Sunday, June 21, 2020

Përgjigje pyetjes cili është roli i intelektualit në jetën politike (1)

Më lejoni së pari ta filloj me pak histori pasi është e nevojshme të kuptojmë terminologjinë e gjërave që do diskutojmë. 
Roli i intelektualit në jetën publike, siç kuptohet nga populli, është i vonshëm si ide dhe nisi fuqishëm gjatë formimit të shteteve moderne në 200 vjeçarin e fundit. Në Evropën lindore dy faktorë ndihmuan në formimin e strukturave shtetërore: elita agrare që kishte toka në pronësi dhe kisha. Elita kombëtare agrare, për interesa ekonomike të vetat, krijoi institucione politike dhe juridike nëpërmjet të cilave ushtroi fuqinë e vet. Këto zhvillime munguan në Shqipëri.

Një diçka tjetër problematike për temën nën diskutim është dhe mungesa e zhvillimit individual të personit për shkak të mungesës së marrëdhënieve me pronën (pushtimi turk dhe komunizmi). Këtë fakt po e marr të mirëkuptuar nga publiku dhe po e shpjegoj përciptazi. Që personi është egoist është një temë e eksploruar që në lashtësinë greke dhe që paraqet rrezik për komunitetin – shprehja shqiptare një shkop i shtrembër prish gjithë barrën  - ka qënë gjithashtu e ditur. Prandaj dhe ideja e mbajtjes së pronës individuale mbizotëroi atë të mbajtjes në bashkësi qysh pra në antikitetin e lashtë (Homer, Hesiod, Aristotle etc.). Kjo ide përmbush qy qëllime: (a) ne e dimë interesin e individit dhe (b) është nëpërmjet pasjes së pronës që personi zhvillon individualitetin e vet (Persönlichkeit, po të përdor një term të Hegel-it). Ideja e pronës është e lidhur katërciprisht me lirinë e individit. Pasja e pronës, me një fjalë, është një konditë e nevojshme për lirinë e individit dhe për një jetë të mirë. Drejtësia si institucion i ka rrënjët pikërisht tek prona private (dhe publike natyrisht). Jetesa në komunitet gjithashtu.
*          *          *
Le t’i përgjigjemi pyetjes se çfarë është një intelektual. Le të themi së pari se çfarë nuk është. Intelektuali (burrë/grua) nuk është specialist; specialisti zgjidh probleme të formuluara nga të tjerë (p.sh. ndërton ura, rregullon dhëmbët, jep leksione etj.).

Puna e intelektualit është të ri-formuloj pyetjen për problemin në fjalë. Ose të pyesë pyetjen. Problemi i shtruar si problem është pjesë e problemit që duam të zgjidhim. Fjala dhe shkrimi që vijon në platforma publike është natyrisht themelor.

Çfarë është vënë re në Shqipëri është fakti që kemi një klasë specialistësh por jo intelektualësh. Kemi një elitë politike që ka formuar dhe drejtuar opinionin publik por jo elite intelektuale. E thënë ndryshe, elita intelektuale ka qënë gjithmonë elita politike.

*          *          *

Pjesë e problemit: gjatë komunizmit ata që u quajtën intelektualë ishin ata që shkuan në shkollë të lartë. Ky definicion vazhdon edhe sot e kësaj dite. Një degjenerim total i idesë se çfarë do të thotë intelektual. Shkolla e lartë merret si konditë e të qënit intelektual. Se ku Shqipëria shkoi me këta pseudo-intelektualë nuk ia vlen të diskutohet.

Me këtë standard i bie që (mbase) 60% e Shqipërisë të jetë pjesë e elitës intelektuale. [Studentët shqiptarë mbas graduimit kanë dy zgjedhje: (a) të lënë Shqipërinë ose (b) gjejnë punë në administratë publike.] Një pyetje: ku është Shqipëria sot meqë të gjithë qënkan intelektuale? Siç edhe kuptohet, vazhdojmë diskutojmë rolin e intelektualit.

Pyetja e shtruar në titullin e artikullit është zhgënjyese për disa arsye: lexuesi mendon se elita intelektuale ka rol parësor në politike (dhe kështu në zhvillimin ekonomik të vëndit) dhe jeta politike – vendimarrja – i përket vetëm kësaj klase. Mos të harrojmë faktin që ata që shtrojnë pyetje të tilla në radio e televizionë shqiptarë janë ata/ato që e quajnë veten e vetë pjesë të elitës intelektuale.

Prandaj pyetja duhet riparë e riformuluar.

Pyetja nuk është cili është roli i intelektualit, por: nga vjen ndryshimi në një shoqëri?

Kam përshtypjen se tradita shqiptare mbështetet më shumë mbi elitën politike (dhe intelektualin-specialist që e ndjek si qëni të zonë) për shkak të legasisë historike. Publiku i drejtohet intelektualit-specialist pa kuptuar, e para, ndryshimin themelor midis intelektualit dhe specialistit që paraqitëm më lartë. Elita politike (sipas definicionit) nuk sjell ndryshim. Ajo vetëm rrjep asetet publike siç është edhe e dukshme.
E dyta, ndryshimet shoqërore ne botë kanë ardhur nga elitat ekonomike – agrare, industriale, financiare, e teknologjike së fundmi. Nuk them se intelektuali nuk ka rol të luaj në shoqëri – me shkrime e diskutime në platforma publike ai/ajo ka rol. Por ndryshimi themelor (ekonomik, politik) nuk vjen nga ky grup.

Imagjinoni dy deklarata:
(1) Rama është i suksesshëm.

(2) Elon Musk është i suksesshëm.

Në rastin e parë deklarata është qesharake. Ndryshimet që ky i dyti ka sjellë janë tashmë të pallogaritshme. Ndryshimet në transport e energji (Tesla) dhe në ekslorimin e hapësirës (SpaceX) kanë revolucionarizuar shumë aspekte jo vetëm në teknologji por dhe në organizimin e rrjeteve të punës e organizimit të saj. Mbase rasti që solla është paksa ekstrem por i nevojshëm për të kuptuar ndryshimin midis atij/asaj që krijon dhe atij/asaj që rrjep përfitime nga kolltuku. Noli këta të fundit i quajti kolltukofagë.

Specialisti-intelektual paguhet për punën që bën (sipas kontratës që ka nënshkruar); intelektuali që shkruan në platforma publike (apo që merr pjesë në rrethe televizive) nuk paguhet dhe (supozohet) qartëson ide dhe ngre pyetje etj. Por asnjëri nuk ndërton/krijon. Ky i dyti madje është dhe i rrezikshëm pasi paraqitet i veshur me lëkurë deleje duke qënë ujk.

Në shumicën e rasteve intelektualë e specialistë shpjegojnë, aq sa munden, ndryshimet pasi ato kanë ndodhur dhe jo më përpara. Të ndryshosh gjëra duhet të mendosh ndryshe – të jesh kurioz dhe kesh vullnet. Duhet mbi të gjitha të jesh i lirë, e cila do të thotë të kesh e mbash përgjegjësi për veprimet e tua. A mund të mendohet që intelektualët shqiptarë të mbajnë përgjegjësi për fjalët (llafet) që hedhin e të vuajnë koncekuencat e këshillave që japin pa hesap?

No comments:

Post a Comment