- Fëmijët e moshës 5-6 vjecare kur pikturojnë atë gjë që kanë përpara syve ata në të vërtetë pikturojnë atë ‘gjë’ që ata dinë për të dhe jo së çfarë shohin përpara syve. Analistët tanë janë fajtorë pikërisht sepse bëjnë të njëjtin mëkat dukë menduar se pasqyrojnë realitetin – ky quhet realizëm intelektual.
- Në çdo diskutim flitet së politikanët janë të “këtillë” dhe “atillë” (siç e kam thënë dhe tjëtërkund, ata nuk janë tjëtër veçse predikuesit që populli kërkon dhe zgjedh me hir apo pahir). Kur dikush analizon një budalla, analisti pa ditur dhe pa kuptuar bie në një nivel më të ulët së objekti i analizës. Dhe nësë rrogat janë joshëse për një punë të tillë, joshëse janë edhe rrogat e politikanëve.
- Në debate analistësh le të pretendojmë, bashkë më ta, për momentin se “dëgjohet” argumenti. Këta analistë pretendojnë së fitimi i argumetit i jep fitoren kampit përkatës dukë harruar se (1) fitimi i argumentit nuk është fitore në realitet dhe (2) dëgjuesit janë të shurdhër ndaj argumentit, madje edhe ndaj shifrave – ata duan vetëm poezinë. Nuk është pra aspak shokues fakti se në 2012 mbi 95% e botimeve të reja ishin poetike.
- Po të thoshja së politikani dhe analisti janë një, pjese e të njëjtës monedhë, domosdoshmërisht duhet të shtoja faktin se politikani udhëheq dhe analisti analizon, duke mos harruar se edhe ai (analisti) vetë është objekt i udhëheqjes dhe analizës.
- Ndryshimi i një analisti nga një analist praktik qëndron në faktin se ky i fundit mbasi ka mbaruar analizën merr kazmën dhe punon në fermën e tij. Qëndrimi i gjatë në ajër të kondicionuar e prish mendimin e pastër, prandaj edhe në supermarkete (malls) të Amerikës sygjerohej jo më shumë se 1 orë.
Thursday, June 20, 2013
Për analistët, me dashuri
Friday, January 18, 2013
Të Pa'udhët
Në
përputhje me frymën e epokës së Ndriçimit (Enlightenment),
Marx thotë se 'feja është opium për popullin.' Në Shqipëri ajo 'fe' që ka qënë
opium për popullin ka qënë 'klasa politike' (nëse mund të marr hua shprehjen
'klasë' nga Marxismi).
Gjatë
gjysëm shekullit komunist një klasë laiko-fetare e ashtuquajtur shkencore-politike
do të udhëhiqte Shqipërinë, drejt një gremine ekonomiko-politiko-fetare. Kjo
klasë do të konkuronte çdo lloj besimi tjetër fetar dhe do t'i nxirrte ato si
të pavlefshëme. Si kështu? Sepse fetë mbizotëruese, myslimanizmi, ortodoksia,
katolicizmi, etj., nuk e dinin 'të vërtetën.' Ishin ata që "i dinin të
gjitha" - të mirën e të keqen - dhe dinin të këndonin më mirë ungjillin e
perëndisë së shqiptarit. Ishin ata 'priftërinj- (e hoxhallarë-) komunistë që sikur
Zoti i kishte ngarkuar detyrën e shpëtimit të këtij populli. Popullit do ti
servirej 'e vërteta' nëpërmjet 'priftërinjve e hoxhallarëve' të vërtetë. E
vërteta ishte e arritshme këtu, dhe ishte materialiste. Për asgjë tjetër nuk
kishte nevojë shqiptari, pavarësisht faktit se vetë ajo ideologji përbënte një
'fe' më vete laike në kuptimin e plotë të fjalës. Konkurrenca u lejua por vetëm brënda 'kishës' komuniste. Ajo do
sillte në 'treg' prift-komunistin 'më të ditur' dhe do spastronte radhët e
'kishës' komuniste nga të vobektët dhe ata që 'nuk dinin.' Për 'të vërtetën' që
shqiptarët morën nuk është e nevojshme të ndalem në këtë artikull të shkurtër.
Në
mes të krizës totale që vijoi, nga
shkretëtira shqiptare, doli një 'klasë e re' prifto-politiko-laike. U zbulua se
priftërinjtë komunistë nuk e dinin të vërtetën kurse këta 'e dinin' dhe
vazhdojnë 'ta dinë' të vërtetën. Dhe jo vetëm 'e dinë' por 'e vërteta' është në
zotërimin e tyre. Të veshur me rrobën fetare të politikanit laik kjo klasë e re
iu fal Zotit dhe Ai i dëgjoi - Ai u dha bekimin që ta udhëhiqnin shqiptarin
drejt progresit. Ndryshe nga hera e parë konkurrenca do të lejohej midis
'kisho-xhamive' laike dhe gjithashtu midis prifto-syreshve brenda këtyre
institucioneve - "syreshë" do të thotë ata poshtë 'majës' së
piramidave. Bekimin prifto-laiku i
majës e mori për gjithë jetën e tij ('e saj,' si në gjininë femërore, nuk
ekziston për këtë rast). Që mos të humbnin gjurmë, edhe ata fetarët komunistë
për të njëjtin progres u betuan dhe morën bekimin e Zotit (e popullit).
Të Mjerët
Populli
si bagëti e vërtetë, apo dele të urta të perëndisë, dhe me besim të verbër e
ndoqi këmba-këmbës prifto-komunisto-çobanin dhe drejt greminës shkuan si një
trup i vetëm - ata që shpëtuan iu falën prapë perëndisë për mëkatet. Me zell
fetari (apo pagani për ata që mendojnë ndrsyhe),
entuziast, dhe afsh mëkatari, populli u pendua dhe filloi të ndiqte këta
'priftërinjtë' e rinj "kudo që ata do të shkonin," siç thotë edhe
Bajroni - natyrisht sipas klaneve dhe fiseve këtë radhë. Dhe këta 'të rinjtë' me
bekimin e popullit (apo Zotit), si fallxhorë të vërtetë dhe me turne 4-vjeçare,
ia filluan punës - të mblidhin taksën/qiranë e duhur për kaluar në anën matanë,
në parajsë. Kur turnet ndërroheshin, si me magji, ata që ndodheshin në
'parajsë' e gjenin vetveten në 'ferr' dhe anasjelltas. "E vërteta' e
druajtur dhe dhelpërake, njëherë kalonte andej e një herë këndej.
Në
fillim të shekullit të XVI-të Lutheri e pa 'të vërtetën' nga afër. Për një
shumë të caktuar mëkatet faleshin - çdo mëkat - nga kisha katolike, dhe parajsa
vinte kaq afër mëkatarit. Kaq shumë u shokua Lutheri nga kjo veprimtari e
kishës katolike saqë përfundimisht vendosi të përballej vetë 'me të vërtetën'
dhe i hapi kështu rrugën Protestanizmit, Kalvinizmit e çfarë vijoi - çdo kush
nëpërmjet 'besimit' tek vetvetja (jo besimin tek prifti) gjen Zotin e parajsën e vet. Një Luther laik është
nevojë e domosdoshme për të konkuruar këto piramida fetaro-politike që me metastazat
e tyre i marin gjakun si njërës palë ashtu edhe tjetrës. "Njëra palë apo
pala tjetër" në terma makro ekonomikë nuk ka shumë rëndësi, pasi bashkë
ato përbëjnë një njësi. Kjo do të thotë që pasuria thjesht ndërron duar, dhe
kur njëra palë apo tjetra vuan, e gjithë njësia vuan në total, besimi në
'progres' dobësohet e rrjedhimisht tregu e institucione lëngojnë.
Shqipëria
(për mua) është në krizë besimi më shumë e jo vetëm në krizë ekonomike
(politike). Të dyja përforcojnë njëra-tjetrën, pasi 'besimi' është komponenti
më kryesor i funksionimit të rregullt të tregut, të çdo ekonomie tregu. Në
botën perëndimore ajo fe laike që ka përmbushur dhe konkurruar fetë e tjera ka
qënë 'tregu' - progresi (nëse ka një gjë të tillë?) është i mundshëm nëse ia
lëmë në dorë këtij mekanizmi të bëjë punën e vet. Dhe për të qënë të saktë ky
mekanizëm arriti për shumicën e njerzve një mirëqënie më të lartë
'materialiste,' pavarësisht faktit që nga ana sociale, shoqërore e mjedisore ka
sjellë shumë probleme. Por tregu ka qënë bazuar mbi institucione funksionale,
efikase dhe të besueshme. Këto
institucione në Shqipëri janë zaptuar nga një 'klasë fetaro-politike' taksat/qeratë e së cilës e kanë penguar
dhe lidhur tregun e lirë me zinxhirë.
Çfarë taksash/qeraje
Një sipërmarrës ka dëshirë të hapë një fabrikë apo punishte
dhe i duhet të bisedojë më zv. ministra e ministra sepse ata i dinë gjërat, për
një shumë të caktuar. "Janë shumë," thotë sipërmarrësi, "nuk ia
vlen!" "Mos argumento, por pago!" (në frymën e Kantit) thonë ata
që 'e dinë.' Ajo është taksë mbi biznesin.
Dikush
shkon në spital për një lindje, vdekje apo ndonjë hall tjetër. Për një shumë të
caktuar halli të zgjidhet (ose edhe jo, por çfarë rëndësie ka kur qeraja
pagohet njëlloj?). "Mos argumento, por pago!" thotë ai që 'e di.' Ajo
është taksë mbi konsumatorin - mbi popullin më mirë të themi sepse paguan
dyfish, edhe për fondet e mirëmbajtjes së shëndetit edhe kur konsumon një
servis.
Dikush
tjetër është duke shkuar nga një qytet në tjetrin me makinën e vet për punën
apo hallin e vet. Çdo 15 km kontroll (a thua jemi gjëndje lufte)!
"Gjobë," thotë polici, "sepse ishe shpejt" (apo nuk ke
filan dokument). Dhe "Mos kundërshto, por pago!" Ajo është taksë mbi
popullin!
Dikush
tjetër shkon në bashkinë e lagjes për një problem. I duhet të presë (taksë
gjithashtu) për personin që i 'di' gjërat në të vërtetë. Një leje shtëpie, një
dokument familjar etj., motoja është
"Mos argumento, por pago!"
Dikush
tjetër dërgon fëmijët në shkollë - ke mësuar apo nuk ke mësuar nuk ka rëndësi,
mjafton të takosh atë që i 'di' gjërat dhe problemi zgjidhet. "Mos
argumento, por pago!" Ajo është taksë mbi popullin.
Dikush
tjetër shkon për të marrë një vend pune ... "Mos argumento, por
pago!"
Të
gjitha këto të mësipërmet, e shumë të tjera, janë ato që në gjuhën e
ekonomistëve quhen kosto transaksionesh (kosto të veprimtarisë së shitblerjes).
Janë këto që deformojnë strukturën e ekonomisë nga ata që 'i dinë' gjërat dhe
që udhëheqin drejt 'progresit.' Motoja e tregut të lirë është që çdo
transaksion kryhet nëpërmjet një kontrate, ku dy persona hyjnë në të të lirë. Drejt
progresit, nëpërmjet tregut të lirë, shqiptari po shkon nën pranga. Taksat e
mësipërme nuk janë gjë tjetër por pranga për atë që nuk është i lirë. Dhe
shqiptari ka të drejtë kur bërtet për liri e drejtësi - si një skllav i vërtetë
sepse vetëm ai kërkon liri e drejtësi (nëse e di se çfarë është, natyrisht) -
sepse këto koste të transaksionit e kanë zhytur deri në grykë e i kanë marrë
frymën.
Po pastaj?
Nuk
jemi as të parët e as të fundit që ndeshemi me probleme të tilla por një pyetje
shtrohet: Si i bëhet? 'Pozita' nuk
është gjë tjetër veçse celësi magjik për 'një qira' të majme. Nuk është çudi
kur dëgjon kandidatët të bërtasin e ulërasin 'pallavra' gjatë zgjedhjeve. Prifto-politikani
që bërtet më shumë ka shanset më të larta për bekimin nga perëndia për të
'ditur' më shumë dhe pasur 'çelësin' për tek e 'vërteta.'
Si i bëhet? Prifto-politikani
që premton e manipulon më shumë ka shanset më të mira për të marrë bekimin e
popullit, që ky i fundit të vazhdojë të jetë nën pranga, të vazhdojë të thotë
"rri se jemi mirë!" - të vazhdojë me dorën në xhep në tregun e lirë
shqiptar.
Si i bëhet? Konkurrenca i
zgjidh kollaj gjërat sepse, sipas të lashtëve (Pythagoreans), ai që fiton në
garë është më i miri dhe meriton titullin e më të mirit. Këtij titulli i
shtohet automatikisht nga ungjilli titulli 'më i dituri,' i jepet edhe bekimi,
dhe prifto-politikani laik bëhet i denjë e i autorizuar të udhëheqi drejt
progresit.
Kë të zgjedhësh? të gjithë janë
njëlloj!
Aristoteli
thotë se 'udhëheqësi' dhe 'ata që udhëhiqen' janë një (në një lloj sensi);
populli do thoshte 'sipas kokës edhe festeja.' Ndryshe mund të jetë, 'si ata që
zgjidhen edhe ata që zgjedhin janë një.' Në kohën moderne këta të fundit kanë
shumë në dorë, si kë të zgjedhin ashtu edhe kërkesën e llogarisë. Një votë nuk
e sjell ndryshimin, të gjitha PO. Një dru nuk e bën një pyll apo një
dallandyshe nuk e sjell pranverën. Por nëse të gjithë ia lënë në dorë
"shansit" të vendosë dhe vazhdojnë rutinën e përditshme "se këtu
nuk bëhet," natyrisht që edhe rezultati do jetë i tillë, po i njëjtë. Ata
që vendosin, vendosin edhe për ju që nuk vendosni. Pyetja, si gjithmonë, është:
Kë të zgjedh?
Zgjidh
një tjetër, atë që 'nuk di' por është
i aftë dhe dëshiruar të mësojë e dëgjojë. A ekziston dikush që ka thënë (dhe
thotë) se "'nuk e di' por eja ta diskutojmë"? Ai/ajo që "nuk di"
qëndron më lartë, në terma relative, sesa ai 'prifto-politikani' që i di gjërat.
Ai që thotë unë (pra partia jonë) e di - e
di veda - është i destinuar të dështojë dhe mbajë nën pranga ata që
kujtojnë se janë 'të lirë.' Dhe nëse një gjë dihet me të vërtetë, është fakti
që politika duhet lënë jashtë duarve të atyre që 'i dinë gjërat.'
Ç'do të thotë ndryshim?
Kur
klasa e re e prifto-politikanëve laikë erdhi në pushtet ata premtuan, dhe
populli gjithashtu kërkoi, 'ndryshime.' Si mund të bëjë ndryshim dikush që udhëheq,
dhe populli gjithashtu të presi ndryshime, kur të njëjtat gjëra thuhen e bëhen
përditë? E njëjta gjuhë e bastarduar përdoret përditë! Si mund të ketë ndryshim
kur rutina e përditshme është po ajo, ditë mbas dite, për të gjithë? Ndryshimi
kërkon një gjuhë të re, koncepte të reja, promovues të rinj, ide dhe praktika
të reja - një lloj revolucioni - por që të gjitha këto duhet të gjejnë aplikim
në mjedisin shqiptar. Ndryshimi kërkon besim! por edhe reflektim e kritikë.
Ta
themi ndryshe, dikush mund t'i bëjë një pyetje vetes, "çfarë bëra sot
ndryshe nga herët e tjera?" Nëse përgjigja është "asgjë,"
atëherë "asgjë" nuk duhet ndryshuar. Çdo gjë është mirë. Të gjithë
flasin se janë të pakënaqur dhe duan që gjërat të ndryshojnë, por askush nuk
është i gatshëm të ndryshojë sikur
edhe një gjë të vogël në 'rutinën' e vet të përditshme. Në përgjithësi flitet
se ka varfëri, tregohen me gisht lagjet e varfëra apo njerëzit të cilët marrin
ushqime me tollona apo shënojnë emrin nëpër lista. Por prapë askush nuk është i
gatshëm të bëjë një punë vullnetare tek ajo lagja e varfër, të ndihmojë dikë
sesi të gjejë punë (dhe jo thjesht të çojë një pjatë supë sepse zgjat situatën),
t'i japë forcë e shpresë dikujt se jeta ia vlen të jetohet, dhe udhëzojë dikë se
duhet të ketë shpresë e besim - besim tek vetja dhe komshiu e komuniteti. (Për
të dalë pak jashtë teme, shkollat dhe universitetet duhet të jenë të parat të
vendosin 'vullnetarizmin,' bizneset gjithashtu.)
Shumë
flitet për të tjerë si në media dhe në diskutime private dhe kjo është shenjë e
mirë sepse tregon që në një lloj forme dikush 'kujdeset.' Por a është kjo forma e përkujdesjes? Mendoj që jo!
Madje do shtoja që është hipokrite. Hipokrizia qëndron në atë që gishti për çdo
gjë i vihet 'shtetit.' Pallate e zona publike që janë të papastruara shihen
gjithandej - por fajin e ka shteti! Plehra të ndryshme hidhen nëpër plazhe e
zona bregdetare - fajin e ka shteti! Shpresa ka 'humbur,' besimi tek
njëri-tjetri, apo tek shoqëria (meqë jetojmë në shoqëri), është jo-ekzistent;
për ndihmë të mirëfilltë apo punë vullnetare në njësi pallati (shkalle) apo
lagje e institucione nuk bëhet fjalë. Por guximin injorant e kemi të themi
"fajin na e ka shteti!" "S'ka ligj," thotë skeptiku;
"nuk ka shtet" thotë pagani - "kush e ka fajin?" pyet
dikush tjetër. "Shteti," përgjigjen budallenjtë. E përkëthyer në
shqip, "nuk ka shtet" sepse "e ka fajin shteti."
Ndryshimi
fillon në vetvete dhe në familje, në shkallë e komunitet, dhe siç i thonë
shprehjes, "asnjë lëvizje nuk fillon me arsyetime por me besim." Me
besim zhduken dhe të pa'udhët.
Saturday, January 5, 2013
Viti i Ri Shqiptar: Fshatari dhe Vota
Teoria e ekonomisë së tregut mund të
përmblidhet thjesht në këtë formë: secili avancon interesin e tij vetiak në
treg dhe shoqëria në përgjithësi (në total) përfiton. Gjatë festës së vitit të
ri, apo mbylljes së vitit të vjetër, shumë dhurata jepen dhe në përgjithësi
ideja e interesit është e përfshirë në dhuratë. Natyrsiht nuk e mohoj faktin që
ka njerëz që japin dhurata në familje apo gjetkë thjesht për mirënjohje apo
bujari. Por le të përqëndrohemi tek rasti i parë si bazë themeltare e ekonomisë
së tregut.
Në këtë artikull të shkurtër unë paraqes
dy kërkesa: (1) viti i ri të hiqet si festë pra bashkë me të edhe dhuratat; dhe
(2) Shqipëria të festojë 'Vit të Ri' njëherë në 4 vjet, rastin e zgjedhjeve
parlamentare. Ky Vit it Ri të festohet për një periudhë prej 2 - 3 muajsh. Ju
duket çmenduri? Aspak! Dua ta aplikoj këtë koncept të ri tek fshatarësia,
megjithëse edhe qytetari i thjeshtë mund të mësojë e reflektojë mbi
konkluzionet. Gjatë Vitit të Ri Shqiptar
të gjithë ata/ato që pretendojnë për postin e parlamentarit shkojnë dhe
paraqesin programet elektorale të partive përkatëse në rrethe dhe fshatra në
mbarë vëndin. Çdo fshatar (apo fshatare) në moshë votuese ka në dorë një votë.
Kandidatit i duhet ajo votë prandaj dhe ai 'premton.' Premton se do ngrejë
rrugë e përmirësoj jetesën e fshatarësisë për tu kthyer sërisht mbas 4 vjetësh e
parë 'me habi' se: rrugët nuk janë rregulluar, tokat në përgjithësi janë
djerrë, kanalet të papastruara, kostot e huamarrjes shumë të larta dhe fshatarin
që mbijeton në një gjëndje katastrofike. Atëherë çfarë ka fshatari në dorë
"këtë herë?"
Është një barcalet me fshatarin shqiptar
në kohën e komunizmit 'që do hajë bar por kurrë nuk do përkulet,' dhe të gjithë
e dinë që kur kaloi Enveri dhe e pa të bënte me gjeste sikur hante bar e
këshilloi që 'kur të mbaronte, të hidhej nga parcela tjetër.' Pra, në kohën e
komunizmit fshatari nuk kishte as tokë dhe as bagëti por vetëm bar dhe 'frymë
komuniste.' Një thënie biblike thotë se "njeriu nuk mund të jetojë vetëm
me bukë," por fshatari i sotshëm ka edhe tokën edhe pak bagëti - ai/ajo që
ka mundësi, natyrisht - por prapë po ha 'bar' dhe, mund të shtojmë, pa ndonjë
frymë ideologjike. Kjo nuk do të ndodhi më nëse dy kërkesat e mia të mësipërmet
do të vihen në zbatim.
Fshatari i sotshëm gjatë festave të 'Vitit
të Ri" shqiptar në përputhje me teorinë e tregut do kërkojë nga kandidati
'mjetet e jetesës' dhe jo thjesht një thes me grurë apo misër që mbaron për një
muaj. Lopë, dele, pula, kuaj, dhi, derra etj. dhe ushqimin përkatës për të mbajtur këto kafshë për një periudhë të
paktën 4-vjecare, deri kur të vijnë 'zgjedhjet e tjera.' Boll me premtime sepse
janë llafe! por akte të vërteta nevojiten dhe fshatari duhet të ndërgjegjsohet
për këtë fakt. Mjerë ai që u beson premtimeve dhe voton sepse premtime do hajë!
Në çdo fshat asnjë kandidat mos të
pranohet nëse ai nuk vjen me këto 'mjete jetese' dhe ushqimet përkatëse. Asnjë
lopë, dhi apo dele mos të pranohet pa u sigurar për 4 vjet ushqimi. Ky rregull
ka përjashtim në rast se dikush kërkon ta shesë mallin që i jep kandidati por
fshatari nuk duhet të bjerë në kurthe të tilla, pasi çmimet ulen automatikisht
nëse të gjithë do duan ta shesin mallin në të njëjtën kohë.
Fshatari i sotshëm është dhe duhet të jetë
më i pasur sesa fshatari komunist duke parë interesin e tij gjatë 'Vitit të
Ri.' Ky duhet të jetë argumenti i fshatarit: "Doni votën time zotëri
kandidat? Patjetër! Ja ku është adresa dhe pasi të kem siguruar jetesën time
dhe të fëmiijëve që kam në shkollë, do t'ju jap votën." (Qytetari, pak a
shumë në një frymë të njëjtë, duhet të kërkojë kontrata - obligime - dhe jo
premtime!) Madje fshatarët e zgjuar të marrin nga të gjithë ata që kandidojnë!
Më besoni se nuk do ngelen shumë të tillë, vetëm disa kokrra (parti). Mjaft i
kanë rënduar buxhetit të popullit!
Ky model i ri do ta bëjë sistemin elektoral shqiptar më efikas, më të drejtë,
dhe 'do ndajë shapin nga sheqeri,' siç i thotë populli. Do kandidojnë vetëm ata
që 'kanë.' Ata që kanë vetëm llafe (premtime) dhe që bëjnë sikur dinë do siten
si mielli në shoshë. Ky sistem i ri forcon njëkohësisht edhe përgjegjësinë ndaj
fshatarit votues. Si? Askush nuk do dojë t'ia dijë se çfarë do ndodhi gjatë 4
viteve pasi jetesa është siguruar, por do kërkohen gjëra të tjera - me një
fjalë kërkesë e re do përfshijë tregun, teknologji, tregëti elektronike, kërkime
shkencore të avancuara etj. Le të jetë ky një Vit i Ri që do shndërrojë fshatarësinë dhe Shqipërinë drejt një
progresi materialist dhe ideologjik të padëgjuar - një model i ri zhvillimi
ekonomiko-politik i denjë për një piedestal nderi dhe hulumtim nga shkencëtarët
shqiptarë.
Wednesday, January 2, 2013
Një Reflektim mbi Shtetin dhe Shoqërinë (jo)Civile
Raportohet shpesh në mediat shqiptare shkatërrime të
pyjeve (Lura) apo, në raste të tjera, keqpërdorim (keqmenaxhim) të ambjenteve
dhe pronave publike. Reportime të tilla janë shumë tronditëse dhe domethënëse
për një gjëndje mos-qeverisjeje që Shqipëria vuan. Disa e quajnë
‘masakër të njeriut mbi natyrën.’ Dikush tjetër e quan ‘kafshëri’ apo
‘barbarizëm.’ Mbase! Kafsha jeton në harmoni me natyrën; ajo, thotë
Schopenhauer, “kurrë nuk mund të humbë rrugën e zgjedhur nga natyra” dhe si
rrjedhojë nuk mund ta prishë atë. Nga historia dihet se
barbarët kanë prishur civilizime, qytete dhe perandori, por në një gjëndje të
pazhvilluar, ata akoma nuk kanë dalë nga ajo gjëndje shtazore që rron në paqe
me natyrën. Termi i parë është më afër të vërtetës por ka një ndryshim në atë
që në
shoqëri njeriu pret dhe mbjell, prish edhe ngre, shkatërron dhe
rregullon, dëmton e riparon dhe zbukuron. Blloqe pallatesh e shtëpish ngrihen
(prishet pra natyra) por pemë e bar mbillet rreth e rreth, park dhe lulishte,
pyje artificiale apo dhe liqene të tilla.
Në Shqipëri çdo gjë betonizohet dhe natyra nuk luan
asnjë rol - shqiptari i sotshëm është marsian i vërtetë; ai dashuron vetëm
shkretëtirën. Në të ai ndërton piramida - në çdo aspect të jetës:
familje, punë e shoqëri, parti apo institucion. Çfarë kuptohet dhe duket qartë
është se shqiptari nuk ka kuptuar akoma se jeton në shoqëri dhe
jo
në klan. Në klan apo fis një njeri bën si di vetë (natyrisht sipas ligjeve të
klanit); ai përpiqet me natyrën ta vërë poshtë dhe përdori në interes të tij.
Ai nuk do t’ia dijë për fisin tjetër, fshatin matanë apo komshinjtë e vet. Ai
gëzon një liri të barbarizmit por jo liri politike të një shoqërie civile. Në
shoqëri njeriu është i limituar dhe ka, përveç të drejtave, edhe detyrime. Një
pemë nuk mund të pritet thjesht sepse të pëlqen dega.
Sot shqiptari ngre gardhin me çtë mund: ferra, blloqe,
tulla, beton, tela, kallama, rrjeta, etj. Ngre shtëpinë ku të dojë dhe e mbulon
me se të dojë: dërrasa, beton, qeska, kallamishte, llamarina e hekura. Hap e
mbyll kanale e gropa dhe puseta sipas dëshirës, zgjeron shtëpinë sipas asaj që
e quan gusto.
Zapton tokën matanë sepse është e tija, pasi ai tjetri ia ka vjedhur pa të
drejtë dhe drejtësinë ia jep vetvedit (siç thotë
shkodrani). Njëtrajtshmëria dhe sistemi janë koncepte të huaja - "format
themeltare të bukurisë," do të thoshtë Aristoteli në librin e famshëm Metafizika, "janë rregulli,
simetria dhe e përcaktuara" - bukuria dhe pastërtia e mjedisit nuk perceptohen.
Rregulli dhe normat nuk kuptohen; ligjin e bën vetë, e zbaton vetë, e ndreq dhe
e përdredh vetë; për çdo gjë vendos vetë si një subjekt që nuk ka objekt dhe
kontent.
Në shoqëri ka proçese që vendosin, ka pronë private por
edhe të përbashkët. Edhe pse një shtëpi është e jotja ti nuk mund t’i vësh
flakën sepse thjesht ashtu mendon dhe do. Duhen marrë masa, dhe
leje, duhet parë kush mund të dëmtohet nga kjo gjë në mënyrë që mos të dhunohet
tjetri (dhe shoqëria) apo kostoja mos t’u kalojë të tjerëve. Me një fjalë
ekziston një gjëndje, që është e dukshme në të gjitha aspektet e jetës
shoqërore, ku shqiptari bën si di vetë dhe lumi, mbas tij/saj, le të marrë të
tjerët. Ta qeverisësh është shumë e vështirë sepse akoma nuk është zgjuar nga
gjumi shekullor. Pierre Joseph Proudhon, një politikan dhe filozof francez i
shekullit të XIX-të, na jep një përshkrim të detajuar të qytetarit, me një
fjalë të anëtarit të një shoqërie civile, dhe, heshturazi edhe të, shtetit:
"Të
qeverisesh është të gjurmohesh, inspektohesh, spiunohesh, drejtohesh,
udhëhiqesh nga ligji, numërohesh, rregullohesh, regjistrohesh, indoktrinohesh,
predikohesh, kontrollohesh, kërkohesh, vlerësohesh, çensurohesh, komandohesh,
nga krijesa që nuk kanë as të drejtën as zgjuarsinë as virtyetshmërinë për të
bërë këtë gjë. Të qeverisesh është të jesh në çdo operacion, në çdo tranzakcion
i shënuar, regjistruar, numëruar, taksuar, stamposur, matur, numëruar..."
Për të gjitha shqetësimet e mësipërme, pak a shumë në
një formë të njëjtë, u paralajmëruan në kohët e lashta edhe Izraelitët kur
kërkuan nga Samueli që të vendoste një mbret (shtet në botën tonë moderne) për
ti udhëhequr, pasi djemtë e Samueli-it, të cilët ishin vendosur si gjyqtarë, kishin marrë rrugë të këqija. Samueli i
paralajmëron për mbretin që: "Do t’ju marri djemtë dhe do t’i
bëjë të servirin koçitë e tij e kuajt dhe do t’i vendosi përpara tyre të
vrapojnë ... Do t’ju marri vajzat t’i bëjë parfumiere dhe guzhinjere dhe
furrtare. Ai do marri tokat tuaja më të mira dhe vreshtat dhe ullishtet dhe do
ia japi shërbëtorëve të vet ..." Pra, të jetosh në një shtet
modern ligjin nuk e bën më njeriu por shoqëria, sado të papërshtatshme dhe me
mangësira si ato të mësipërmet dhe secili duhet ta ndjekë atë njëlloj
përndryshe kemi këtë kaos që shohim dhe që ndjemë të gjithë në shpatullat tona.
Po të shkojmë pak më tutje, shqiptari më mirë pranon ato mangësira të ligjit në
shtete të tjera dhe u beson më tepër atyre institucioneve sesa mangësirave të
një shteti si ai shqipëtar.
Por, mund të thojë një kritik i mprehtë, ju nuk
përmendët shtetin apo institucionet e tij aspak
në gjithë atë diskutim por iu drejtove vetëm individit (shqiptarit) apo
shoqërisë (shqiptare). Shteti dhe institucioni, sado moderne qofshin, nuk pasqyrojnë
gjë tjetër veçse ato marrëdhënie të shprehura qartë në shoqëri - ky konstatim
vlen edhe për politikanin; ai nuk është alien i ardhur nga Marsi, por baba,
nënë, vëlla, motër, gjysh apo gjyshe shqiptare; i lindur dhe rritur në atë
ambient shoqëror. Dhe, për ta mbyllur, në shoqërinë shqiptare, zhvilimet e
shtetit apo institucioneve nuk janë në harmoni me zhvilllimin e shoqërisë
civile (nëse ekziston një gjë e tillë) dhe me zhvillime të tjera
ekonomiko-shoqërore. Aq më keq kur koncepte të huaja janë prevalente dhe nuk
kuptohen. Ato do të marrin kohën e tyre që të kuptohen dhe hyjnë në ndërgjegjen
e shqiptarit.[*]
[*]
Artikulli është marrë nga libri "Gjinkallat
Këshilltare" dhe përshtatur për qëllim botimi në media.
Thursday, December 20, 2012
Metafizikë Politike: Kritikë "Rilindjes"
Ky
artikull nuk është politik, por synon të analizojë një program të një partie
për të parë se çfarë i ushqehet zgjedhësit dhe, njëkohësisht, sa i
ndërgjegjshëm është zgjedhësi për të analizuar dhe kuptuar programe të tilla
politike.
Programi i PS në këtë fushatë zgjedhjesh titullohet, "Për
një Rilindje Shqiptare." Dikush do argumentonte se është e drejta e çdo
partie politike, pjesëmarrse në zgjedhje, të vendosë dhe titullojë programin e
vet si të dojë. E vërtetë! Por koncepti në vetvete duhet të prezantojë një
diçka specifike dhe të aplikueshme për Shqipërinë. Zgjedhja e titullit e cila
përfaqëson atë çfarë duam të arrijmë është çorientuese. Rilindjen (Kombëtare)
Shqipëria e ka kaluar para një shekulli e pak, çfarë vijon nuk është prapë e njëjta gjë. Të jetë e njëta gjë
do të thotë të konceptosh gjërat dhe kohën si një rrotë - fillon diku dhe mbas
100 vjetësh je prapë në të njëjtin vend. Si progresistë - pra si njerëz që
besojnë në zhvillim - edhe koncepti i zgjedhur nuk është prezantues i asaj se
çfarë ka nevojë Shqipëria. Shqipëria nuk ka nevojë për sensualizma por
racionalizëm, nuk ka nevojë për muzikë e vjersha por autostrada, hekurudha,
lidhje detare dhe ajrore konveniente si me vëndet fqinjë ashtu edhe me botën.
Do të ishte më e saktë dhe e drejtë sikur Programi të quhej "Ndriçim i
Mëndjes Shqiptare" (një farë Enlightment)
- një reflektim njerëzor dhe i punës që është bërë, ku duam të shkojmë, me mundësitë njerëzore dhe financiare që
disponojmë, dhe si do shkojmë atje.
Programi ka (shumë) koncepte te tjera të cilat nuk janë të qarta
llogjikisht edhe për ata që i kanë formuluar. Dikush mund të imagjinojë se
çfarë ndodh me popullin kur i lexon (nëse! i lexon). Disa jepen më poshtë.
Modeli i Ri
Ekonomik
Modeli i Ri Ekonomik nuk
shpjegohet por në seksionin e tretë të programit thuhet se konsumatori
do të mbrohet nga forcat e tregut me anë të "dorës së dukshme" të
shtetit. Kjo në vetvete nuk përbën një model të ri ekonomik. Të mbrosh
prodhuesit, nëse do mbrohen nga "dora e dukshme," përsëri nuk përbën
model të ri, është i vjetër.
Modeli kapitalist është
një: mbizotërim i pronës private (problem i pazgjidhur akoma në Shqipëri) i
mbrojtur nga një sistem drejtësie (që në Shqipëri mbetet i korruptuar dhe jo funksional) në një
ekonomi tregu ku çmimet vendosen sipas sinjaleve që merren nga tregu (sinjale =
informacion, mund ta imagjinoni). Ka variacione në këtë model dhe tre njihen
mirë nga ekonomistët: Kontinentali Evropian (ai Skandinav është një ekstrem i
tij); Anglo-Saxon; dhe modeli Aziatik. Dy të parat janë në krizë, kurse i treti
ka disa veçori, midis të tjerave, të tilla:
- politika konservatore makroekonomike (inflacion i ulët, dhe teprica fiskale shtetërore);
- ekonomi të forta konkurruese dhe të integruara fuqishëm me tregun botëror;
- transferta të vogla sociale si % e PBB - fakt ky që ka kontribuar në një përqindje të lartë kursimesh (investime) nga popullata;
- taksa të ulëta për biznesin - në krahasim me Europën 2-3 herë më të ulëta;
- asnjë (ose shumë pak) ndërhyrje shtetërore në tregun e punës.
Pra, shkurt, për çfarë modeli ekonomik po flasim?
Flexicurity
Flexicurity jepet në programin e PS-së si një model i mbrojtjes
shoqërore në marrëdhëniet e punës (për punëdhënësin dhe punëmarrësin). Flexicurity është një program që është
aplikuar në Danimarkë - (lexo: në Danimarkë) - ku tregu i punës ka një
flexibilitet të jashtëzakonshëm; pra, pjesa e parë e termit (flexi) të mbështetur nga një sistem
shtetëror (security). Në gjithë
vëndet Skandinave vetëm Danimarka e ushtron këtë sistem. A mund ta aplikojë
Shqipëria këtë sistem mbrojtjeje? Natyrisht! por mbas një shekulli pasi të jetë
përfshirë në ekonominë botërore, ashtu si Danimarka nuk e aplikoi këtë program
qysh në shekullin e 19-të kur u bë pjesë e ekonomisë botërore por mbas një
shekulli. Atëherë kur në një sistem tri-partite, ku biznesi, shteti dhe fuqia
punëtore bien dakort në shumë pika. Të tre këta pjesëmarrës në Shqipëri
mungojnë, ose më mirë të themi janë në gjenezat e tyre, nëse duam të jemi pak optimist.
Programi
Kushdo që është marrë me
projekte - publike apo biznesi, nuk ka dallim - e kupton mirë faktin se si i
tillë ai kalon në disa faza. Projekti në vetvete (A) analizon situatën "si
është gjëndja," pastaj (B) formulon "ku duam të shkojmë" dhe, më
kryesorja, (C) "Si do shkojmë atje." Një komponent kryesor i pikës
(C) është fondi - paratë. Nga do merren, dhe si do investohen. Një i pastrehë
mund të donte të flinte në shtëpi, apo hotel, por me mundësitë që ka vetëm
poshtë ndonjë ure mund të flejë (ose lulishte kur është koha e bukur). Dhe vlerësimi i asaj çfarë është arritur,
pra, pika (D) është shkalla e fundit.
Le të kthehemi tek
programi "Rilindja." Ai ka katër shtylla dhe në secilën prej tyre
janë identifikuar probleme. Pas indentifikimit, kalohet në atë se çfarë ofron
programi - premtimet - pra, ku duam të shkojmë. Premtimet janë pjesa më e
rëndësishme e çdo fushate politike, pa ato nuk mund të fitosh. Mbas çdo fushate
partia që vjen në pushtet, në gati të gjitha rastet, i ka thyer premtimet. Siç
shprehen progresistët, ata nuk duan të fitojnë "duke premtuar gjithçka që
nuk është e mundur, po duke bërë gjithçka" që munden (f. 10). Por
fatkeqësisht, programi është i mbushur vetëm me premtime! Dhe metafizikë
ala-shqiptare. P.sh., në vendosjen e shtetit të së drejtës (pika 3.2 për atë që
është i interesuar) PS synon të rivendosë
drejtësi ligjore, ligjin e drejtë për të gjithë. Por pyetja, si gjithmonë,
është: si do bëhet? Nëpërmjet ligjit,
është përgjigja e progresistëve. Një metafizikë e tillë më kujton Kant-in e
madh kur zbuloi a priori, sipas
Nietzsche, një fakultet të ri tek njeriu - gjykimin sintetik. "Por si janë
të mundshme këto gjykime sintetike a
priori? Nëpërmjet një mjeti të një mjeti" ("By means of a
means"). Pra, ligji nuk punon siç është, por forcohet dhe bëhet i drejtë nëpërmjet ligjit. Retorika të tilla (në
sensin modern të termit) boshe gjenden gjithandej, p.sh., si luftohet
korrupsioni? Duke e ç'rrënjosur atë! Si do ta rregullojmë shëndetsinë? Duke i
dhënë çdo qytetari shërbim shëndetsor universal. Për mos të folur për terma e
koncepte të tjera të huazuara që në Shqiperi nuk kanë aplikim!
Çfarë i mungon programit
dhe secilës shtyllë janë si do arrihet
aty ku duam të shkojmë. Sa fonde duhet dhe si do investohen. Einstein, i
mërzitur nga pritja e ftohtë e teorisë së tij, i shkruan një miku të vet,
"njerëzit janë të shurdhër ndaj argumentave më të forta por tendenca e
tyre është të mbivlerësojnë matjet e sakta." E kishte fjalën për shifra,
numra. Këtij programi i mungojnë argumentet - pasi janë vetëm premtime - dhe
shifrat! Shqipëria merr borxhe në tregjet financiare (bond markets) me shkallë
mos-pagimi më të lartë (4%) në rajon mbas Bosnjë-Hervegovinës (4.5%). Kjo
përqindje ekspozon dobësinë dhe jo-besueshmërinë ndaj ekonomisë shqiptare. Nuk
mbahet shtëpia me miell hua, është një shprehje e urtë e popullit. Është mit,
pasi gjithë Shqipëria jeton me remitanca dhe nuk prodhon. Biznesi i vogël dhe
mesatar është në gjëndje katastrofike, bujqësia akoma më keq. Kohët e fundit u
aprovua një fond prej €31 milionë nga BB në ndihmë të fermerëve shqiptarë.
Bujqësia ka nevojë për 10-herë më shumë fonde me interes të ulët etj. Dhe për
ta mbyllur, siç e përmendëm më lart si pjesë e çdo projekti, si do maten ato çfarë u premtuan dhe ato
çfarë do të ndërtohen.
Teknologji
Programi përmend me të
drejtë gjëndjen katastrofike të sistemit online (fjala
"teknologji" përdoret 7 herë) dhe premton të ndërtojë një sistem
online ekonomik në shkallë kombëtare (përsëri nuk jepet se si do arrihet kjo
gjë, sa do shpenzohet? etj.). Ajo çfarë premtohet në program mbetet marxhinale.
Më shumë nevojitet! Ky ndryshim duhet të fillojë, e para, me faqet e internetit
të vet partive politike; përveç 4-5 partive kryesore të tjerat nuk kanë faqe
interneti (PR, PSD, AD dhe të tjerat me radhë); PD akoma nuk ka nxjerrë
programin e saj, dhe partitë që do merrnin më shumë pikë për një faqe të
thjeshtë dhe me informacionin e duhur për vizitorin janë FRD dhe PD, të gjitha
të tjerat që kanë faqe interneti janë të dobëta dhe kanë mangësira. Shqipëria
vuan nga një analfabetizëm kompjuterik të padëgjuar edhe në vëndet më të
varfëra. Përveç, Facebook-ut, natyrisht! të gjithë e dinë se çfarë është.
Ndërkohë që vënde si Kinë apo Indi forcojnë sistemin edukativ dhe ekonominë
dixhitale dhe shkencore, në universitetet shqiptare nuk ka akses të mirëfilltë
në arkiva shkencore (JSTOR, EBSCO etj.) dhe nuk jepet asnjë alternativë në këtë
drejtim. Kemi pastaj guximin të argumentojmë se kemi një fuqi punëtore të
kualifikuar - pyetja, si gjithmonë, është në cilën fushë? Më poshtë paraqitet
një grafik i pozicionimit të studentëve shqiptarë (15-vjeçarë) në krahasim me
disa vënde të rajonit. Programi PISA mat kompetencat e studentëve në lexim,
matematikë dhe shkencë.
Source: OECD PISA
2009 database; i kompiluar nga autori.
Duke parë përpara
Programi i PS-së ishte i
vetmi program i gatshëm online që mund të gjeja për qëllimin e shkruajtjes së
këtij artikulli, i cili nuk synon asnjë lloj pozicionimi partiak. Përkundrazi,
objektivi kryesor ishte analiza a asaj çfarë ofrohet në prag të zgjedhjeve të
reja me synim përmirësimin dhe përshtatjen me realitetin socio-ekonomik dhe
politik shqipëtar. Ky artikull është dhe një përpjekje për qartësim konceptesh
e terminologjie që kaq shumë mungon - jo vetëm në programe të tilla - në
artikuj apo dokumente shqiptare.
Subscribe to:
Posts (Atom)
