ne pension. Ka plot shembuj te tille por ideja prape nuk eshte e qarte. Nese e quajme investim shkollimin e femijve, cilli eshte kompensimi qe merret mbrapsht ne kohen kur femijet u shkolluan? Sa nga femijet 'punojne' per te paguar universitetin e tyre? Problem tjeter: Efikasiteti i tregut te punes per mosha te reja nuk ekziston. Vete moshat e reja nuk jane edukuar me deshiren per pune - çdo gje eshte gati e siguruar nga prindi. Ne vendet perendimore femijeve u mesohet puna qe ne vogeli; vendet Nordike jane shume te njohura ne ate qe femijet qe plotesojne moshen e punes jane krenare te kene 'pare xhepi' dhe te sigurojne nevojat e veta (veshje etj.). E kane per turp te kerkojne leke per diçka - ideja eshte ‘ta fitojne vete.’ 

*        *        *
Ideja se qeveria ka pergjejgjesi per shkollimin e popullates eshte e ekzagjeruar. Kjo nuk do te thote qe qeveria mos te planifikoje dhe marre masa per ndryshime apo politika te reja ne lidhje me ecurine e edulimit etj. Edukimi publik luan rol te rendesishem ne shoqeri por stresi qe i jepet ketij sektori nuk duhet te jete i tille. Ekonomia shqiptare ka nevoje per ato institucione - disa nga te cilat permenda me lart - qe te lehtesoje sipermarrjen dhe biznesin. Eshte pastaj nevoja e ketij biznesi qe krijon nevojen e shkollimit dhe jo anasjelltas - eshte jollogjike. Per fenomenin qe shkollari behet i paafte mbasi del nga shkolla nuk po flas sepse nuk eshte tema e ketij shkrimi.
Ne disa vende, Gjermani dhe Zvicer p.sh., te gjithe te huajt qe punesoheshin ne sektorin financiar kerkohen me Bachelor (te pakten) apo Master. Nderkohe qe vete Gjermanet apo Zviceranet punonin ne keto sektore pa pasur kualifikime te tilla. Dhe eshte llogjike e thjeshte - nuk nevojitet universitet per te qendruar ulur dhe pare kompjuterin. Natyrisht qe ajo qe thashe eshte paksa e ekzagjeruar por njerezit kur futen ne keto institucione trajnohen per 3-6 muaj apo dhe 1 vit. Gjate procesit ka eleminime por ideja eshte e qarte. Ai/ajo qe kerkon te ngjitet me lart vazhdon kualifikimet ose qendron aty ku eshte - e drejta per te qendruar i panxene duhet adoptuar dhe jo 'te gjithe te shkolluar.' Dikush qe mbaron gjimnazin nuk e di se çfare do nga jeta apo çfare profesioni do ndjeke. Ato vite trajnimi dhe pune e qartesojne, e kthellojne dhe e mbajne larg veprimeve qe kane konsekuenca te pariparueshme per tere jeten.  
Disa qe duan te ndjekin rrugen e sipermarrjes duhen ndihmuar - ata jane ata qe promovojne dhe zhvillojne ekonomine dhe jo "shkollaret." Per te perifrazuar Nietszche, shkollaret dine vetem te thone PO dhe JO kur u kerkohet (paralelizmi me partiaket eshte i dukshem). Degjeneron keshtu edhe mendimi i lire apo çfaredo qofte.













  

Friday, December 6, 2013

"Po" Shqiperise - "Jo" disa profileve

Kur dikush qe punon dhe jeton jashte vendit sheh 'Thuaj Po Shqiperise' ai/ajo gezohet. Eshte nje rast qe shumica (sic e gjykoj une) presin te vije. Por disa gjera jane te pamundura, te pakten per Shqiperine. Mjekeve qe i thane PO Shqiperise u duhej thene JO nga qeveria. Natyrisht qe individet nuk ndalohen te kerkojne pune privatisht, duke perfshire edhe mjeket. Mjeksia 'ha' nuk 'krijon' 'byreke' ne gjuhen e ekonomisteve. 'Byreku' duhet te krijohet njehere dhe pastaj te 'ndahet.'

Shqiperia ka vuajtur keto dekada pasi disa gjera (me shume sec duhet te pakten) ia la fatit. Fati nuk vjen nga qielli dhe kush nuk ble bilete nuk ka fat (shans) te fitoje llotarine; me nje fjale shteti luan rolin e tij ne ekonomine e nje vendi si rregullator dhe planifikues. Planifikues mbase jo ne sensin e Shqiperise se meparshme. Te besh politike do te thote te planifikosh nje seri gjerash per te ardhmen, Politikat duhet te jene konsistente (racionale) ndryshe kot 'quhen' te tilla nese nuk jane. Ndryshe shpenzohet mundi dhe djersa e te gjitheve, ashtu sic eshte bere keto dekada dhe vetem disa (te lidhur me politiken natyrisht) kane perfituar.

"Thuaj PO Shqiperise" do te thote ne radhe te pare qe Shqiperia t'i thote PO vetvetes. Me ate 'byrek' qe pritet te ndahet me shume do dalin (ata qe jane brenda vendit p.sh.) qe do i thone JO asaj. E di se cfare mendoni. Duket si ajo loja: po ndiqte njeri ketrin rreth e rrotull pemes dhe mbas nja dy rrotullimesh nuk dihesh se "kush po ndiqte ke."

Disa eksperienca te vendeve ne zhvillim duhen pare dhe, mbase, adoptuar. Kina dhe India, p.sh., nuk favorizuan mjekesine per zhvillimin e ekonomive perkatese. Mjekesia u zhvillua perkrahesisht zhvillimit dhe mbase ne te njejten kohe si nevoje e domosdoshme - me nje fjale kur rritet 'byreku' rriten kerkesat per sherbime dhe mjeksia eshte pikerisht 'sherbim,' - ose 'shpenzues' - dhe jo 'krijues.' Per t'i dhene kredi mjekesise, ne vendet e zhvilluara ne terma te 'Kerkim dhe Zhvillimit' (R&D) natyrsiht qe impakti i saj ne ekonomi eshte paksa me i larte por kjo nuk duhet te shqetesoje Shqiperine per momentin. Gjithashtu mireqenia (shendeti) e shoqerise ka impaktin e vet ne ekonomi. Por perseri me duket se po biem ne ate lojen "kush ndiqte ke."

Per ta mbyllur, "Thuaj PO Shqiperise" per mua do te thote "Thuaj JO" disa profileve dhe ndermjet tyre mjekesise (ne sektorin shteteror). "Thuaj PO" do te thote perqasje tjeter e qeveritareve ndaj bashkatdhetareve te cilet "te perdoren" (me falni per shprehjen) si mjete rigjenerimi te kapitalit dhe njohurive. Me shume menyra mund te perfshihen ne ekonomine Shqiptare edhe duke mos qene aty. Por lehtesimet duhet te fillojne nga qeveritaret - diaspora ka gjithe keto dekada qe perpiqet. Por deri tashme ka qene njelloj sikur te ndesheshe me murin.

Nje shembull personal. Paraqita gjate pranveres nje projekt-propozim ne disa bashki, si pika kontakti midis diaspores dhe komuniteteve lokale (Albanian Diaspora for Local Development). Ideja ishte qe diaspora te perfshihet ne projekte lokale - per te krijuar dhe ruajtur hapesira dhe pune publike - duke ndihmuar me njohuri dhe kapital. Nuk ishte ideja ime por e adoptuar nga disa vende qe e kane vene ne zbatim (p.sh., Meksike, Kosove, Indi etj). Pati goxha interes por mungon vullneti. "Gure gure," thote popullli "ndertohet shtepia" por ajo qe pritet duket sikur 'shtepia duhet dhene e gjitha e ndertuar, e gatshme.' Pra atje ku qeveria lokale ka mundesi te krijoje lehtesira, le te krijohen lehtesira te tilla dhe nuk do nevojitesh nderhyrja e qendres. Pushteti qendror mbase mund te krijoje disa 'lehtesira' te tjera ne lidhje me qeverite lokale (qofte edhe si eksperimentale si fillim).

"Thuaj PO Shqiperise" nuk duhet te ngelet shabllon dhe diaspora ka role determinues ne kete aspekt. Kina dhe India nuk mund te mendohen ato ekonomi te fuqishme sic jane sot pa rolin e diasporave perkatese. Keto jane fakte lehtesisht te provueshme kur lexon zhvillimin ekonomik te ketyre fuqive. Disa politika duhet te manaxhohen, dmth disa 'lehtesira' duhen promovuar, dhe disa duhen lene te ndjekin zhvillimin perkates.